2018-04-03 11:56:00

Kronikë: dritë-hije Pashkësh, atje ku vijon martirizimi i të krishterëve


Me Kryqin, rrokëm vuajtjen e familjeve siriane! Riad Sargi, drejtor ekzekutiv i Karitasit Siria, mbarti, së bashku me familjen, Kryqin, në njërin nga Stacionet e Udhës së Mundimeve. “Me Kryqin - pohoi – rrokëm e mbartëm gjithë vuajtjen e popullit, të fëmijëve, etërve e nënave”. 

Nga Bagdadi, imzot Warduni ofron vuajtjen e të krishterëve të Irakut, për të krishterët e mbarë botës. “Bota kremtoi Ngjalljen, po këtu shihet vetëm Kalvari”- kujton - E Kalvari në Lindjen e Mesme quhet Ghuta, Damask, Idlib, Haleb, Bagdad, Batnaya, Mosul, Afrin, Gaza, e shumë vende ku flitet vetëm për luftë e mort.  Lutemi që në të gjithë Lindjen e Mesme, e jo vetëm në Irak e Siri, Pashkët të jenë burim gëzimi”. “Caku është Varri”. E vetmja mënyrë për të rilindur është t’i shoqërojmë vuajtjet e Krishtit, me tonat - shkruan ipeshkvi kaldeas  -  edhe pse në këto vise të krishterët janë gjithnjë më pak e persekutimit dhe diskriminimit, njëheresh me braktisjen e vendit, nuk po i duket fundi! 

Situatë që i ngjet asaj të Librit të Daljes: ikje pa kthim! Gjë që e bën prelatin të pohojë me keqardhje të thellë: “Si mund t’u lutemi vëllezërve të mos nisen? Kush ua siguron jetën, punën, familjen? Vetëm Krishti mund të na shpëtojë. Përndryshe, jemi të humbur!”.

Nga Iraku, një rreze optimizmi vjen prej Patrikut të Babilonisë, imzot  Sako: “Pashkët – pohon - janë shpresë e gjallë! Sjellin, edhe në mjerimin tonë, shenja shprese.  Për shembull  të diel kishat tona ishin plot. Kështu edhe në Kurdistan. Tani përgatitemi për zgjedhjet. Shpresojmë të vijnë njerëz të rinj, që dëshirojnë ta ndryshojnë gjendjen e të punojnë për të mirën e vendit!".

Në Azinë qendrore, pjesëmarrje e madhe në kremtimet e Pashkëve. Ndonëse në Republikat ish-sovjetike, me shumicë myslimane, bashkësia e të pagëzuarve është vërtet “grigjë e vogël”. Në Kazakistan, ku prania katolike ka rrënjë më të thella, numërohen 150 mijë besimtarë, të ndarë në katër dioqeza katolike. Në kombet e  tjera, të krishterët janë më të paktë. Në Uzbekistan, pesë famullitë, të vendosura në qytetet kryesore të vendit, numërojnë 3.000 të pagëzuar; në Kirgizistan, rreth 500, në Turkmenistan, vetëm 200 në gjithë vendin. Kishë ende në embrion, por tejet e fekonduar nga hiri hyjnor, që mund të vijojë vrullshëm zhvillimin në të ardhmen.  Besimtarët e Azisë qendrore i kremtuan Pashkët me bindjen se sot vërtet janë farë ungjillore, por nesër kjo farë, e vaditur me ujët e lutjes e të dashurisë së krishterë, do të mungullojë, do të rritet e do të sjellë fryte të begata.

 

Pashkë hijezeza në Gazë, pas vrasjes së 16 palestinezëve dhe plagosjes të më se 1400 të tjerëve, nga ana e ushtrisë, gjatë manifestimeve kundër Izraelit. Pashkë frike, për bashkësinë e vogël të krishterë. E Pashkë  protestash, organizuar nga Hamasi, që do të vijojnë deri më 15 maj,  kur do të kremtohet 70-vjetori i lindjes së Izraelit.

Shkelëm në vende ku vijon dhuna. Po shpresa mund të lindë edhe atje. Në Haleb, për shembull: françeskani Firas Lutfi flet për projektin “Një emër e një ardhmëri”. Rast për t’u dhënë fëmijëve sirianë ndihma juridike, ushqimore, shkollore e psikologjike: “Janë fëmijë të lindur në luftë nga martesa, që zgjatën vetëm pak muaj, ndërmjet xhihadistëve. Fëmijë jetimë, bij etërish që humbën jetën gjatë konfliktit, ose që u kthyen në vendet e tyre, pa menduar fare për ata, që  po linin pas. Fëmijë pa nëna, sepse u vdiqën, ose mbetën të tjetërsuara nga pesha e përdhunës. Është e qartë se nuk mund t’i plotësojmë të gjitha nevojat e një shoqërie të shkatërruar - vijon françeskani - Por, siç thoshte Shën Nënë Tereza: “Kjo, që po bëjmë, është një pikë ujë më shumë në oqean; veç pa të, oqeani do të kishte një pikë ujë më pak”.

Numra marramendëse për Udhën e Kryqit në Meksikë. Edhe sivjet  Udha e Kryqit në Iztapalapa, zë një nga vendet më të mira në botë, me qindra aktorë e grupe muzikore. E natyrisht, edhe me 2 milionë besimtarë.








All the contents on this site are copyrighted ©.