2018-04-04 12:08:00

Bartolomeu, klerit të Romës: bashkimi i Kishave tona është i pandalshëm


“Ndonëse dalëngadalë, ndonëse, nganjëherë, me vështirësi, rruga drejt bashkimit të Kishave tona të Shenjta është e pandalshme, sepse kështu dëshiron Zoti e, sepse duhet të jemi dëshmitarë të Tij në këtë botë, që s’interesohet për Hyun”. Kështu pohoi dje Patriarku ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I, i cili priti në Fanar të Stambollit vikarin e përgjithshëm të Papës Françesku për dioqezën e Romës, imzot Angelo De Donatis, si edhe rreth 70 meshtarë, shtegtarë në Turqi së bashku me një grup të Veprës Romake të Shtegtimeve. Njoftimin e jep agjencia katolike e lajmeve Sir.

Plan për të kremtuar së bashku Pashkët

         Patriarku u ndal në datat e ndryshme, në të cilat kremtohen Pashkët për katolikët dhe për ortodoksët. “Nga shekulli XVI, ndryshimet ndërmjet kalendarit julian dhe atij gregorian, sollën dallime në datën e Pashkëve. Jemi të sigurtë – garantoi ai – se, sapo të vijë koha e përshtatshme, Kishat tona, me përvujtëri e gatishmëri, do të dinë të vënë në jetë një projekt të përbashkët e të dëgjojnë ftesën e shën Palit, si thirrje që tingëllon sot më urgjente se kurrë, në një botë të globalizuar e mediatike: ‘Krishti – Qengji ynë i Pashkëve – tanimë është flijuar! Andaj, le të kremtojmë’(1 Kor 5,7-8)”.

Bartolomeu: me Papën, bashkim ndjetesh

         Bartolomeu nënvizoi më pas se meshtarët e grupi i shtegtarëve vinin nga Roma, “ku është ipeshkëv – u tha – Vëllai ynë i dashur, Papa Françesku. Që nga zgjedhja e tij, ishim në një mendje për shumë gjëra e ky bashkim vijoi gjatë pesë viteve të papnisë, me pjesëmarrjen e përbashkët në shumë ngjarje e momente”.

Imzot De Donatis i çoi Patriarkut përshëndetjen e përzemërt të Papës Françesku

         Nga ana e tij, njofton gjithnjë agjencia Sir, imzot De Donatis i çoi Patriarkut përshëndetjen e Papës Françesku. “Kthehemi gjithnjë me kënaqësi këtu – nënvizoi vikari i përgjithshëm i Romës – për të rizgjuar kujtesën shpirtërore, që na bën aq mirë në udhën tonë pas gjurmëve të Jezu Krishtit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.