2018-03-20 19:05:00

Pikë takimi me pjesëmarrësit e mbledhjes para-sinodale të të rinjve


Në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, disa të rinj, që marrin pjesë në takimin para-sinodal, biseduan sot me gazetarët. Takimi parasinodal u hap dje, me fjalimin e Papës Françesku, në selinë e Kolegjit Papnor ndërkombëtar “Maria, Nëna e Kishës”.

Vijon, kështu, udha parapërgatitore e Asamblesë XV të përgjithshme të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, në program për në tetor, përqendruar mbi temën “Të rinjtë, feja dhe shqyrtimi i thirrjes”. Janë më se 300 të rinj, të ardhur në Romë nga të pesë kontinentet, me rastin e takimit parasinodal, që do të vijojë deri më 24 mars. Takimi u hap dje me fjalimin e Papës. Ati i Shenjtë i nxiti të rinjtë “të guxojnë e të kërkojnë shtigje të reja, edhe nëse kjo i rrezikon”.

Zëri i të rinjve

Sot, në pikën e takimit, pranë Sallës së Shtypit të Vatikanit, u fol për kuptimin e mbledhjes para-sinodale: objektivi është t’u krijohen të rinjve mundësitë për ta paraqitur dokumentin, në të cilin do të shprehin idetë dhe propozimet, e tyre. Breznitë e reja janë të thirrura, posaçërisht, të përpiqen që t’u dëgjohet zëri, me qëllim që frytet e kësaj përvoje të jenë shprehje e mbarë botës rinore. Në takim mund të marrin pjesë, përmes mjeteve shoqërore të komunikimit, edhe të rinj, që nuk janë të pranishëm fizikisht në Romë.

“15# (hashtag) per të shprehur mendimet

Pikë referimi për punimet e takimit para-sinodal është “skema” e punës, mjet, i cili synon të dallojë pjesën kryesore të parakushteve, që motivuan projektin  “15# (hashtag) “fol për vete”. Ndërmjet këtyre hashtag-ve, temat kyçe, që përvijojnë fillin udhëheqës të reflektimit, janë fjalët “ardhmëri”, “Jezus” , “Kisha” dhe “propozime”. Për të marrë pjesë në takimin para-sinodal mund të regjistrohen on line të rinj ndërmjet 16 e 29 vjeç.

Si mund të ndihmojnë të rinjtë për ta përmirësuar shoqërinë?

Në muajin mars, të rinjtë janë të ftuar t’i përgjigjen kësaj pyetjeje: “Si të kontribuojmë për ta përmirësuar shoqërinë?”. Mund t’i përgjigjen me një koment, një fotografi ose video të WhatsApp (+39 342 601 55696). Përgjigjet do të botohen në rrjetet shoqërore të Sinodit #Synod2018.

Të rinjtë, dëshmitarë të fesë në Krishtin

Një faqe e ngarkuar me vlera, botuar në sitin e Sinodit të të rinjve, është ajo, që i kushtohet jetëve të të rinjve të frymëzuar nga feja. Ndërmjet tyre, historia e Karlotta Nobile, vdekur në moshën 24 vjeçare, e njohur për guximin në luftën kundër kancerit e edhe për përvojën e thellë të fesë; dhe Thérèse Deshade Kapangala, vajzë, që përgatitet për jetë rregulltare, një nga viktimat  e shtypjes, e cila më 21 janarin e kaluar goditi edhe një herë kishat në Republikën Demokratike të Kongos. Ndërmjet dëshmive të ndryshme, kujtohet edhe ajo e Kateri Katerina Takakwitha, shenjtorja e parë lëkurëkuqe e Amerikës, jeta e së cilës ishte lutje e vazhdueshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.