2018-04-04 11:00:00

Duke besuar në Ngjalljen, të krishterët e Lindjes vijojnë Udhën e Kryqit


Popullsia e Rripit të Gazës po jeton në atmosferën e dhunës, ushtruar të Premten e Madhe në kufirin lindor.

Këshilli i Lidhjes arabe u mblodh dje, për të shqyrtuar pasojat e ndeshjeve, që përfunduan me vdekjen e më se 18 demonstruesve dhe plagosjen e 1. 500 të tjerëve, pas ndërhyrjes së ushtrisë izraelite  për t’i penguar mijëra palestinezë të kapërcenin  kufirin e shtetit hebraik. Provokime të reja - e quajtën izraelitët ngjarjen. Në këtë atmosferë, bashkësia e vogël  katolike e Gazës - pak më shumë se 130 besimtarë-  i kremtoi Pashkët me gëzim, por edhe me frikë e tension. Ndërkaq priten manifestime të tjera - e edhe tensione e pështjellime të reja, me të vdekur e të plagosur.  Qyteti ishte me të vërtertënë kaos të plotë, me njerëz e ambulanca që vraponin majtas e djathtas e me turma, që dyndeshin drejt kufijve, nga frika se mund të shpërthente një luftë e re. Aty janë përsëri e kanë premtuar se nuk do të luajnë nga vendi për 45 ditë e se çdo të premte do të ketë ndeshje ndërmjet dy palëve: pritet, prandaj, që të ketë edhe të vdekur e të plagosur. E, natyrisht, ndjehet edhe shija fort e hidhur, që lanë pas vizat e kufizuara, të dhëna nga izraelitët atyre, që donin t’i kremtonin ritet e Pashkëve në Jeruzalem e në territoret palestineze. Shumica e lejeve iu dhanë fëmijëve, por jo prindërve, e as besimtarëve me moshë 17 deri në 55 vjeçare. Po fëmijët, natyrisht, nuk mund të shkonin në festë të pashoqëruar nga prindërit.  

Në Republikën e Kongos, rrëmbehet një meshtar, menjëherë pas Meshës së Pashkëve

Në Kongo rrëmbehet një meshtar tjetër. Dom Celestin Ngango u kap me forcë nga një grup njerëzish, pranë famullisë së tij të Karambit, në veri të Kivu-së. Sapo kishte kremtuar Meshën e Pashkëve. Besimtarët e panë  duke u zhdukur në pyllin aty pranë e nuk kanë më asnjë lajm për të. Është meshtari i dytë, pas don Robert Masindës, që rrëmbehet, gjithnjë në Veri të Kivusë, për t’u liruar dy ditë më pas. Kjo provincë vijon të jetë tejet e trazuar. Që nga viti 2016 këtu nuk pushojnë dhuna e rrëmbimet, posaçërisht kundër klerit. Pikërisht për popullsinë e Republikës Demokratike të Kongos e të Sudanit Jugor, ku nuk ka paqe, më 23 shkurtin e kaluar u kremtua në mbarë botën, dita e agjërimit dhe e lutjes, shpallur nga Papa Françesku. 

Në Orisa, gjatë kremtimit të Pashkëve, u sulmuan dy famulli. Është famullia indiane e Rourkelës, në shtetin e Orisës,  dhe ajo e Salangabahal. Në fshatin Bihabandh disa kriminelë i vunë zjarrin  një dhome ngjitur me sakrestinë, që përdorej si magazinë për ruajtjen e objekteve kishtare. Ndërsa në famullinë Salangabahal - sipas Agjencisë Asia News -  jo shumë larg nga fshati i parë, keqbërësit shkatërruan shpellën e Zojës, duke e thyer  e duke e zhdukur shtatoren e Virgjërës me gjithë atë të Krishtit Fëmijë. Ipeshkvi i dioqezës, monsinjor Kishore Kumar Kujur e denoncon këtë akt kriminal në Agjencinë AsiaNews: “Ishte sulm i paramenduar e i planifikuar - pohon - të dy aksidentet ndodhën natën, në të njëjtën orë. Famullitë janë 7-8 kilometër larg njëra-tjetrës.

Kryeipshkvi i Cuttack-Bhubaneswar kërkon t’i jepet fund dhunës, që i fyen ndjenjat fetare të të krishterëve. Aq më tepër kur e gjithë kjo ndodhi në Kohën e Triditshit të Pashkëve e në Orissa, teatër i persekutimit të egër kundër të krishterëve nga ana e grupeve radikale hinduiste gjatë gjithë vietit 2008. Nuk pritej një sulm i tillë, në një vend laik - pohon me keqardhje të thellë, imzot John Barwa, kryeipeshkëv i Cuttack-Bhubaneswar. - E gjithë kjo të kujton dhunën e ushtruar dhjetë vjet më parë në Kandhamal, një nga zonat e goditura më egërsisht nga fanatikët hinduistë

Dy krime të shëmtuara në Pakistan

Në Pakistan, gjatë një prite në Quetta, provinca e Baluçistanit, vriten katër të krishterë. Dyshohet për një ekzekutim të tipit xhihadist. Sulmi kryhet me makinë. Plagoset rëndë edhe një vajzë, tani e shtruar në spital, në gjendje të rëndë. Një punonjës policie, Muhamaed Anwar, kujton se katër të krishterët po lëviznin me motor në Shah Zaman Road të qytetit, kur u sulmuan nga njerëz të armatosur, në motoçikletë, që i qëlluan fare nga afër, për të ikur, pastaj, menjëherë. Asnjë grup nuk e ka pranuar deri tani autorësinë e atentatit, por dyshohet se kriminelët ishin fanatikë të Isisit. Ky sulm e tronditi keqas vendin, që nuk e kishte marrë ende veten, pas  përdhunimit dhe vrasjes së një vajze 7 vjeçe. Vajza doli nga shtëpia për të mos u kthyer më. Trupi i saj i gjymtuar u gjend në një zonë bujqësore. Hera e dytë që ndodh një shëmtim kësisoji, pasi po këtë fat e pësoi edhe Zainab Amin, 6 vjeçare.

"Po pse persekutohen kaq shumë të krishterët!?”

Dikush mund të pyesë: “Po pse persekutohen kaq shumë të krishterët!?” Nuk është e vështirë përgjigjja: “Sepse adhurojnë Zotin që u bë njeri, jo njeriun, që dëshiron të zërë vendin e zotit! Persekutimi i tyre, i nisur menjëherë pas krijimit të bashkësive të para, vijon në shekuj, me kryq, pas Krishtit.

Afërsia e Kishës

Papa uron që “vëllezërit në Krishtin”, të cilët  shpesh pësojnë padrejtësi e  persekutime, të jenë dëshmitarë “të fitores së të mirës mbi të keqen”. E të persektuarit e ndjejnë fort afërsinë e Papës Françesku dhe të mbarë Kishës, që  i ndihmon si shpirtërisht, ashtu edhe materialisht, sidomos të rinjtë e pleqtë. Mjafton të kujtojmë se vetëm gjatë dy muajve të fundit, 35 ipeshkvij nga mbarë bota i vizituan bashkësitë e krishtera të viseve që rijetojnë atmosferën e Golgotës.








All the contents on this site are copyrighted ©.