2018-03-25 13:17:00

Papa të rinjve: brohoriteni gëzimin e Krishtit, që bota e ka humbur


Jezusi hyn në Jeruzalem nga Mali i Ullinjve, i rrethuar nga turma, që brohoret: është preludi festiv i Pashkëve, përmbushja e misterit të vdekjes e Ngjalljes së Krishtit. Kjo, atmosfera, që jetoi sot Kisha në liturgjinë solemne, hapur me procesionin e bekimit të palmave e ullinjve. Papa i priu tek këmbët e Obeliskut, pastaj në tremen e Bazilikës, nësa Sheshi i Shën Pjetrit, i ndriçuar nga dielli pranveror i ditëve të fundit të marsit, tundej nga brohoritja e besimtarëve, ardhur nga mbarë bota e, sidomos, të rinjve, të cilët kremtojnë Ditën e 33-të Botërore të Rinisë në nivel dioqezan.

Kundërshtitë e njeriut të sotëm

Duke u nisur pikërisht nga hyrja ngadhënjimtare e Jezusit, Françesku, që sot qe veshur me petkat e dhuruara nga refugjatët e Pakistanit - i ftoi besimtarët, në homeli, të reflektojnë mbi Liturgjinë e kësaj së Dieleje, që bashkon në një “gëzimin dhe festën” e popullit, me “shijen e hidhur e të dhimbshme” të rrëfimit mbi Mundimet e Krishtit. Në këtë rrëfim - vërejti Papa - dalin në pah lakuriq “ndjenja e kundërshti”, që shpesh i shikojmë edhe në jetën e burrave e grave të sotme.

Të aftë për të dashur shumë…e për të urryer - edhe më shumë; të aftë për flijime guximtare, por edhe për të larë duart në çastin e duhur; të aftë për besnikëri, por edhe për braktisje të mëdha e tradhti të mëdha!  E  duket qartë në gjithë tregimin ungjillor se gëzimi, i shkaktuar nga Jezusi, ngacmon shumëkënd, ia prish shumëkujt rehatin!

Gëzimi, që ngjall Jezusi, bezdis

 Njerëzit, të cilët galdojnë rreth Krishtit - shpjegoi Françesku - janë ata, që gjetën në Të “besim”, “dinjitet”, “falje”, “shpresë” , që e provuan mëshirën e Tij e mund të bërtasin në kupë të qiellit: “Bekuar ai, që vjen në emër të Zotit”. Kështu për ta, por jo për të gjithë:

“Kjo britmë ngazëllimi është e padëshiruar, absurde, shkandulluese për ata, që e mbajnë veten të drejtë e besnikë të ligjit e të rregullave rituale. Gëzim i padurueshëm, për ata,  që  nuk preken fare përballë dhimbjes, vuajtjes, mjerimit. E shumë prej tyre mendojnë: “Pa shih, ç’popull i pacipë!” Gëzim i palejueshëm për ata, që humbën  kujtesën, duke i harruar mundësitë, që patën. Sa e vështirë është ta kuptojë gëzimin dhe festën e mëshirës së Zotit, kush kërkon të justifikojë e të rehatojë veç vetveten! Sa e vështirë ta ndash këtë gëzim me ata, që u besojnë vetëm forcave të veta e u duket se kanë prekur qiellin me dorë!

Vetëmburrja e fodullëku vrasin ëndrrat e përdëllimin

E kështu - pohoi Papa - lind britma: “Kryqëzoje!”, që nuk është spontane, por e sajuar me përbuzje, me shpifje, me dëshmi në rrenë: është zë që e manipulon, që e trukon realitetin, që u ngre kurthe të tjerëve, për ta forcuar vetveten e për t’i bërë të heshtin, kështu, zërat shqetësuese. “Kryqëzoje!” - është britmë e fabrikuar nga intrigat e vetëvlerësimit, të fodullëkut, mendjemadhësisë.

E kështu, në fund, shuhet entuziazmi i festës së Popullit, rrënohet shpresa, vriten ëndrrat, shkelet nën thundër gëzimi; kështu blindohet zemra, akullohet mëshira. Është britma “shpëto vetveten!”, që synon ta vërë në gjumë solidaritetin, t’i shuajë idealet, ta bëjë të pandjeshëm shikimin… Britmë, që dëshiron ta harrojë përdëllimin. 

Ta lëmë Krishtin e kryqëzuar të na  flasë

I vetmi ilaç, përballë gjithë këtyre zërave uluritëse - kujtoi Papa në këtë fillesë të Javës së Madhe - është të shikosh kryqin e Krishtit e ta dëgjosh britmën e Tij të fundit, britmë dashurie për secilin prej nesh, “shenjtorë e mëkatarë”, “të rinj e pleq”; britmë shëlbuese, që askush të mos e shuajë gëzimin e Ungjillit, askush të mos mbetet larg nga mëshira e Atit. Vëllezër e motra, ç’shikon zemra jonë? Jezusi vijon të jetë shkak gëzimi e lavdërimi në zemrën tonë, apo turpërohemi  pse Ai zgjedh, në radhë të parë, më të fundmit, më të harruarit?

Të rinjtë nuk duhet të heshtin, të detyruar nga bota e korruptuar

Pjesën e fundit të reflektimit, Papa ua drejtoi të rinjve, në Ditën e 33-të Botërore të Rinisë, në nivel dioqezan, duke kujtuar se ka edhe nga ata, që i shqetëson e i ngacmon gëzimi, të cilin e ngjall Jezusi në zemrat e të rinjve, sepse një i ri i gëzuar, vështirë se mund të manipulohet. Prandaj shpesh, në mënyra të ndryshme, kërkojnë t’ua mbyllin gojën të rinjve. E ka shumë mënyra për t’i bërë të rinjtë të heshtur e të padukshëm. Shumë mënyra, për t’i trullosur, për t’i vënë në gjumë, që të mos “bëjnë zhurmë”, të mos bëjnë pyetje e të mos vënë asgjë në diskutim. Shumë mënyra ka për t’i bërë të rrinë qetë-qetë. Të mos përzjehen, që dëshirat e tyre të humbasin e të bëhen  ëndrra në sirtar, të rëndomta e të trishta.

Këtë theksoi Papa, duke u folur të rinjve, të cilëve u drejtoi ftesën e Jezusit:

“Të dashur të rinj, ju takon ju vendimi për të bërtitur. Ju, vendimi për Hosananë e së Dielës, për të mos rënë, kështu, në “kryqëzoje” të së  premtes. E ju takon ju të mos e shuani zërin. Nëse të tjerët heshtin, nëse ne, pleqtë e krerët heshtim, nëse bota mbarë hesht e humbet gëzimin, ju pyes: “Ju, do të bërtisni?

Ju lutem, vendosni, ‘para se të bërtasin gurët!’”.








All the contents on this site are copyrighted ©.