2018-03-22 14:48:00

Të burgosurit në “Regina Coeli” presin Papën Françesku


Të Enjten e Madhe të Pashkëve, në orën 16.00, Papa Françesku do të shkojë për vizitë në burgun “Regina Coeli” në Romë, ku do të kremtojë edhe meshën e Darkës së Mbrame (in Coena Domini) me ritin e larjes së këmbëve. Gjithashtu, Ati i Shenjtë do të takohet me të burgosurit e sëmurë në infermieri dhe me ata të Seksionit VIII.

         Kjo është hera e katërt në pesë vitet e papnisë, që Françesku shkon në një burg, në fillim të Treditëshit të Pashkëve e, kremtimi i së Enjtes së Madhe ka pasur gjithnjë karakter privat. Ati i Shenjtë ka qenë në Casal del Marmo, në Rebbibia e në Paliano e tani, pritet me padurim në “Regina Coeli”, siç nënvizon kapelani i burgut, don Vittorio Trani, në mikrofonin tonë:

         Është gjithnjë diçka e jashtëzakonshme. E pastaj, veçanërisht ky Papë konsiderohet nga të burgosurit si figurë e veçantë. Prandaj, e presin – po e presim të gjithë – me shumë dashuri. Lajmi sikur e ka ngarkuar ambientin me gëzim e kënaqësi. Në sheshin qendror të rrumbullakët të burgut kanë kaluar disa papë e aty do ta kremtojë meshën edhe Papa Françesku. Qendra u jep mundësinë të gjitha seksioneve – pra, gjithë të burgosurve – ta shohin Atin e Shenjtë, pasi burgu është ndërtuar sipas skemës panoptike.

         “Regina Coeli” është burgu më i lashtë i Romës. Papa vjen këtu pasi ka vizituar një burg për të mitur e dy burgje të tjera…

         “Regina Coeli” është themeluar në vitet 1800 dhe ishte burgu i kryeqytetit të Mbretërisë së Italisë. E Enjtja e Madhe ka domethënie të thellë, sepse është vetë Krishti, që përkulet mbi njerëz tepër të veçantë si të burgosurit, konsideruar fundërrina, sipas vlerësimit të përgjithshëm. Papa shkon pikërisht tek ata, për t’u përkulur si Krishti e për të përdorur ilaçin e fesë mbi plagët e tyre. Është diçka shumë e bukur. Është gjest, që s’mund të përshkruhet me fjalë.

         Sa ndihmon ky gjest, por sidomos ky qëndrim ndaj të burgosurve? A mund ta ndryshojë opinionin publik?

         Nuk është e lehtë të ndryshohet opinioni. Nevojitet një udhë sa kulturore, aq shpirtërore. Është fjala për të ndryshuar krejtësisht këndvështrimin. Kush niset nga Ungjilli e ka më lehtë; jo se nuk has vështirësi, por ka një mundësi më shumë. Kush e sheh burgosjen thjesht si fenomen shoqëror, e ka të vështirë ta shohë burgun si realitet, që duhet kapërcyer. Sigurisht, Papa tërheq vëmendjen e kjo i bën njerëzit të reflektojnë. Uroj që Shpirti Shenjt t’i ndihmojë shpirtërisht, që t’i shohin të burgosurit si vëllezër, duke e dënuar fajin e tyre, por duke u qëndruar pranë nga pikpamja njerëzore.

         Gjatë vizitave të papëve të mëparshëm në burgun e “Regina Coeli”-t kanë mbetur fraza, që nuk harrohen. Gjoni XXIII pati treguar historinë e kushëririt të tij, që kishte pasur probleme me drejtësinë e një i burgosur u pat mbytur në lot; Gjon Pali II pati evokuar lirinë; Papa Françesku flet për shpresë. Në një farë mënyre, përdorin fjalë, që u tregojnë udhën të burgosurve…

         Më kujtohet se Gjon Pali II u tha të burgosurve një frazë, që më ka mbetur në mend, besoj atyre edhe me shumë: “Të dashur bij, të dashur vëllezër, koha e burgut është kohë e Zotit si kudo tjetër. Prandaj, mos jetoni ‘duke iu nënshtruar’ këtij realiteti, por ngrijeni kokën e shikoni përtej, kështu, kjo kohë mund të bëhet kohë ndryshimi, lutjeje, rifitimi të dinjitetit personal”. Gjon Pali II la këtë frazë, që u mbeti shumë vetëve në mendje. Tani, Papa aktual, kur na priti ne kapelanëve, na la një frazë, të cilën e kemi përsëritur në shumë raste: “Kujtohuni se kur e mbyllni derën e qelisë, aty brenda, përveç jush është edhe Krishti. Rri me ju”. E mrekullueshme! Besoj se kjo ndjenjë e Papës, ky vështrimi i tij për të burgosurit, që e ka në vetvete praninë e Krishtit, përfaqëson diçka, që perceptohet mirë edhe nga të burgosurit. Prandaj, takimi me Papën është rast falenderimi për këtë forcë, që arrin të komunikojë, sepse nuk janë vetëm fjalë, por është sjellje me respekt të madh për ata, që përjetojnë burgun.








All the contents on this site are copyrighted ©.