2018-03-23 11:27:00

Në librin “I rrëmbyer në Irak”, imzot Saad Sirop flet për fenë e një prifti në Bagdad


Më 15 gusht 2006, pasi kremtoi Meshën, imzot Saad Sirop Hanna u rrëmbye pranë Bagdadit nga një grup terrorist, i lidhur me al-Kaedën. Për 28 ditë mbeti në duart e rrëmbyesve të tij, që e kërcënuan, e torturuan dhe bënë çmos ta mohonte fenë. U trondit aq, sa u desh të kalonin dhjetë vjet që të mund ta rikujtonte përvojën e tij në një libër, i cili titullohet “I rrëmbyer në Irak. Një prift në Bagdad”.

Reflektim për Kishat lindore

“Ngjarja e sotme na krijon një mundësi të pashembullt për t’ua manifestuar solidaritetin tonë të krishterëve, që vuajnë për shkak të luftës, persekutimeve  e formave të ndryshme të diskriminimit” - saktësoi Nuno da Silva Gonçalves, rektor i Universitetit Papnor Gregorian. Paraqitja e librit, organizuar nga fakulteti i Filozofisë, ku autori pati marrë doktoratën, krijoi mundësinë edhe që të reflektohej  për vështirësitë dhe sfidat e të krishterëve lindorë, mbi situatën e të cilëve foli imzot Vasil’Cyril, sekretar i Kongregatës për Kishat Lindore: “Ndërsa në dhjetëvjeçarët e kaluar kishte emigracion të ngadalshëm, që krijonte mundësitë për organizimin e bashkësive të reja të të krishterëve lindorë në Kishat perëndimore, por nuk e ligështonte korpin kishtar në tokat e origjinës, vitet e fundit jemi përballë fenomenit të emigrimit, që merr pamjen e hemorragjisë  e mund të çojë në dobësimin e bashkësive lokale”. Prelati  përdori figurën e bllokut të akullit, që thyhet e përhapet nëpër shtigjet e botës, duke pyetur, në vijim, ç’ ardhmëri do të kenë posaçërisht breznitë e dyta  të krishtera lindore të emigruara. Nga ana tjetër, zhvendosja në masë e besimtarëve nga Lindja në Perëndim, mund të jetë qortim për shoqëritë tona të shekullarizuara – shpjegoi imzot Cyril.

Libri, përvojë e jetuar nga autori

Për  t’u njohur nga afër me vështirësitë, që po jetojnë Kishat lindore, ajo katolike-kaldease sidomos, por jo vetëm ajo,  imzot Saad Sirop është dëshmitar i veçantë. “Libri është historia ime personale - pohon ipeshkvi - por besoj se pasqyron historinë kolektive të një pjese të popullit irakian”. Histori e veçantë vuajtjeje, që  përgjithëson  shtypjen e të krishterëve ditë për ditë. Sipas autorit, akulli i thërmuar, për të cilin foli imzot Cyril, mund të jetë edhe pasqyrë e thërmuar, grimcat e së cilës, të përhapura nëpër botë, mund të pasyrojnë figurën e Kishës lindore, të tregojnë identitetin e saj. Libri synon të përshkruajë përvojën e një prifti - pikërisht të autorit - që e jetoi fenë dhe zbuloi se është gjë shumë më e ndërlikuar sesa një shprehje dogmatike, kur të duhet ta jetosh mbi lëkurë përpjekjen për ta gjetur Krishtin në zemrën tënde.

Kisha në diasporë

Në libër, përveç përvojës së jetuar nga imzot Sirop Hanna, ka edhe informacione të shumta. Shpjegohet, për shembull, me ç’sy shikohen të krishterët nga të tjerët, posaçërisht nga Islami. Vepra synon të hapë edhe rrugë shprese, që të krishterët lindorë të mund të vijojnë ta jetojnë fenë. Kisha e diasporës, sipas autorit, mund të jetë Kishë krijuese, që shkruan faqe të reja, të bukura, në historinë e krishterimit.

Rrëfimi i autorit, i nxitur edhe nga pyetjet e të pranishëmve, u ndalua tek disa hollësira të kohës së rrëmbimit. Foli për frikën, përpjekjet për të thënë fjalët që duheshin, që t’u shpjegonte rrëmbyesve pse nuk mundte, as nuk donte ta mohonte fenë e vet të krishterë. Imzot Hanna citoi edhe Kuranin,  që kujton se atje ku fillon detyrimi, atje mbaron feja. Por, çka e tronditi më shumë prelatin, ishte çasti kur iu desh të mblidhte, në këtë zonë, kufomat e të krishterëve, për t’i varrosur denjësisht.








All the contents on this site are copyrighted ©.