2018-03-27 16:43:00

Nga Buenos Ajres në Romë, libri “Françesku, papa amerikan”


Papa Françesku është Papa i parë amerikan në historinë e Kishës dhe i pari, që ka zgjedhur emrin e Françeskut. Dy elemente, që hapin një horizont të ri, në të cilin gjejnë shpjegimin fjalë e gjeste, nganjëherë të papritura, të këtyre 5 viteve të para të papnisë.

Rrënjët e Françeskut në Argjentinë

         Por Françesku nuk improvizon, frymëzohet nga rrënjët e meshtarit, jezuitit, ipeshkvit e së fundi, kardinalit të Buenos Ajresit, Jorge Mario Bergoglio. Duhet shkuar në atë qytet argjentinas, larg nga Roma, për të kuptuar me fund kujdesin e tij të menjëhershëm për të varfërit, këmbënguljen në Mëshirën Hyjnore, udhëtimet e para, vendimin për të banuar në Shtëpinë e Shën Martës.

         Këtë e shumë të tjera përshkruan libri “Françesku, një papë amerikan”, shkruar nga gazetarja italo-argjentinase e së përditshmes vatikanase “L’Osservatore Romano”, Silvina Perez. Faqe, që fillojnë me vitet e diktaturës në Argjentinë e me vendimin e atë Bergoglio-s për “të vepruar në hije që të shpëtoheshin sa më shumë njerëz”.

Vitet e krizës dhe varfëria

         E pastaj, vitet e krizës së rëndë politike, shoqërore dhe ekonomike, në fillim të 2000-shit, që e zhyti popullin në varfëri. Përshkruhet afërsia e ipeshkvit me njerëzit, vizitat në lagjet më të mjera, jo vetëm për të çuar aty Krishtin, por për ta takuar Zotin në të varfërit, siç kujton në parathënie, drejtori i gazetës “L’Osservatore Romano”, Gian Maria Vian. Vihet në dukje dokumenti kishtar i Aparesidës, ku përvijohet ideja latinoamerikane për Kishën, që më pas, Papa Françesku do ta quajë “spital fushor”. Aty, sipas autores Silvina Perez, shihen edhe përparësitë aktuale të Papës: primati i Hirit të Tënzot, mëshira, guximi apostolik, Kisha që nuk jep thjesht rregulla për fenë, por e bën të lehtë atë për të gjithë, pasi ajo vetë dhurohet për të gjithë.

5 vitet e para si Papë

         Nga Bergoglio tek Françesku: ndërhyn në këtë pjesë të librit autorja tjetër e tij, shkrimtarja dhe historiania italiane, Lucetta Scaraffia, e cila reflekton mbi 5 vitet e para të papnisë. “Përdorimi i termit ‘të varfërit’ – shkruan ajo – donte të thoshte të kthehej vëmendja e botës drejt njerëzve me mish e gjak, që vuajnë këtu e sot”. Të gjithë menduan për periferitë e qyteteve të Amerikës Latine, kur e dëgjuan të fliste kështu. E më pas, udhëtimet ndërkombëtare, kujdesi për familjet, reflektimet mbi rolin e grave në Kishë, dialogu me fetë e tjera e me besimet e tjera të krishtera: edhe ky është Bergoglio, që u bë Papa Françesku.

Françesku, Papë misionar

         “Nëse duhet zgjedhur një fjalë për ta përshkruar Papën Bergoglio – pohon drejtori Vian – do të thosha se Papa është ‘misionar’ me një qëllim të vetëm: t’i çojë të gjithë tek Jezusi. E tha qartë këtë më 9 mars 2013, kur, kardinajve të mbledhur në Konklav, u përshkroi Papën e ri që duhej zgjedhur, i cili, pas katër ditësh, ishte ai vetë. Njeri, që e ndihmon Kishën ‘të dalë’ për të kumtuar Ungjillin. Pastaj, ndoshta, edhe njeriu që, si shën Gjon Pali II, ndihmon për shembjen e mureve ndërmjet Lindjes e Perëndimit, ndërmjet Veriut e Jugut të botës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.