Në audiencën e sotme të përgjithshme Papa përshëndeti familjarët e të rënëve në misione paqeje, që marrin pjesë në një takim, në Romë. Shoqëroheshin nga ipeshkvi ushtarak për Italinë, imzot Santo Marcianò.
Në këtë përshëndetje drejtuar takimit për familjarët e atyre, që flijuan jetën në misione paqeje në botë, Françesku i quajti të rënët “heronj të atdheut e të njerëzimit”.
Ipeshkvi ushtarak për Italinë, që i njeh shumë mirë të gjithë familjarët e viktimave, tregon, i prekur thellë, se “zemra e tyre kullon gjak, sepse plot me plagë të hapura, që vështirë të mbyllen”. Humbën bijtë, bashkëshortët, etërit. I humbën, nësa jepnin jetën e tyre, për të shpëtuar jetë të tjera. Sepse këtë bëjnë ushtarakët tanë - theksoi prelati - Flijohen me bindje e me besim. Ranë për dashuri, dashuri për njeriun e për paqen e tij. Sjellje thellësisht e krishterë”.
Prej këndej, Kisha është gjithnjë pranë familjeve të të rënëve. Sepse atdheu nuk mund t’i harrojë kurrë! E përqafimi i Papës në audiencën e sotme të përgjithshme është shenjë afërsie të thellë nga ana e Kishës. E pra - vijoi të kujtojë ipeshkvi ushtarak - shoqëria civile i harron, i fsheh. E kam një farë frike - pohon - ndoshta fakti i dëshirës për t’i harruar fsheh një gjykim ideologjik, politik. Gjykohet vdekja, në vend që të vlerësohej. Gjë e rrezikshme, kjo.
Të rinjtë, gjithnjë më të joshur nga jeta ushtarake
Dëshmia e familjarëve të ushtarakëve të rënë është shumë e çmuar për të rinjtë. I nxit ta shikojnë jetën në uniformë, si shprehje e dhurimit të vetes. Imzot Marcianò entuziazmohet duke treguar ç’i thonë shpesh të rinjtë. Ata - nënvizon prelati - e duan jetën ushtarake, nga që besojnë se kështu jeta mund të jetohet me fund. S’është për t’u çuditur: janë bij të botës ushtarake italiane, që përkon me një etikë vlerash, e cila i bindet nenit 111 të Kushtetutës: “Italia i kundërvihet luftës. Kombi ynë e di mirë ç’do të thotë mbrojtje, roje, punë për dialog e paqëtim”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |