2018-03-29 13:39:00

Papa: të jeni priftërinj rruge, afërsia është çelësi i ungjillëzimit


Papa Françesku kremtoi sot Meshën Shenjte të Bagmit, në Bazilikën e Vatikanit. Prej altarit të kësaj Meshe, nga më prekëset e gjithë Vitit Liturgjik, i ftoi të gjithë meshtarët të jenë përherë pranë grave dhe burrave të kohëve tona, sepse afërsia është çelësi i vërtetësisë dhe i transmetimit të Fjalës së Zotit.

“Prifti i rrugës”, meshtari “që ecën në mes të njerëzve të tij, me afërsinë dhe dhembshurinë e Bariut të Mirë”, e ndihmon Jezusin të jetë i pranishëm në jetën e njerëzimit e jo i burgosur  “në planin e ideve”,  i mbyllur në shkronjat e shtypit, i mishëruar gjithnjë më shumë në ndonjë zakon të mirë, që pak nga pak vjen e bëhet i përditshëm. Kjo, thënë përmbledhtas, homelia, që mbajti Papa Françesku në Meshën e Bagmit, kremtuar në Bazilikën e Vatikanit. Është e Enjtja e Madhe! Ditë, kur priftërinjtë përsërisin premtimet meshtarake. Prej këndej, Papa  theksoi fort rëndësinë e afërsisë. E i porositi meshtarët të jenë pranë Zotit në lutje e pranë njerëzve, në jetën e përditshme. Eshtë pikërisht afërsia, “çelësi i ungjillëzimit”- ngulmoi - “çelësi e së vërtetës”.

Ruhuni nga “e vërteta-idhull”.

Papa Bergoglio tërhoqi posaçërisht vëmendjen për t’u ruajtur nga tundimi, që të shtyn “t’i bësh idhuj” disa të vërteta abstrakte, “idhuj komodë”, që të japin një farë prestigji e pushteti e, ç’është më keq, që nuk njihen aq lehtë. E “vërteta-idhull”, maskohet, i përdor fjalët ungjillore si petk, por nuk arrin kurrë t’i prekë zemrat. E kjo i largon njerëzit e thjeshtë nga afërsia shëruese e Fjalës së Zotit dhe e Sakramenteve të Jezusit. E vërteta është edhe besnikëri. E kjo të mundëson t’i shikosh njerëzit, para se t’i klasifikosh ose të përcaktosh gjendjen e tyre, në një shoqëri ku përhapet gjithnjë më shumë “kultura e nofkës”.  

Maria, Zoja e afërsisë

Besimtarëve të shumtë, që e kishin mbushur përplot Bazilikën, Papa u kërkoi t’ia ngulin mirë sytë shembullit të Marisë, “Zojës së afërsisë”. “Nëna qiellore është gjithnjë pranë”, gjithnjë gati për të shërbyer me kujdes. Gati për të folur fjalë ngushëllimi. Gati për të qenë përherë atje, ku “gatuhen’gjërat e rëndësishme, ato që vlejnë me të vërtetë për çdo zemër, për çdo familje, për çdo kulturë”. Ja, pra, pse Fjalët e Marisë, shqiptuar në Kanë të Galilesë: “Bëni gjithçka t’ju thotë Ai!” - duhet të jehojnë në mënyrë të veçantë në tre drejtime të afërsisë meshtarake: “në drejtimin e shoqërimit shpirtëror; në atë të Rrëfimit e në atë të predikimit”.

Afërsi në jetën e përditshme

Afërsia në dialogun shpirtëror, “duke kundruar takimin e Zotit me samaritanen” krijon mundësinë “të dalë në dritë mëkati”; “afërsia në Rrëfim”, në hullinë e gruas së pabesë”, të mundëson ta shikosh mëkatarin në sy, duke i treguar horizontin e së ardhmes, e jo atë të së kaluarës; e, së fundi, “drejtimi i rrëfimit”. Të meditojmë për të - saktësoi Françesku - duke menduar për ata, që janë larg, e ta bëjmë këtë duke dëgjuar më parë predikimin e Pjetrit, homelinë, që është guri i krahasimit për ta vlerësuar afërsinë dhe aftësinë e takimit të Bariut me popullin e vet.

Priftërinj rruge

Mesharët duhet të jenë pranë Zotit e njerëzve. Nëse ndjehen larg Zotit, duke iu afruar popullit  të tij, do të shërohen nga “ideologjitë”, që ua kanë vakur zellin. Në të kundërtën, po të ndjehen larg njerëzve, duke iu afruar  Zotit, Fjalës së Tij, mund të mësohen t’i shikojnë ata si Jezusi, duke e kuptuar “sa vlen para syve të Tij çdonjëri prej atyre, për të cilët derdhi gjakun mbi kryq”.

Bekimi i vajrave e shugurimi i Bagmit

Një nga çastet e forta të kremtimit, ishte ai i bekimit të vajrave dhe i shugurimit të Bagmit, paraprirë nga procesioni i tri tryezave lëvizëse, me ngjyra të ndryshme, sipas vajit që përmbante ena: e para, e bardhë, për vajin e të sëmurëve; e dyta, ngjyrë vjollce, për vajin e katekumenëve, e treta, e kuqe, për bagmin. Papa u përkul mbi enën, që përmbante Bagmin Shenjt dhe shqiptoi lutjen, duke bekuar edhe vajrat për mbarështimin e  sakramenteve gjatë gjithë vitit.








All the contents on this site are copyrighted ©.