2018-03-24 15:52:00

“Të thirrur në jetë”. Lutje e agjërim për misionarët martirë


U kremtua sot, në dioqezat e mbarë botës, Dita e 26-të e lutjes dhe e agjërimit në kujtim të misionarëve martirë. Takimi kremtohet në përvjetorin e vrasjes së të Lumit imzot Oscar Arnulfo Romero, kryeipeshkëv i San Salvadorit. E në vijën e parë, janë gjithnjë  të rinjtë misionarë.

Ç’do të thotë martirizim?

“Martirizim nuk do të thotë ta humbasësh jetën, por ta jetosh për një kauzë të madhe. Për t’ua dhuruar vetveten të tjerëve”.  Tema e këtij viti është pikërisht “Të thirrur për jetën” e synon t’i aktivizojë të rinjtë, në mënyrë të veçantë, ata që janë të çkujdesur a të frikësuar, duke i nxitur të kenë guximin ta kumtojnë Ungjillin pa fjalë të mëdha, por me gjeste takimi, solidariteti e ndihme ndaj nevojtarit. Prandaj në këtë ditë, në shumë kisha të botës, por edhe rrugëve, shesheve, fshatrave të viseve të martirizuara, njerëzit ndalohen një çast në lutje, për të kërkuar dhuratën e  jetës së jetuar sipas hirit të Shpirtit Shenjt, duke i kujtuar ata, që na paraprinë në udhën e fesë.

Përvjetori i martirizimit të Romeros

Takimi, shumë i dashur për Papën Françesku, bie në përvjetorin e martirizimit të   imzot Oscar Arnulfo Romeros, kryeipeshkëv i San Salvadorit, vrarë nga urrejtja për fenë nga ushtarët e ushtrisë salvadoriane, ndërsa kremtonte Meshën, më 24 mars 1980. Imzot Romero, lumnuar më 23 maj 2015, do të jetë së shpejti në radhët e shenjtorëve të Kishës. Më 7 marsin e kaluar, Papa autorizoi Kongregatën për Çështjet e Shenjtorëve të shpallë dekretin për mrekullinë e kryer me ndërmjetësimin e të Lumit, i cili do të shenjtërohet njëherësh me Palin VI.

Reflektimi i Papës Françesku

Papa Françesku na kujton shpesh se “martirët janë ata, që e mbështesin Kishën, e mbështeten e do ta mbështesin”. E sot janë më shumë edhe se në shekujt e parë. Mjetet e informimit nuk e kujtojnë këtë, sepse nuk përbën lajm, por dihet se shumë të krishterë në botë janë të lum të pashpallur, sepse të persekutuar, të tallur, të burgosur” (Homelia në Shën Martë, 30 janar 2017). Që në zanafillë, Kisha e ka mbajtur gjithnjë të gjallë kujtesën e tyre duke ia propozuar botës, pas një shqyrtimi të kujdesshëm, dëshminë heroike të shumë të krishterëve, në një martiriolog, i cili përditësohet vazhdimisht, ashtu si vijon vazhdimisht, në çdo skaj të botës, dëshmimi i fesë së shumë ndjekësve të Krishtit.

Martirë e shenjtorë – njerëz të zakonshëm

Martirë e shenjtorë mund të jenë njerëz të zakonshëm! Mund të jetë një bari i zellshëm që, sipas shembullit të Jezusit, deshi të ishte në mes të popullit të vet, posaçërisht ndërmjet të varfërve e të shtypurve, i bindur se sot, më shumë se kurrë, Kisha ka nevojë për martirë, dëshmitarë, shenjtorë të ditës, të çdo dite, njerëz të zakonshëm, që e jetojnë fenë pa asnjë lëkundje. Deri në dhurimin e vetvetes!

Projekt për Afrikën Qendrore

Si çdo vit, Lëvizja Misionare rinore paraqiti, me rastin e kësaj dite të lutjes dhe agjërimit, një projekt ndihmash konkrete për popullsitë e Afrikës Qëndrore, vend i martirizuar nga lufta civile, ku punojnë shumë të rinj misionarë, rregulltarë e laikë. Projekti parashikon dërgimin e fondeve dhe ndihmave të tjera materiale për të mbështetur Qendrën e Promovimit të Gruas “Giacinto Bianchi”, strukturë private, krijuar në vitin 2011 nga Kongregata Misionare e Bijave të Marisë, në kryedioqezën e Bangui, që merret me alfabetizimin e të rinjve e, sidomos, të rejave, duke u mësuar edhe zeje të ndryshme. Ndihmë e veçantë u jepet vajzave nëna dhe grave të besimeve të ndryshme, duke i larguar nga rruga e duke u siguruar të ardhmen, përmes kurseve të formimit, por edhe ndihmës ekonomike e zhvillimit të tyre të gjithanshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.