2018-04-03 15:49:00

Papa Françesku: ferr domethënë të jesh përgjithnjë larg nga “Zoti, që të bën të lum”, “Zoti, që na do fort”.


Kisha në mbarë botën këto ditë u lut e reflektoi mbi misterin e vdekjes së Krishtit. Në Besojmë, shpallja e fesë, që e shoqëron jetën e besimtarëve, na kujton se Jezusi “u kryqëzua, vdiq, u varros, e zbriti në ferr”. Jezusi - lexohet në katekizmin e Kishës Katolike - nuk zbriti në ferr për t’i çliruar të dënuarit, as për ta rrënuar ferrin e dënimit, por për t’i liruar të drejtët, që i kishin paraprirë.

Mëshira shpëton: po nga ç’gjë të shpëton?

Papa Françesku pohon: ferr do të thotë të jesh larg nga Zoti

Duke kujtuar ferrin, Papa Françesku, në Meshën e 25 nëntorit 2016, pohoi se ferri nuk është sallë torture, po largim nga Zoti.

Zoti do t’i gjykojë të mëdhenj e të vegjël për veprat e tyre, lexohet akoma në Librin e Zbulesës, e të dënuarit do të flaken në “pellgun e zjarrtë”. E kjo është edhe vdekja e dytë, tek e cila u ndalua Françesku:

“Dënimi i amshuar nuk është sallë torture, siç përshkruhet vdekja e dytë, është vdekje! Këta të vdekur nuk do të pranohen në Mbretërinë e Zotit, sepse nuk iu afruan Hyjit. Janë ata, që ecën gjithnjë në udhën e tyre, duke u larguar nga Zoti, ata që kalojnë para Zotit e nuk i dëbon kush, por ikin vetë. E dënimi i amshuar është pikërisht ky, të largohesh vazhdimisht nga Zoti”.

Largim gjithnjë nga Zoti, që na jep lumturinë, nga Zoti, që na do. Ky është zjarri - pohoi Papa - kjo, udha e dënimit. Po figura e fundit e Librit të Zbulesës hap edhe udhën e shpresës e për këtë udhë foli edhe Papa Françesku:

“Ferri nuk është dënim, Ferrin e zgjedh ti vetë”. Ati i Shenjtë, gjatë vizitës në famullinë romake Shën Maria, Nëna e Shëlbuesit, në vitin 2015, pati thënë: “Në ferr nuk të çojnë,  shkon ti vetë, sepse e zgjedh vetë këtë rrugë, që të çon atje, në Ferr. Ferr do të thotë të largohesh vullnetarisht nga Zoti, sepse nuk e do dashurinë e Tij. Djalli - shtoi Papa - është në ferr, sepse  ashtu deshi, “dhe është i vetmi për të cilin ne jemi të sigurt se është në fund të ferrit”. Ky mendim i Françeskut  sqaron përfundimisht ç’u shkrua pak ditë më parë në gazetën italiane “La Repubblica”, në një artikull, në të cilin fjalët e Papës tjetërsohen – sipas njoftimit të Sallës vatikanase të Shtypit.  

Ferri nuk është vend, është gjendje e shpirtit

Kisha, në mësimin e saj, pohon ekzistencën e ferrit dhe amshimin e tij. “Nuk mund të jesh i bashkuar me Zotin - lexohet në Katekizmin e Kishës katolike – nëse nuk e zgjedh rrugën e Tij, nëse nuk e duam lirisht. Por Zotin nuk mund ta duam, nëse mëkatojmë rëndë kundër tij, kundër të afërmit tonë, kundër vetvetes. Të vdesësh në mëkat mortar pa qenë të penduar e pa pranuar dashurinë përdëllyese të Zotit - lexojmë akoma - do të thotë të mbetesh  i ndarë përgjithmonë e jetës prej tij, sepse këtë rrugë e zgjodhëm vetë”. Atë Athos Turchi, pedagog i Filozofisë në Fakultetin teologjik të Italisë qendrore, nënvizon posaçërisht se ferri është gjendje e shpirtit:

Ferri nuk është hapësirë, e as vend, është gjendje e shpirtit të njeriut, që ndodhet larg Zotit, që e urren e i kundërvihet. Gjendje shpirtërore e atij, që nuk do ta pranojë Zotin. Ky është ferri. Është si dëshpërimi i njeriut, kur njerëzit e dashur nuk janë më. Është urrejtja për një vetje. Janë shpirtra të dëshpëruar. Ky është ferri. Cfurqet, flakët e ferrit janë qesharake, në krahasim me dëshpërimin e shpirtit, që është pa Zotin dhe e di se nuk do ta shikojë kurrë më.

Mund të themi, prandaj, se kjo gjendje dëshpërimi është pa mëshirë, pa mundësi për t’u falur….

Po, pse në ferr shkojnë ata, që refuzojnë shëlbimin, si djalli. Djalli është kundërshtar i Zotit. Jeton në ferr, domethënë, në gjithë hapësirën ku mungon Zoti. Kështu - thotë Jezusi -  ata që mëkatojnë kundër Shpirtit Shenjt, domethënë që refuzojnë shëlbimin nga ana e Zotit, nuk e pranojnë mëshirën, i rrinë larg. Besoj se duhet të jenë pak që e zgjedhin këtë rrugë. Por, ashtu si bëri djalli, mund të bëjë edhe njeriu. Është gjendje e shpirtit, ose e një qeniejeje, ose e një shpirti, si mund të jetë demoni, që e urren Zotin. Ky, ferri!

E për shpirtrat, që janë larg Zotit, si mund ta shmangim këtë dëshpërim të amshuar?

Duke  e pranuar shëlbimin, që solli Krishti. Kush e pranon këtë shëlbim, rrëfehet e kthehet në bashkim me Zotin. E, prej këndej, e shmang ferrin. Disa teologë  thonë se pas vdekjes shpirti e ka një mundësi të fundit për t’u ballafaquar me Zotin, e aty mund edhe ta pohojë a ta mohojë. Nëse pohon, në një farë mënyre, hyn në shëlbim. Nëse e mohon, largohet nga Zoti, nga bashkimi me të. E hyn në gjendje dëshpërimi, domethënë jeton në gjendje të skëterrshme. Ferri është në zemrën e njeriut, në shpirt, në mendje. Nuk është në ndonjë vend tjetër.

Brenda zemrës e shpirtit, në të kundërtën, është edhe e dëshira e pashuar për ta parë Zotin…

Kur shihet, jemi gjithë gëzim, paqe, lumturi. Është krejt e kundërta. Kur e gjen njeriun e dashur, shpirti galdon, zemra bëhet mal, pushtohet nga paqja, dashuria për tjetrin. Kur tjetri urrehet, shikohet me ligësi, me dashakeqësi, me mllef, ky është ferri. Tjetri është parrizi.

E gjendja e shpirtit të atij, që pushtohet nga dëshpërimi skëterror, është rezultat i zgjedhjes së një rruge…

Mëkatar absolut është ai, që nuk do ta pranojë shëlbimin e Zotit. Ne jemi qenie të lira, kemi mundësi të vetëvendosim: nëse vendosim të rrimë me Zotin, hyjmë në bashkim me të e në shëlbim. Nëse vendosim të urrejmë, të largohemi, jemi në ferr. Jezusi flet për këtë në shëmbëlltyrën e Djalit plangprishës: djali iku e shkoi për të shkapërderdhur gjithçka. Mund të kthehej e mund të mos kthehej; po të mos kthehej, do të ishte në ferr. U kthye, e kjo i krijoi mundësinë e bashkimit. Ferri është rruga, që zgjedh secili. Nuk ka kurrfarë dënimi me ferr. Eshtë rrugë, që njeriu e zgjedh vetë. Zgjedhje personale.  Ne e kemi gjithnjë mundësinë të riballafaqohemi me Zotin. Ta refuzosh, do të thotë të shkosh në ferr!  








All the contents on this site are copyrighted ©.