2018-03-28 11:31:00

85 vetë arritën sot e dje nga Siria, në Itali, në sajë të Korridoreve Humanitare


Një fluturim i ri sot, solli në Itali 47 sirianë, që i shtohen 42 të tjerëve, ardhur dje. Gjithsejt, në dy ditë, 85 vetë.

Xhelali, në Itali prej 20 vjetësh, punëtor, i martuar me një italiane, me të cilën ka një vajzë, dje mundi të përqafojë nënën Maxhide, banore e një fshati pranë Idlib, ardhur me avion, nga Libani, në Aeroportin Fiumicino. Rima,  së cilës në Bagdad iu desh të ndërronte tri shtëpi, për shkak të bombardimeve, rroku, pas dy vjetësh e gjysëm, motrën Ranja. Me të ishin edhe 41 vetë të tjerë që, falë korridoreve humanitare, arritën të sigurt në Itali, pa rënë në dorë të trafikantëve dhe pa kalime të rrezikshme të Detit Mesdhe, kthyer në varrezë vigane njerëzish, nisur nga vise të mjera, ku nuk mund të jetohet më për njëmijë arsye, e të kalbur pa varr në fund të detit. Të mbytur, që të kujtojnë se njeriu ka vetëm një jetë. Se nuk dëshironin ta bëjë shkallë për t’u ngjitur në  majet e pushtetit njerëz të padenjë. Që nuk janë në gjendje t’u sigurojnë popujve të tyre paqe, punë, bukë, shëndet, arsim e t’u plotësojnë shumë e shumë dëshira të tjera të ligjshme. Prandaj ikin njerëzit nga plangu i tyre. Pse dëshirojnë një jetë më të mirë. E sidomos, më të lirë!

Një fluturim i ri sot

Sot arritën edhe 47 emigrantë e refugjatë të tjerë, në sajë të projektit realizuar dhe vetëfinancuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, Federata e Kishave Ungjillore dhe Tryeza valdeze, në bashkëpunim me Ministrinë italiane të Punëve të Jashtme e asaj të Brendshme. Një model strehimi në Evropë, në të cilin bëjnë pjesë edhe Franca e Belgjika.

Parashikohen njëmijë arritje të tjera, brenda 2019-tës

Të ardhur në Itali me viza për shkaqe humanitare, emigrantët do të strehohen në familje e struktura, në të gjithë territorin italian. Deri tani kanë arritur më se njëmijë refugjatë e, në bazë të protokollit të marrëveshjes me qeverinë, edhe njëmijë të tjerë do të vijnë në Itali brenda vitit 2019.








All the contents on this site are copyrighted ©.