2018-04-01 09:39:00

Papa, Natën e Pashkëve: kundroje varrin e zbrazët, mos ki frikë, ndiqe Jezusin!


Është nata e heshtjes. Errësira, e mbështjellë me acar, që e shoqëron, rëndon mbi shpirt, përballë vdekjes së Zotit. Heshtje, në të cilën njohim dishepullin që, përballë kryqit, mbetet pa fjalë! Në këtë atmosferë plot me dritë-hije u shtjellua e gjithë homelia e Papës, gjatë Meshës, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, Natën e Pashkëve. Ndërmjet çasteve më të rëndësishme të Meshës, kujtojmë bekimin e zjarrit në treme, procesionin me qiriun e Pashkëve dhe Meshën, me pagëzimin e tetë të rriturve.

Dishepulli i sotëm paralizohet përballë padrejtësive të panumërta

Zemra e çdo dishepulli – ishin fjalët e para të Atit të Shenjtë, që jehuan në Bazilikën e mbushur përplot me shtegtarë e besimtarë - e ndjen fort peshën e heshtjes  përballë vdekjes së Zotit, para Kryqit. 

Janë orët e dishepullit që, përballë Kryqit mbetet pa fjalë! Përballë orëve vendimtare të jetës së Zotit, mbetet pa gojë. Përballë padrejtësisë, që e dënoi Mësuesin, dishepujt heshtën! Përballë shpifjeve e dëshmive në rrenë, heshtën. Gjatë orëve të vështira e të dhimbshme të Mundimeve, dishepujt provuan dramatikisht paaftësinë e tyre për të rrezikuar e për të folur në favor të Mësuesit; e arritën deri në atë pikë, sa ta mohonin. Ikën. S’ guxuan të nxjerrin asnjë pipëlimë! 

Është nata e heshtjes së dishepullit - vijoi Françesku - që paralizohet  e s’di nga t’ia mbajë, përballë kryqëzimit! E ç’është më keq, nuk ka forcë të bëjë asgjë. Nuk guxon t’u kundërvihet padrejtësive të panumërta, që vijojnë ta dërmishin korpin e vëllezërve. Është Nata e heshtjes. Kur hesht deri vetë shpresa.

Kumti “Krishti u ngjall!”,  na mbush, me shpresë

Po në vend të dishepujve “zënë e bërtasin gurët”. Bërtasin e japin lajmin më të madh, që ka dëgjuar ndonjë herë historia: “Nuk është këtu. U Ngjall!” (Mt 28,6). Guri i varrit bërtiti sa i hante zëri - kujtoi me emocion të thellë Papa - e u kumtoi të gjithëve udhën e re, ngadhënjimin e jetës. Ishte guri i varrit, që luajti nga vendi. Guri, që u flak i pari e, në mënyrën e vet, nisi këngën e lavdit e të entuziazmit, të gëzimit e të shpresës, në të cilën ftohemi të marrim pjesë të gjithë!

Feja jonë përtërihet

U Ngjall! U ngjall nga vdekja, nga vendi ku askush nuk priste gjë, e na pret - siç priti gratë - për të na bërë pjesëmarrës në veprën e Tij të shëlbimit. Varri i zbrazët na sfidon, na nxit, na inkurajon të besojmë e të shpresojmë në Zotin e në dritën e tij që - siguroi Papa - mund të arrijë deri në skutat më të fshehta të jetës.

Atëhere, ç’ do të thotë t’i  kremtosh Pashkët?

Atëhere, ç’ do të thotë t’i  kremtosh Pashkët? - pyeti Papa - T’i kremtosh Pashkët do të thotë të besosh përsëri se Zoti vërshon vrullshëm në historitë tona, duke i sfiduar determinizmat tona uniformuese e paralizuese. Do të thotë ta lësh Jezusin ta mundë sjelljen, që kërkon të varrosë çdo tip shprese. Guri i varrit e bëri punën e vet, gratë e bënë punën e vet! Tani ftesa ju drejtohet edhe një herë ju e mua: ftesa për ta rinuar jetën tonë, udhët tona, kohën tonë. Ftesë, që na drejtohet atje ku jemi, në atë që bëjmë e që jemi; sipas takatit, që kemi. Duam, a s’duam t’i përgjigjemi kumtit të jetës, apo do të vijojmë të heshtim përballë ngjarjeve?

Nuk është këtu. U ngjall! E të pret në Galile  - rikujtoi në përfundim Papa -  të fton të kthehesh në kohën e vendin e dashurisë së parë për të të thënë: “Mos ki frikë! Ndiqmë!”








All the contents on this site are copyrighted ©.