2018-04-01 13:18:00

Françesku: lajmi-surprizë i Krishtit të Ngjallur na drejtohet të gjithëve


Një shpërthim i vërtetë lulesh ishte korniza e kumtimit themelor të fesë së krishterë: Krishti u ngjall! Në këtë kornizë e me këtë Lajm të madh në gojë e kremtoi Papa Meshën e ditës së Pashkëve në Sheshin e Shën Pjetrit, sot në festë, duke nënvizuar: “Zoti ynë është Zot i të papriturave”.

Krishti u ngjall! Ky, kumti i madh i ditës së Pashkëve. Françesku e kremtoi Meshën në Sheshin e Shën Pjetrit, ndriçuar nga dielli pranveror. Gëzimi i Ngjalljes ishte i dukshëm: gjithçka, solemne në këtë ditë; e lulet, 50 mijë lule, që zbukuronin altarin dhe gjithë tremen, e shprehnin bukurinë me vorbullën e ngjyrave të tyre.

Zbulimi i varrit të zbrazur

Ungjilli i ditës flet për zbulimin e Marisë nga Magdala, Pjetrit e Gjonit: varri, kur qe vendosur trupi i Jezusit, ishte i zbrazët. Në homeli Françesku nënvizoi dy fjalë: lajm e nxitim!

Lajmi i papritur

Lajmi: Zoti u ngjall kalonte gojë më gojë ndërmjet të krishterëve të parë. Lajm, që të mrekullon. I papritur…. Kumtet e Zotit janë gjithnjë të papritura, sepse Zoti ynë është Zoti i surprizave. E kështu të mrekullon që nga zanafilla e shëlbimit, që nga ati ynë, Abrahami. “Epo shko, lërë, largohu nga trojet tuaja e shko!”. E gjithnjë ndeshemi me një të papritur. Të papriturat vijnë njëra pas tjetrës. Pikërisht kur ti nuk i pret!

Të shkosh me nxitim

Fjala e dytë e Papës, nxitimi. Të papriturat e Zotit na vënë për rrugë menjëherë - kujtoi Françesku - dhe solli shembullin e Pjetrit e të Gjonit, e, përpara tyre, të barinjve Natën e Krishtlindjes, të Samaritanes, pas takimit me Jezusin, të Andreut, që i thotë Pjetrit: “E gjetëm Mesinë”. Të gjithë nxitojnë  për ta parë me sytë e tyre

Kjo ndodh edhe sot. Të papriturat shkaktojnë gjithnjë nxitim. Po në Ungjill është dikush, që na pret, me dashuri.

E në fund, Papa pyeti: Po unë?

E së fundi, pyetja e Papës drejtuar secilit nga ne: Po unë? A e kam zemrën të hapur për të papriturat e Zotit, a jam i aftë të rend me nxitim, duke përsëritur: “Nesër do të shikoj, nesër, nesër…? Çfarë më thotë mua e papritura?

E përfundon me: “Përballë faktit të papritur të kumtimit e të vrapit, vjen pyetja: “E unë, sot, në këto Pashkë 2018, unë, çfarë do të bëj? Ti, çfarë?".








All the contents on this site are copyrighted ©.