2018-04-05 19:27:00

Papa, të rinjve: thirrja e Zotit nuk është fushatë zgjedhore


Një “frikë”: ajo që “të rinjtë tanë t’i humbasin rrënjët”. Për këtë flet Papa Françesku në videomesazhin dërguar drejtorit të Institutit teologjik për jetën rregulltare në Madrid, klaretianit Carlos Martìnez Oliveras, si edhe më se 700 pjesëmarrësve të javës kombëtare për institutet e jetës së shuguruar, mbledhur deri të dielën në Fundaciòn Pablo VI, në kryeqytetin spanjoll.

Takim, që sheh drejt Sinodit të ardhshëm

         Takimi, me titull “Thirri ata, që i deshi. Të rinjtë, shqyrtimi dhe jeta rregulltare” sheh drejt Sinodit të ardhshëm kushtuar të rinjve, në tetor 2018, pikërisht mbi të njëjtën temë. Para mungesës së thirrjeve, nënvizon Papa, nuk mund të ndalemi thjesht për t’u ankuar, të rrimë duke dëgjuar muzikë e të vajtojmë për lavdinë e kaluar. Zoti na thotë “Shiko përpara e mendo ç’duhet të bësh”. Por, për të pasur më tepër thirrje, paralajmëron Papa, nuk duhet bërë prozelitizëm, nuk shërben të sillemi sikur të ishim në ndonjë fushatë zgjedhore apo në ndonjë reklamë, “sepse thirrja e Zotit nuk bën pjesë në modelet e marketingut. Është tjetër gjë”. Prandaj, me guxim, ecni përpara, u thotë Ati i Shenjtë të rinjve.

Të rigjejmë rrënjët e të dialogojmë me të moshuarit

         E kjo bëhet duke rigjetur rrënjët. “Kemi akoma kohë – siguron Papa në videomesazh – për t’i rigjetur rrënjët. Jemi në kohë për t’i bërë të ëndërrojnë burrat e gratë, që pastaj, t’u përçojnë të rinjve aftësinë për të profetizuar”. “Sot, më shumë se kurrë – vëren Françesku – është e nevojshme që të rinjtë të dialogojnë me të moshuarit: dialogu ndërmjet gjyshërve dhe nipërve është dialog ndërmjet brezave, me nivel të lartë. Jemi ende në kohë: të mos e humbim”. Ati i Shenjtë këshillon të gjendet “një mënyrë për të dëgjuar shqetësimet e të rinjve dhe të të moshuarve: vërini bashkë e çdo gjë do të shkojë mirë”. Për numrin e thirrjeve, përfundon ai, “le të vendosë Zoti”. “Ne duhet të bëjmë atë, që na ka kërkuar: të lutemi e të dëshmojmë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.