2018-03-27 15:49:00

Francë: Beltram, hero i Trèbes, dhuroi vetveten për të shpëtuar të tjerët


Në një telegram ngushëllimi për viktimat e atentatit terrorist të së premtes së kaluar në rajonin Carcassone e Trèbes, në Jug të Francës, Papa Françesku lavdëroi në mënyrë të veçantë “gjestin fisnik të nën-kolonelit hero të xhandarmërisë, Arnaud Beltrame, që dhuroi vetveten, për të shpëtuar njerëz të tjerë”. Nën-koloneli i armës së policisë vdiq  mëngjesin e së shtunës, për shkak të plagëve që mori, pasi pranoi të mbetej peng i terroristit xhihadist të Aude, një natë më parë, duke zëvendësuar një nga pengjet e supermerkatit të Trèbes. I lindur në një familje pak praktikante, Arnaud Beltrame pati jetuar një kthim të vërtetë në rrugën e Zotit dhjetë vjet më parë, kur u përgatit për Sakramentin e Martesës me të fejuarën e tij, Marielle. Mbi kuptimin e flijimit sot e të dhurimit të vetvetes, parë në lidhje me gjestin e Arnaud Beltrame, të dëgjojmë komentin e Martin Steffens, filozof i ri katolik francez:

“Besoj se flijimi imponon respekt: jemi para një ngjarjeje, që na shtyn ta pyesim veten: “Po ne, a do të ishim të aftë për një gjest të tillë?”. E pikërisht kjo të ngjall respekt, sepse flijimi ka në vetvete diçka interesante, paradoksale, mbasi nuk ka moral në botë, që mund të ta imponojë. Asnjë lloj morali nuk mund të të thotë: “Flijoju!”.

Megjithatë,  flijimi  ngjall shumë admirim…

E dimë se në rrjedhë të historisë janë bërë një mori flijimesh… Ashtu si e dimë se çdo moral bazohet mbi aftësinë e individit për t’u flijuar, për të kryer një veprim,  përmes të cilit realizon diçka shumë më të madhe, sesa vetvetja. Flijimi  nuk mund të imponohet moralisht, por është akt moral në shkallën më të lartë, që ngjall gjithnjë admirim, duke treguar burimin e çdo morali, që është dashuria për jetën, një dashuri e tillë, që të mëson edhe të japësh jetën tënde, për një jetë tjetër.  E duhet kujtuar se flijmi është e kundërta e vrasjes. Nga njëra anë është një njeri, i cili ta merr jetën, nga tjera, njeriu, që ta dhuron. E në këtë rast flijimi i kundërvihet marrëzisë të së keqes. Përmes flijimit, fjalën e fundit nuk e thotë e keqja, por e mira. Në Mundimet e Krishtit, e keqja shfren tërbimin e vet kundër Birit të Zotit, që duket i braktisur përballë goditjeve të saj; e pra, çdo goditje është dëshmi e dashurisë së Zotit për njerëzimin. E njëjta gjë ndodh pak a shumë edhe me flijimin e Arnaud Beltrame.

A duhet ta shohim dhurimin e vetvetes si koncept, që sot duket i humbur?

Pyetje e bukur… nuk e di në se e kemi humbur; mund të them vetëm se e kemi humbur nga sytë; sepse bota nuk do të mund të qëndronte në këmbë, pa flijimet  e fshehta, intime, që kryejnë njerëzit çdo ditë. Duke nisur nga një nënë, që pret ferishten e që, duke nxjerrë në dritë një njeri, flijon vetveten…. Për të shkuar, pastaj, deri te fundi, te vdekja, në këtë rast, te flijimi i një jete për një jetë tjetër.








All the contents on this site are copyrighted ©.