2018-03-26 15:06:00

Telegram i Papës për zjarrin e rënë në Siberi


Në mesazhin e tij, Papa kujton viktimat, ndërmjet të cilave, shumë fëmijë, që humbën jetën gjatë zjarrit të rënë dhe u jep bekimin e tij për paqe e ngushëllim. Më se 60 viktima, deri në këto çaste.

Thellësisht i trishtuar, sapo e mori mandatën, që goditi kompleksin tregtar “Qershia dimërore”, në Kemerovo, qytet industrial i Siberisë, Papa i bëri ngushëllimet më të ndjera të gjithë atyre, që u dëmtuan nga tragjedia. Françesku ia beson të vdekurit dashurisë përdëllyese të Atit të gjithëpushtetshëm, duke siguruar se lutet për gjithë ata, që humbën të dashurit. Shpirtërisht shumë pranë autoriteteve dhe personelit të emergjencës, që asistojnë të plagosurit e vijojnë kërkimin e të humburve, Papa Françesku i lutet Zotit t’u japë bekim, paqe e ngushëllim.

Zjarri në Kemerovo

Vetëm 16 viktima janë identifikuar, ndërsa për të tjerat do të jetë e nevojshme analiza e ADN-së. Asnjë lajm për të plagosurit. Ndërkaq - sipas Agjencisë Sir- është ende në flakë një sallë kinematografike, ku zjarrfikësit nuk kanë mundur ende të hyjnë. Në mjetet e komunikimit buçet  lajmi,  i pakonfirmuar nga burimet e shtypit, sipas të cilit në sallat u dogjën më se 60 fëmijë, mbasi roja i kishte mbyllur portat, që të mos dilnin nëpër korridore. Ndërkaq në fotot e videot duken shtëllungat e tymit, që dalin nga qendra e zjarrfikësve, në kulmin e angazhimit.  Ria Novosti, që e ndjek drejtpërdrejtë situatën,  boton fotografi të mjekëve rreth një fëmije, i hedhur nga kati i katërt për të shpëtuar nga flakët, që bashkë me fëmijët, dogjën edhe kafshët e parkut zoologjik.

Nuk funksionoi sistemi kundër zjarrit

Gjithnjë nga Ria, vjen lajmi sipas të cilit asnjë sistem alarmi nuk funksionoi, për të dhënë kushtrimin lidhur me zjarrin e rënë. Qytetarët janë në radhë, në Qendrën transfuzionale rajonale të Kemerovos, për të dhuruar gjak. Dhuruesit Rh- janë të parët në radhë – lexohet në mjetet e komunikimit. Ndërkaq guvernatori i rajonit shpalli tri ditë zije qytetare, duke nisur që nesër dhe njoftoi se familjet e viktimave do të marrin një shpërblim prej një milion rublash.  








All the contents on this site are copyrighted ©.