2018-04-03 14:41:00

Më 5 prill, Papa Françesku bekon shtatoren e shën Gregorit të Narekut


Shtatorja prej bronxi e shën Gregorit të Narekut do të vendoset në Vatikan më 5 prill, në praninë e presidentit armen Serzh Sargsyan. Vetë Papa Françesku do ta kryesojë ceremoninë e bekimit të shtatores, në bashkëkremtim me tre Patriarkët, Karekinin II, Katolikos i të gjithë armenëve, nga selia e Eçmjaxhinit, Aramin I, Katolikos nga selia e Shtëpisë së Madhe të Cilicës, si edhe Krikor Bedros XX, Katolikos, Patriark i Cilicës së armenëve katolikë.

         Shtatorja është vepër e skulptorit armen, David Erevançi, sipas modelit, që presidenti armen i pati dhuruar Papës Françesku, me rastin e vizitës së tij në Armeni, në qershor 2016. Më 12 prill 2015, gjatë meshës së kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit për të kujtuar një milion e gjysëm martirët armenë, Ati i Shenjtë e ngriti shën Gregorin e Narekut në dinjitetin e Doktorit të Kishës universale. Ai kremtim qe edhe një hap i rëndësishëm ekumenik, pasi për herë të parë, të gjithë krerët e Kishave armene u mblodhën së bashku me Papën e Romës. Pikërisht, për të vijuar në këtë frymë, një kopje e dytë e shtatores së shën Gregorit të Narekut do të vendoset në kopshtet e Eçmjaxhinit, në fund të këtij viti.

         Skulptori 77-vjeçar armen, David Erevançi, banor në Francë, gëzon famë ndërkombëtare e veprat e tij janë vendosur në anë të ndryshme të botës. Shtatorja e shenjtit është 2 metra e lartë. Sytë e shën Gregorit shohin drejt qiellit, ku janë pasqyruar edhe disa kisha armene, si edhe shega, simbol i armenëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.