2018-03-26 12:33:00

Në tekstet e Udhës së Kryqit në Koloseum, shpirti i të rinjve të sotëm


“Të shoh, Jezus, kurorëzuar me ferra, thyer më dysh nga barra e Kryqit, ndërsa bie për të tretën herë, i zhveshur nga gjithçka”. Kështu nis takimi personal me Krishtin, që liceistat dhe universitarët e rinj, autorë të meditimeve të Udhës së Kryqit të së Premtes së Madhe 2018, në Koloseum, të kryesuar nga profesor Andrea Monda, e tregojnë në 14 Stacionet. Si të ishin aty, mes turmës, dëshmitarë pamorë, në atë Jeruzalem të më se dymjë vjetëve më parë, Valeria, Maria, Margerita, Anjeza, Kjara, Françesco, Greta e të tjerë përshkruajnë hapat e Jezusit drejt Kalvarit, secili pranë Zotit në të gjitha çastet e Mundimeve. Dhe e bëjnë me çiltërsinë e moshës, përmes një bisede sy më sy me Krishtin e duke shikuar njëkohësisht, brenda shpirtit të tyre, duke e shikuar vetën si pjesë të atij njerëzimi, që e dënoi, e talli, e përbuzi, e gozhdoi.

14 Stacionet projektohen në ditët tona

Të rinjtë e profesor Mondës i menduan stacionet si përvojë të jetuar, si ngjarje që ndodh në ditët tona, mes nesh. E kështu, Jezusi, që e pranon kryqin, është Ai nga i cili duhet mësuar për ta mbartur çdo barrë deri në fund. Sa herë u rebelova e u zemërova kundër çdo  peshe, që m’u ngarkua mbi supe, e m’u duk e rëndë dhe e padrejtë. Po ti nuk bën kështu - shkruajnë Maria Tagliaferri e Agnese Brunetti, dy autoret  e Stacionit II, duke iu drejtuar Krishtit - je i ëmbël dhe e merr seriozisht  çka të ngarkon jeta. Ndërsa Jezusi i rrëzuar për herë të parë, në Stacionin III, nëse nga njëra anë të bën të reflektosh mbi poshtërimin, që pësoi, nga ana tjetër të lë të kuptosh se mund të ngrihesh përsëri. “Edhe kur feja lëkundet e idetë shemben, dështimet e rrëzimet nuk duhet të na ndalojnë kurrë në udhën tonë”, e kemi gjithnjë mundësinë të shtangemi përdhe, ose të ngrihemi përsëri në këmbë, me Krishtin, pas Zotit. Episodi i Simon Kireneut është shembull i një takimi të papritur, ku fshihet mundësia për të dashur, për të pranuar ç’ka më të mirë i afërmi, edhe kur të duket ndryshe.

Në meditimet, shpirti i autorëve të rinj

Të hyjnë menjëherë në shpirt, meditimet e sivjetme. Dëshmojnë aftësinë e të rinjve të sotëm për të shikuar brenda vetes, për ta vënë vetveten në diskutim, për të  ecur në gjurmët e Krishtit.  Ndjehet shumë kjo në Stacionin VII, ku jehon lutja: “Na e jep hirin që ne, të rinjtë, të mund t’ua çojmë të gjithëve mesazhin e përvujtërisë e që breznitë e ardhshme t’ia ngulin sytë kryqit Tënd e të mund ta kuptojnë dashurinë tënde të pafund!”.

Ti flet përherë përvujtërisht e di të hysh drejt në zemër

Breznitë e reja shprehin edhe dëshirën për të dëgjuar fjalët, që Jezusi ua thotë grave të Jeruzalemit. Fjalë, për ta, me kuptim të thellë. Komenti i Stacionit VIII i quan “Fjalë të drejtpërdrejta”, të cilat “në fillim mund të duken të ashpra, të rrepta, sepse thellësisht të sinqerta. Fjalë, që i bëjnë të rinjtë të shikojnë sa kryqin, aq vetveten. Vetveten, që jeton në një botë, ku fjalët nuk e shprehin, por e fshehin mendimin, ku hipokrizia, e maskuar, e kullon nëpër filtra të hollë fjalën, para se ta nxjerrë nga goja. Vetveten, që jeton në mjedise, ku qortimet tingëllojnë keq e tjetri braktiset pa asnjë keqardhje në fatin e vet, pa çarë fare kokën vuan  a gëzon!  Kështu mendojnë të rinjtë, ndërsa dëgjojnë Jezusin, që flet. U flet grave si atë, edhe kur i qorton. Fjalët e Tij janë vetë e vërteta; janë dritë, që ndriçon udhën e jetës. E edhe e korrigjon, kur është e shtrembër.

Emigrantët sot mundohen si Krishti.

Në Mundimet e Krishtit, të rinjtë e zgjedhur nga profesor Monda, prekin edhe varrët e bashkëkohasve e, në Jezusin e zhveshur e të munduar, shikojnë një të ri emigrant, me trupin e shkatërruar, që arrin në një tokë shpesh mizore, të gatshme për t’ia hequr edhe atij petkun e shtatit, e vetmja e mirë, që i mbeti, e për ta lënë vetëm me kryqin e tij, si kryqi i Krishtit; vetëm me lëkurën e tij të martirizuar, si lëkura e Zotit, vetëm me sytë e zmadhuar nga dhimbja, si sytë e Jezusit në udhën e mundimeve. Po është diçka, që njerëzit e harrojnë shpesh - shton Greta Giglio, autore e Stacionit X – harrojnë dinjitetin, që ndodhet nën lëkurën tënde, është pjesë e jotja, do të jetë me ty, e akoma më shumë në këtë çast, në këtë lakuriqësi të frikshme. Prekës, edhe reflektimi përfundimtar mbi episodin ungjillor, në të cilin Krishtit ia zhveshin e ia rrëmbejnë mantelin, duke e lënë picak. “Të shikoj, o Zot - shkruan autorja - dhe e kuptoj menjëherë madhështinë dhe shkëlqimin e dinjitetit tënd, dinjitet i çdo njeriu, të cilin s’ka burrë në botë që mund ta shlyejë. Sepse, dhuratë, që na e bëre Ti vetë, nëpër lakuriqësinë tënde, varrët tua, Kryqin tënd!

Jezusi në epokën e internetit

Në meditimet e kësaj Udhe Kryqi është edhe jeta e përditshme e të rinjve, që dëshmon se gjithçka bëri Jezusi dymijë vjet më parë, mbetet mësim për të gjitha kohët. Edhe për kohët, që e quajnë veten moderne. Krishti pati forcën ta mbartë barrën e rëndë të Kryqit! Krishti duroi peshën e mosbesimit të njerëzve! Zoti pranoi dënimin e padrejtë, vetëm pse fjala e Tij e drejtë ia prishte rehatin të pushteshmit të padrejtë! Ndërsa ne - shfren Greta Sandri, e reja, që komentoi Stacionin XI - nuk mund  të durojmë as kritikën më të vogël. E na duket se çdo fjalë, që na drejtohet, del nga goja e tjetrit si plumb pushke, për të na plagosur e shpesh edhe për të na vrarë! Ndërsa Jezusi pranoi të gozhdohej mbi Kryq, pa u ndalur as përballë vdekjes, sepse besonte në misionin e Tij e, sidomos, kishte besim të patundur në Atin.  “Sot, në botën internetit, kushtëzohemi nga gjithçka që del nga rrjeti. Deri në atë pikë, sa shpesh dyshojmë edhe në fjalët tona, në mendimet tona” - rrëfen një nga autoret e meditimeve - Po fjalët Tua – vijon, duke iu drejtuar Krishtit të kryqëzuar -  ndryshojnë nga tonat, janë të fuqishme, në ligështinë tënde. Ti na fale, nuk na mbajte mëri… Ndërsa unë shikoj rreth e rreth e vërej sy të ngulur mbi ekranin e telefonit, të angazhuar në rrjet, gjithë vëmendje për të kapur çdo gabim të tjetrit, pa u shkuar as nëpër mend për ta falur. Vërej njerëz, që tërbohen po t’i prekësh edhe me pupël, që çirren e urrehen për  arsye krejt të kota! Ku mund ta gjejmë ilaçin për gjithë këtë shëmtim, o Zot, që e munde shëmtimin me Kryqin tënd? Vetëm duke qenë gjithnjë pranë Teje e duke u zhveshur nga gjithçka, si u zhveshe Ti!

Zoti është në thellësi të çdo njeriu  

E pastaj, të rinjtë, që besojnë në jetën, provojnë shijen e hidhur të vdekjes! Jezusi, që vdes mbi kryq, shkakton habi e frikë. Instinkti i shtyn t’ua mbathim këmbëve, të ikin nga fronti i vuajtjes, i vdekjes. Nuk duam të vuajmë - pohojnë ndershmërisht. - Aq më pak, të vdesim. Na pëlqen të shikojmë gjetiu, t’i mbyllim sytë. Ndërsa Ti - komenton Dante Monda, autor i Stacionit XII, duke iu drejtuar Krishtit -  rri mbi kryq e na pret me krahë hapur, duke na i çelur sytë, me sytë e tu, që duket sikur i mbylli vdekja. Ç’mister i madh, Jezus: na do, duke vdekur,  duke qenë i braktisur, duke dhënë shpirt, duke kryer vullnetin e Atit. Ti rri mbi kryq, e kjo mjafton - vijon meditimi - nuk provon të na shpjegosh misterin e vdekjes, të fundit të të gjitha sendeve. Bën më shumë se kaq: e përshkon tej e ndanë këtë mister, me gjithë korpin tënd, me gjithë shpirtin!

Ti je brenda meje, nuk duhet të dal e të të kërkoj

Misteri i vdekjes, që “vijon të na trazojë e të na shqetësojë”, na sfidon, na fton t’i hapim mirë sytë, të dimë ta shikojmë dashurinë e Zotit edhe në vdekje – kujtojnë të rinjtë që, së fundi, arrijnë pranë varrit të hapur! E nuk mund të përmbahen pa pyetur: “Ku shkove, Jezus? Sigurisht jo nën dhe, por në honet e njeriut. Në shpirtin tonë, ku të zihet fryma nga ankthet e frika, brenda nesh, njerëz që duam të ikim sa më larg varrit! Po ti je brenda meje – e përfundon Stacionin XIV Marta Croppo - duke menduar pikërisht si Shën Agostini.

Ku shkove, Jezus? Ku zbrite, nëse jo në thellësitë e tokës? Ku, nëse jo në varrin ende të paprekur, në qelinë e ngushtë? U zure në leqet tona, u burgose në trishtimin tonë: ece si ne mbi dhe, e tani, porsi ne, zbret nën dhe. Do të desha të vrapoj larg, po brenda meje je Ti; nuk duhet të dal e të të kërkoj, sepse mbi portën time je Ti që troket!

Ndihmona të pushojmë në Ty

Të lutem, o Zot, që s’ je dukur ende në lumni,

që je në heshtjen e një nate të errët,

Ti, që nuk shikon në sipërfaqe,

po sheh në sekret

e hyn në fshehtësi

e në fshehtësi dëgjon zërin tonë;

na e jep hirin që, të lodhur e të këputur,

të pushojmë në Ty!

Ta njohim në Ty, natyrën tonë;

të shikojmë në dashurinë

e fytyrës sate të përgjumur

bukurinë tonë të humbur!








All the contents on this site are copyrighted ©.