2018-03-26 13:38:00

Papa Inspektoriatit: kontribut i çmuar në misionin e Kishës


Prani vigjilente dhe e urtë, që e mbështet Ipeshkvin e Romës në shërbesën e tij. Papa, sipas traditës, duke u takuar në Sallën Klementine me drejtuesit dhe personelin e Inspektoriatit  të Sigurimit Publik pranë Vatikanit, i falënderoi, duke shprehur besimin se mund të mbështetet në bashkëpunimin e tyre të çmuar, në raste të shumta e të ndryshme.

Prani vigjilente

Ju falënderoj për praninë tuaj vigjilente, për asistencën gjatë kremtimeve të riteve liturgjike dhe të manifestimeve të shumta, që organizohen në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe në  të katër anët e Qytetit të Vatikanit - kujtoi Ati i Shenjtë. -  Papa dhe bashkëpunëtorët e tij e dinë se mund të mbështeten mbi  bashkëpunimin tuaj  gjatë vizitave baritore në famullitë dhe në institucionet civile e kishtare të Romës, ashtu si dhe në rastet  e vizitave baritore në Itali.

Mbikqyrje e urtë

Një meritë tjetër e njerëzve të Inspektoriatit, është se sigurojnë një mbikqyrje të urtë dhe të frytshme për mijëra shtegtarët, që vijnë çdo ditë të vizitojnë Varrin e Shën Pjetrit, duke jetuar, kështu, qetësisht, një përvojë të fortë feje. Shërbim, ky, që e thith çdo ditë limfën nga ideale civile e njerëzore, karakteristike për anëtarët  e Policisë italiane, por sidomos, nga e vërteta e përhershme e Ungjillit.

Kontribut për misionin e Kishës

Kushtet e veçanta, në të cilat e kryeni misionin tuaj, ju ndihmojnë ta forconi përkushtimin profesional, duke u mbështetur mbi mësimet e Ungjillit. E duke i dëshmuar në veprimtarinë tuaj, vlerat njerëzore e shpirtërore, tipike për krishterimin, ju mund të jepni kontributin tuaj edhe në misionin e Kishës.

Rregull e dialog

Françesku nënvizoi  edhe se Vatikani është cak jo vetëm për të krishterët e ardhur nga të katër anët e botës, por edhe për përfaqësues të feve të tjera, udhëheqës shtetesh dhe personalitete kishtare e civile, që vijnë në Romë për t’u takuar me Papën e që, falë edhe punës së Inspektoriatit, thithin frymën e qetësisë e të dialogut,

Edhe në sajë të veprimtarisë suaj, këto takime dialogu e vizita në dëshmitë e  kuturës dhe të fesë, që ruhen në Qytetin e Vatikanit, mund të zhvillohen me qetësi e rregull.

Audienca ishte rast për shkëmbimin e urimeve ndërmjet Françeskut e Inspektoriatit me rastin e Pashkëve. Papa ia besoi secilin nga të pranishmit dhe familjet e tyre, mbrojtjes së Marisë:

“Ajo ju mbrojtët e i mirëpritët ndjetet tuaja, duke ia paraqitur Birit të saj e jua ndihmoftë edhe familjet, që kanë aq shumë rëndësi për ju!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.