2018-03-25 15:15:00

Kremtohet 30-vjetori i “Manifestimit të qirinjve” në Bratislavë


Kujtimi dhe dëshmia e katolikëve në mbrojtje të lirisë dhe të drejtave të njeriut, ruhen të gjalla 30 vjet pas manifestimit të parë, që iu kundërvu regjimit komunist në Sllovaki. Me simbolin e qirinjve. Në kërkim të dritës, në mes të territ të persekutimit komunist. Të mohimit e të asgjësimit kombëtar e fetar.  

30 vjet më pas…

Sot Konferenca ipeshkvnore sllovake kremtoi 30-vjetorin e “Manifestimit” të Bratislavës, që mbeti në histori me emrin “i qirinjve”. Ishte një nga demonstrimet publike më domethënëse. Sfidë e papritur për regjimin komunist në ish-Çekosllovaki. Takimi paqësor i besimtarëve, që asokohe kërkonte liri civile e fetare, organizuar nga ipeshkvijtë, u shpërnda nga policia. E edhe sot organizatorë të përkujtimit ishin përsëri ipeshkvijtë, së bashku me Forumin e institucioneve të krishtera.  

Ka shumë rëndësi të kujtosh

Në një deklaratë, ipeshkvijtë nënvizojnë sa rëndësi ka që, pas 30 vjetësh, t’i rikujtosh organizatorët e manifestimit. Sa vlerë ka ta përkujtosh e ta vlerësosh guximin e tyre, dëshirat e tyre për ta ndryshuar atë jetë aq të padëshirueshme. Tri, ngjarjet kryesore përkujtimore: Mesha Shenjte, kremtuar në katedralen e Shën Martinit; takimi solemn me vendosjen e kurorave në Monumentin përkujtimor në Sheshin Eugen Suchon dhe koncerti në sallën filarmonike Reduta, paraprirë nga fjalimet e  personaliteteve politike e kulturore.

Angazhimi i katolikëve dje e sot

Duke kujtuar ngjarjen, meshtari sllovak atë Jozef Bartkovjak, nënvizoi rolin  themelor të katolikëve në atë ditë proteste, që mund t’i kushtonte shumëkujt edhe jetën. 30 vjet më parë. Nën diktaturë. Gjë që sot tingëllon si ëndërr e keqe. E morën guximin të manifestonin hapur e paqësisht edhe falë punës së Kishës, asokohe në katakomba, që ndikoi e vijon të ndikojë fuqimisht mbi popullsinë. E manifestimi tregoi edhe një herë se katolikët duhet të jenë qytetarë plot përgjegjësi  - pohon atë Bartkovjak - të pavarur nga partitë politike, e se duhet ta ngrenë fort zërin në mbrojtje të vlerave të lirisë, duke nisur nga liria fetare.








All the contents on this site are copyrighted ©.