2018-04-04 18:47:00

50 vjet më parë vritej Martin Luther King. Takimi me Palin VI


“I have a dream”. Ëndrra e Martin Luther Kingut fillon më 28 gusht 1963, me fjalimin e shqiptuar në Uashington para mijëra e mijëra njerëzve: “Kam një ëndërr, që katër fëmijët e mi të vegjël të jetojnë një ditë në një komb, në të cilin nuk do të gjykohen për ngjyrën e lëkurës, por për cilësitë e karakterit”. Më 14 tetor 1964, Parlamenti norvegjez e deklaron laureat të Ҫmimit Nobel për Paqen.

Bloody Sunday. E diela e përgjakur

         7 marsi 1965 kalon në histori si “Bloody Sunday. E diela e përgjakur”: 600 aktivistë, të udhëhequr nga pastori luteran King, marrshojnë në Selma të Alabamës, në jugun më të thellë të SHBA-ve, për të drejtat shoqërore dhe politike të zezakëve. Sulmohen dhunshëm nga policia e të bardhëve, me shkopinj e gaz lotsjellës. Por marrshimet Selma-Montgomery nuk ndalen, bëhen tre e kthehen në gurë kilometrikë për historinë e Lëvizjes në favor të të drejtave të afroamerikanëve.

Vrasja e Martin Luther King

         Më 4 prill 1968 (e enjte), në orën 18.01, kampioni i të drejtave të zezakëve vritet me një pushkë precizioni, kalibër 30-06. Plumbi e merr në kokë, ndërsa ndodhej i vetëm, në ballkonin e katit të dytë të motelit “Lorraine”, në Memfis.

         Amerikë e dhunës. Në katër vjet vriten tre kampionë të drejtash njerëzore: më 22 nëntor 1963, presidenti John Fitzgerald Kennedy në Dallas, Teksas; më 4 prill 1968, në moshën 39-vjeçare, Martin Luther King, në Tenesi; më 6 qershor 1968, Robert Kennedy, kandidat për president, në Los Anxheles të Kalifornisë. Kalojnë muaj e ditë me hakmarrje politike deri sa presidenti Lyndon Johnson nënshkruan, më 6 gusht 1965, aktin historik “Voting Rights Act”, me të cilin i siguron të drejtën e votës popullsisë afroamerikane.

Martin Luther King e Papa Pali VI

         Pak e dinë se King, më 18 shtator 1964, deshi të takohej me Papën. E pavarësisht nga kritikat e nga përpjekja pa takt e FBI-së për ta ndaluar takimin, Papa Pali VI e pret në Vatikan. Pas audiencës, vetë King do të deklaronte se Ati i Shenjtë i premtoi të denoncojë publikisht diskriminimin racor dhe e siguroi se bota katolike do ta mbështeste luftën jo të dhunshme kundër racizmit.

Fjalët plot mallëngjim të Palit VI pas vdekjes së Martin Luther King

         Tri ditë pas vrasjes së Martin Luther Kingut, më 7 prill 1968, të Dielën e Larit, Papa Pali VI e kujton në Engjëllin e Tënzot me fjalë fisnike: “Ne (atëherë papët flisnin në ‘pluralis maiestatis’) kemi pritur në audiencë, vite më parë, këtë predikator të krishterë të promovimit njerëzor e qytetar të njerëzve të tij zezakë në tokën amerikane. E njihnim hovin e propagandës së tij; e, edhe ne guxuam ta këshillojmë që ajo të ishte pa dhunë e me synimin për të vendosur vëllazërim e bashkëpunim ndërmjet dy familjeve, të bardhës dhe të zezës. Ai na siguroi se metoda e propagandës së tij nuk parashikonte përdorimin e mjeteve të dhunshme e se ndjeti i saj ishte favorizimi i marrëdhënieve paqësore e miqësore ndërmjet bijve të dy racave. Shi për këtë, keqardhja jonë është edhe më e fortë, dënimi ynë për këtë krim, edhe më i fuqishëm. Jemi të sigurtë që ju, me gjithë bashkësinë katolike të Romës e të botës, keni të njëjtat ndjenja. Ashtu si të gjithë do të ndajnë të njëjtin zotim, që frymëzon ky gjak i çmuar shpirtërisht: ky krim i neveritshëm marrtë vlerën e flijimit; jo urrejtjes, jo hakmarrjes, jo thellimit të një humnere të re ndërmjet qytetarëve të së njëjtës tokë të madhe e fisnike, por bashkimit për një qëllim të ri e të përbashkët që falja, paqja dhe pajtimi, në barazinë e të drejtave të lira e korrekte, t’u imponohen diskriminimeve të padrejta dhe luftrave të tanishme. Dhimbja jonë bëhet edhe më e madhe e më e frikshme, për shkak të reagimeve të dhunshme e të çrregullta, që shkaktoi ky fakt i trishtë; por, shpresa jonë shtohet, duke parë se nga çdo anë e përgjegjshme dhe nga zemra e popullit të shëndoshë rritet dëshira dhe impenjimi që vdekja e padrejtë e Martin Luther Kingut të sjellë kapërcimin efektiv të luftrave racore, si edhe vendosjen e ligjeve e të mënyrave të bashkëjetesës në pajtim me qytetërimin modern e me vëllazërimin e krishterë. Duke vajtuar, duke shpresuar, Ne do të lutemi që kështu të bëhet”.  

         Nuk ishin fjalë të rastit, por një homazh i gjatë. Posta e Vatikanit i kushtoi Martin Luther Kingut një kartolinë me datën e së dielës, 7 prill 1968, që riprodhon vizitën e liderit afroamerikan tek Papa Pali VI. Vetëm një vit më vonë, më 15 janar 1969, Papa Montini do të priste vejushën, Coretta Scott King. E Dita e Paqes, që Pali VI themeloi e kërkoi të kremtohej çdo 1 janar, frymëzohej pjesërisht nga historia e liderit afroamerikan.








All the contents on this site are copyrighted ©.