2018-03-19 19:15:00

Në solemnitetin e Shën Jozefit, Papa Françesku shuguroi tre ipeshkvij të rinj


“Përsa ju përket ju, vëllezër të dashur, të zgjedhur nga Zoti, mendoni se u zgjodhët ndërmjet njerëzve e për njerëzit, se u caktuat për gjëra, që kanë të bëjnë me Zotin. Jo për gjëra të tjera. Jo për punët e botës. Jo për politikë. “Ipeshkëv” është emër shërbimi, jo nderimi. Sepse detyra e ipeshkvit ka të bëjë më shumë me shërbimin, sesa me sundimin, sipas urdhërimit të Mjeshtrit: “Kush është më i madh nga ju, të bëhet si më i vogli. E kush  qeveris, si ai që shërben! Rrini larg tundimit për t’u bërë princër!”.  Këto e porosi të tjera u drejtoi Papa tre ipeshkvijve të rinj, të emëruar nuncë apostolikë, të cilëve u dha shugurimin ipeshkvnor.

I pari është imzot Waldemar Stanisław Sommertag, i klerit të dioqezës së Pelplin në Poloni, emëruar nunc apostolik në Nikaragua. Dy prelatët e tjerë, të ngarkuar me detyra të reja, largohen nga Kuria Romake. Janë imzot Alfred Xuereb,  ish-sekretar i posaçëm i  Benediktit XVI e, për disa muaj, edhe i Papës Françesku e prelat sekretar i përgjithshëm i Sekretarisë për ekonominë, i caktuar në nunciaturën apostolike të Seulit, në Korenë  e Jugut dhe imzot José Avelino Bettencourt, kryetar i Protokollit të Sekretarisë së Shtetit që, pas shugurimit ipeshkvnor do të kryesojë përfaqësinë papnore në Armeni e Gjeorgji.  

Ishte reflektim kushtuar përgjegjësisë kishtare, për të cilën thirren  ipeshkvijtë – homelia e Papës, tipike rituale për shugurimet ipeshkvnore - në fillim të së cilës, duke folur për shërbesën e ipeshkvijve,  kujtoi se Jezu Krishti, i dërguar nga Ati, dërgoi edhe Ai në botë dymbëdhjetë Apostujt që, përplot me pushtetin e Shpirtit Shenjt t’ua kumtonin Ungjillin mbarë Popujve, që t’i bashkonin të gjithë nën një bari të vetëm, t’i shenjtëronin e t’u prinin drejt shëlbimit.

Më pas përshkroi ritin e shugurimit. Për ta përsëritur nga breznia në brezni këtë shërbesë apostolike - kujtoi - të Dymbëdhjetët mblodhën rreth vetes bashkëpunëtorë, duke u përçuar, me vendosjen e duarve, dhuratën e Shpirtit Shenjt, marrë nga Krishti. Është Krishti, prandaj - vijoi - që përmes shërbesës ipeshkvnore, vijon ta predikojë Ungjillin e shëlbimit dhe t’i shenjtërojë besimtarët me sakramentet e fesë. Gjymtyrë të Korpit të Krishtit - i quajti Papa ipeshkvijtë - prijës të popullit të Zotit në shtegtimin  tokësor, deri në lumturinë e amshuar. 








All the contents on this site are copyrighted ©.