Nata e Pashkëve të Jezu Krishtit është “Nëna e të gjitha netëve të lutjes”. Vërtetë e jashtëzakonshme është kjo natë, në të cilën Drita vezulluese e Krishtit të Ngjallur fiton përfundimisht mbi fuqinë e errësirës, të së keqes, të vdekjes, duke ndezur në zemrat e besimtarëve shpresën e gëzimin.
Të Shtunën e Madhe, të krishterët presin kremtimin e Natës së pagjumë të Pashkëve. Nuk mund të shpjegohet kurrë plotësisht rëndësia e kësaj nate të pagjumë, kësaj nate pritjeje, sepse në të përqendrohet gjithçka. Posaçërisht në shekujt e parë të Kishës, kur nuk kishte festa të tjera, madje nuk kremtohej as Krishtlindja, ky ishte çasti në të cilin përkujtohej gjithë historia e shëlbimit, e krijimit, deri në ardhjen e Krishtit.
Këtë e vërteton edhe fakti se nata e lutjes e Pashkëve nis pikërisht me leximin
e Librit të Zanafillës, me rrëfimin mbi Krijimin, duke na kujtuar se jemi para rikrijimit
të gjithçkaje. Sigurisht zemra e Natës së lutjes të Pashkëve është Ngjallja e Krishtit,
që kremtohet me Eukaristinë. Shën Agostini e quan “Nënë e të gjitha netëve të lutjes,
burim i gëzimit të krishterë”. Është nata më e pasur me fjalë e simbole, që shprehin
fitoren mbi vdekjen e mbi forcat e errëta të së keqes si dhe shpresën që ngjallet
ndër zemrat e të gjithë atyre, të cilët besojnë në Zotin e Kryqëzuar e të Ngjallur.
Mëkat që në traditën më të re kishtare, posaçërisht tek ne, perëndimoret, rëndësia
e Natës së Lutjes në të kaluarën është lënë shpesh herë pas dore. Sot është duke u
rikthyer edhe ndër famulli kishtare, ku Nata pa gjumë e Pashkëve, në pritje të ngjalljes
së Krishtit, ka nisur të jetohet me rite plot domethënie dhe me emocionin e traditës
së lashtë.
E duke rrëmuar në traditën e lashtë kishtare, zbulojmë se Pashkët janë kremtuar gjithnjë
natën. Në fillim liturgjia ishte tepër e thjeshtë: një bashkësi besimtarësh që lutej
e ushqehej me bukën e jetës rreth një sofre vëllazërore e cila paraprihej nga një
agjërim i plotë prej një ose më shumë ditësh.
Më vonë Natën e Pashkëve të Krishtit u shtua edhe kremtimi i pagëzimeve, riti i qiririt, i bekimit të zjarrit të ri dhe procesioni i dritës. Kështu, me kalimin e kohës, Nata e Pashkëve u bë gjithnjë më e pasur me rite e simbole. Në fillim kremtimi i natës ishte gati i detyrueshëm, nga që të krishterët nuk ishin të lirë të mblidheshin ditën; por më vonë kremtimi i natës filloi të merrte gjithnjë më tepër kuptim, duke u nisur nga pohimi i Ungjijve, që përshkruajnë zbulimin e Varrit të zbrazur “në agim të ditës së parë të javës” (Mt 28, 1); ‘Në të zbardhur të dritës’ (Mk. 16, 2; Lk 24, 1) ose thjeshtë ‘ në agim’ (Gjn. 20, 1). A nuk ishte Jezusi, ‘Drita e botës’, ardhur për të ndriçuar ata që ishin zhytur në errësirë? E pagëzimi, thua nuk e bën të krishterin të kalojë nga vdekja në jetë, duke e zhytur ritualisht e realisht në vdekjen e Krishtit, për ta bërë të rilindë në një jetë të re, së bashku me Të?
Sot, mjafton të përdorim një çelës për të pasur, në sajë të elektricitetit, të
gjitha burimet e dritës që dëshirojmë. Por dikur ndezja e qirinjve ishte një rit që
duhej kryer me doemos kur zbriste nata, rit që merrte pamje edhe më solemne kur ndizeshin
qindra drita, në sa përgatitej të fillonte festa. Kuptohet menjëherë se në natën e
madhe, të ndriçuar nga drita e Jezusit, ky gjest merrte një rëndësi të veçantë e bëhej
edhe më i ndritshëm nga lajmi gazmor i ngjalljes së Krishtit, kumtim nga i cili nis Exultet
- Himni i Pashkëve të Ngjalljes.
Natyrisht, që nga çasti kur nisi të ndiqej zakoni i shuarjes të të gjitha dritave
në mbrëmjen e të Enjtes së Madhe të Pashkëve, u pa e nevojshme të ndizej një zjarr
i ri për kremtimin e Natës së pagjumë të pritjes . Kështu lindi liturgjia e dritës,
do të thotë bekimi i zjarrit të ri dhe hyrja në kishën e kredhur në errësirë - e Qiririt
të Pashkëve, simbol i “Dritës së Krishtit të Gjall!”.
Liturgjia e Dritës
Kështu quhet pjesa e parë e kremtimit të Natës së Pashkëve. Në këtë kremtim, nuk është
në plan të parë fjala, por simbolizmi i sendeve dhe i gjesteve. Kremtimi nis me një
gjallëri që, më shumë se mendjen, prek zemrën e, prej saj, gjithë qenien njerëzore.
Nuk mjafton ta dëgjosh, por duhet edhe ta shikosh, për ta kuptuar thellësisht, përmes
simboleve, këtë realitet që fjalët e shpjegimet nuk mund të shprehin plotësisht.
Riti i dritës nuk ka lidhje me ndriçimin e mjedisit ku kremtohet, nuk është i lidhur
as me folklorin. Qëllimi i tij është të tërheqë vëmendjen e të gjithëve drejt ‘Dritës
së Krishtit’ që ngjallet plot lavdi’ dhe shpërndan ‘errësirën e zemrës e të shpirtit’.
Procesioni me qiri të ndezur na kujton shtegtimin e popullit të Zotit, të cilit nuk
i prin më, si Izraelit në shkretëtirë, një re e ndritshme, por Krishti lavdiplotë.
Ai shndrit çdo njeri që vjen në këtë botë. Drita e tij përhapet nga një besimtar tek
tjetri.
Në një Kishë ku ndrisin qindra flakëza qirinjsh, ndezur në flakën e Qiririt të Pashkëve,
nis kremtimi më i gjatë e më lirik i liturgjisë së krishterë. Ai i këndon “natës në
të cilën Krishti, duke këputur zinxhirët e vdekjes, ngrihet përsëri fitimtar nga varri”.
Është nata e hirit, “natë që bashkon qiellin me tokën, njeriun me Krijuesin e tij”.
Figura të guximshme e poetike ndjekin njëra-tjetrën, deri sa formojnë një këngë të
mrekullueshme, që shpreh gëzimin shpërthyes e shpresën e pamort të mbarë bijve të
Hyjit.
Liturgjia e Fjalës
Nata e Pashkëve vijon me Liturgjinë e Fjalës së Zotit, në të cilën një vend të jashtëzakonshëm
zënë leximet nga Besëlidhja e Vjetër. Kjo gjë nuk duhet të na çudisë. “Duhet të nisemi
pikërisht nga Moisiun e nga të gjithë profetët” për të kuptuar se “u desh që Mesia
t’i pësojë gjithë këto vuajtje e kështu të hynte në lumninë e vet” (Lk. 24, 26-27).
Zgjedhja e leximeve përkon me traditën e krishterë të Lindjes e të Perëndimit, duke
ripërtërirë edhe traditën hebraike.
- Katër leximet e para na kujtojnë “Katër netët e traditës hebraike”(Targum Palestineze,
shek. II para Krishtit).
Katër netët janë të shkruara në Librin e Kujtimeve.
- Nata e parë qe ajo, në të cilën Zoti iu dëftua botës për ta krijuar:
bota ishte e shkretë e tytë; errësira e mbulonte sipërfaqen e tokës (Gen 1, 2). Fjala
e Zotit ishte dritë e ndriçonte…
- Nata e dytë ishte ajo kur Zoti iu duk Abrahamit, njëqind vjeç e
Sarës, gruas së tij, nëntëdhjetë vjeçe (Gen 17, 17), që të përmbushej ajo që thotë
Shkrimi Shenjt: ‘Thua Abrahami, njëqind vjeç, mund të lindë akoma, e Sara, nëntëdhjetë
vjeçe, mund të nxjerrë në dritë një djalë?... E Izaku ishte tridhjetë e shtatë vjeç
kur qe vënë mbi altar për t’u flijuar…
- Nata e tretë qe kur Zoti u dëftua kundër egjiptianëve në mesin
e natës (Dal 12, 24; Urt. 18): dora e tij mbyti djemtë e parë të egjiptianëve dhe
e djathta e tij mbrojti të parëlindurit e Izraelit, që të përmbushej kështu fjala
e Shkrimit Shenjt: Izraeli është djali im i parë” (Dal. 4, 22) E e quajti nata e tretë.
- Nata e katërt do të jetë kur të arrijë fundi i botës. Zgjedha e
hekurt do të copëtohet e breznitë e mbrapshta do të zhduken. E Moisiu do të dalë nga
shkretëtira… është Nata e Pashkëve për emrin e Zotit: “natë e caktuar dhe e ruajtur
për shpëtimin e të gjitha breznive të Izraelit”.
Katër netët: ajo e krijimit të botës, e Flijimit nga ana e Abrahamit, e Daljes dhe
e Ardhjes së Mesisë.
Përsa u përket tre leximeve të tjera biblike të Natës së Pashkëve, ata tingëllojnë
në përkim me atmosferën e pagëzimit. Fragmenti i shkëputur nga Letra drejtuar Romakëve
(6,3b-11) na kujton pagëzimin, kalimin nga vdekja e mëkatit në jetën për Zotin. E,
së fundi, Ungjilli na çon pranë varrit të Zotit, që gratë e gjejnë të zbrazët në agim
të ditës së parë të javës. Aty marrin lajmin e parë të ngjalljes.
I ndjekim tekstet me bindjen se ‘ kjo fjalë e Shkrimit Shenjt - Biblës që kemi dëgjuar,
përmbushet për ne!’.
Liturgjia e Pagëzimit
Mund të kremtohet në dy mënyra:
- në mënyrën e parë, uji bekohet për pagëzimet që bëhen menjëherë ose gjatë kohës
së Pashkëve;
- në tjetrën, riti nuk parashikon pagëzime e megjithatë ujët bekohet e me të stërpiket
bashkësia, e cila përsëritë premtimet e pagëzimit.
Në të dy rastet Nata Pashkëve bëhet për gjithë të krishterët që marrin pjesë, si përvjetor
i pagëzimit të tyre, pavarësisht se kur e kanë marrë sakramentin.
Bekimi i ujit të pagëzimit na kujton çastet e mëdha të historisë së shëlbimit, në
të cilat ujët luajti një rol të dorës së parë: fillesën, kur Shpirti Shenjt ndikonte
në të forcën që shenjtëron; përmbytjen universale, në të cilën ujët simbolizonte vdekjen
për mëkatin dhe lindjen e një jete të re; kalimin e Detit të Kuq;
Pagëzimin e Jezusit Krishtin në Kryq: nga kraharori i tij i shporuar gurrojnë gjak
e ujë;
Së fundi, misionin e nxënësve që dërgohen për t’u predikuar Ungjillin të gjithë popujve
dhe për të pagëzuar.
Pagëzimi është një rit i thjeshtë, por që të bën të marrësh pjesë në të gjitha mrekullitë e shpalosura nga Zoti në historinë e shëlbimit. Nga viti në vit besimtarët kanë rastin të përtërijnë, së bashku me vëllezërit e motrat e tyre në fe, besojmën e gurrës së Pagëzimit.
Liturgjia Eukaristike:
“Krishti u Ngjall!” Brohoritja që jehon në terrin e natës së Pashkëve, arrin kulmin
në kremtimin eukaristik. Sigurisht është Eukaristia e çdo të diele, e çdo dite, por
këtë Natë, kur kemi rijetuar historinë e shëlbimit, e ndjejmë më fort se kurrë se
ajo është kënga e gjithësisë, lavdërimi pa fund i qiellit e i tokës.
E Shtuna e Madhe: 'Exultet’ - ‘Galdimi’ i Natës së Pashkëve:
O natë, më e ndritshme se dita.
Natë në të cilën dashuria
del nga terri.
Natë që çliron
Jezusin nga varri.
Natë më e bardhë se dëbora,
më e ndritshëm se drita e qirinjve,
më e kthjelltë se dita.
Nata më e ëmbël e qiellit.
Nata-roje e korpit të Krishtit,
natë kur Fryma e Zotit
tokën përshkon.
Natë që mbushet me yje,
natë e fitores,
që vdekjen e mund.
Më e ëmbla natë e qiellit.
Nata më e pasur me paqe.
Natë që fiton mbi botën e errët.
Natë e hirit që ndrit si lumnia.
Natë që josh historinë,
zemrën e përlyer që e kullon.
Nata më e pasur me paqe.
O natë, më e fortë se koha.
Natë e të Gjallit mbi univers.
Natë e fjalës
që mbush çdo heshtim.
Natë në të cilën Kisha
del në dritë.
Natë e ujit të gjallë,
pas ngricave dimërore.
O natë, ti më e fortë se koha”.
Natën e Pashkëve ndjehet fort atmosfera e Meshës së Mesnatës të Krishtlindjes. Edhe bashkësia është e njëjtë. E njëjtë edhe bukuria e liturgjisë që kremtohet në errësirën e natës. Janë të pranishëm të krishterët që duan të jetojnë në një hapësirë, në të cilën kremtohen të gjitha simbolet, lexohen të gjitha leximet, kryhen të gjitha gjestet e nevojshme për të rijetuar ngjarjen më të madhe të historisë së njerëzimit: Ngjalljen prej të vdekurve. Faleminderit Zotit, të krishterë të tillë nuk mungojnë. Ata sonte mbushin përplot Kishat në të katër anët e botës, për të dëgjuar, edhe një herë të parët, lajmin e madh: “Krishti u ngjall! Krishti është ndërmjet nesh! E atëherë luten:
“Jezus i kryqëzuar e i ngjallur, rri me ne!
Rri me ne, mik besnik e mbështetje e sigurt
e njerëzimit në shtegtim nëpër rrugët e botës!
Ti, Fjalë e gjallë e Atit,
jepu shpresë e besim atyre që e kërkojnë
kuptimin e vërtetë të jetës së tyre.
Ti, Bukë e jetës së pasosur, ushqeje njeriun
e uritur për vërtetësi, për liri, për drejtësi, për paqe.
Rri me ne, Fjalë e gjallë e Atit,
mësona fjalë e gjeste paqeje:
paqe për tokën e shuguruar nga gjaku yt;
paqe për Vendet e Lindjes së Mesme e të Afrikës,
ku vijon të rrjedhë gjaku rrëké:
paqe për mbarë njerëzimin, mbi të cilin varet përherë
rreziku i luftërave vëllavrasëse”.
Krishti kërkon drejtësi e solidaritet bujar për masat njerëzore që edhe sot vuajnë
e vdesin nga mjerimi e nga uria, të dhjetuara prej epidemive vdekjeprurëse e të thyera
më dysh nën peshën e katastrofave natyrore. Nëpër forcën e Ngjalljes së Zotit, qofshin
edhe ata pjesëtarë të një jete të re.
“Edhe ne, burrat e gratë e mijëvjeçarit të tretë,
kemi nevojë për ty, o Zot i ngjallur!
Rri me ne deri në fund të kohëve.
Bëj që progresi material i popujve
të mos i errësojë kurrë vlerat shpirtërore
që janë shpirti i qytetërimeve të tyre.
Na ndihmo, të lutemi, në shtegtimin tonë.
Besojmë në Ty, në Ty shpresojmë, sepse vetëm ti ke fjalët jete të pasosur…”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |