Më 17 mars kalendari kishtar përkujton Shën Patriku. Bir i diakonit të bashkësisë Bannhaven Taberniae, Patriku lindi në vitin 385 në Angli, por shpejt u kap nga piratët e u shit skllav në Irlandë, vend i banuar nga keltët e skotët, ende paganë. Gjurmët e rinisë së tij janë të zbehta. Dimë me siguri se para vitit 448 kishte ikur nga Irlanda e qe vendosur në Okserrë, pranë Gjermanit ipeshkëv, njeri me dije të thella e shenjtëri të jashtëzakonshme.
Më pas Patriku u rikthye në Irlandë, jo më si skllav, por si predikatar i Ungjillit. Aftësia e tij gjeniale për t'u bërë një me shpirtin irlandez e për ta kuptuar me fund, shpjegon pse predikimi i fesë së re ndërmjet irlandezëve nuk pati asnjë martir në këtë tokë, banorët e së cilës qenë fise luftarake, shpesh në konflikt ndërmjet tyre.
Patriku formoi klerin vendas dhe bashkësitë e para të krishtera, duke respektuar thellësisht traditat. Synoi së pari të kthente në fenë e krishterë kryetarët e fiseve, pas të cilëve vinte gjithë fisi. Ndërtoi abacitë, që u bënë të famshme e bërthama të qyteteve të ardhshme. Vuajti shumë për shkak të shpifjeve, që bënë kundër tij heretikët pelagjianë. Atëherë Shenjti hartoi shkrimin e titulluar "Rrëfim" duke sqaruar se gjithë veprimtaria e tij misionare s'ishte tjetër, veçse zbatim i një urdhri hyjnor, e urrejtja e pelagjianëve kundër tij, buronte thjeshtë nga urrejtja që ata kishin për Zotin, të cilit ai i bindej pa kushte.
Patriku i përfundoi në paqe ditët e veta në vitin 461 në Ulster e pikërisht në
Daun, që nisi të quhej Downpatrick. La pas një trashëgimi të shkëlqyer: një radhë
të gjatë shenjtorësh e një popull të lidhur pazgjidhshmërisht me fenë e krishterë
në rrjedhë shekujsh.
Një rrëfim i shkurtër për Pajtorin e Irlandës:
Patriku sodit nga anija bregdetin irlandez, një vend që e njeh mirë. Kur ishte 16
vjeç, djaloshi anglez qe kapur nga disa irlandezë, që e çuan në tokën e tyre, ku jetoi
si i burgosur për gjashtë vjet me radhë.
Sot Patriku nuk është më i burgosur: kthehet në këto troje të egra me dëshirën e vet.
Një natë Jezusi iu duk në ëndërr dhe i kërkoi të niset për t’ia kumtuar Ungjillin
irlandezëve. E kështu Patriku u bë prift e u nis me anijen e parë drejt e në Irlandë…
E di se misioni i tij nuk është aspak i lehtë. Irlandezët adhurojnë si hyjni të gjitha
fenomenet e natyrës: drurët, burimet, stinët... Zotin e gjejnë në natyrën e harlisur
të ishullit të blertë, rrethuar me kaltërsinë pa fund të ujërave. Patrikut i duhet
të luftojë kundër krerëve fetarë, druidëve, që të kallin frikë e tmerr: ata do të
përdorin të gjitha forcat e tyre magjike kundër tij, për të mos e lejuar ta përhapë
Fjalën e Krishtit ndërmjet irlandezëve.
Po ç’mund të bëjë magjia e druidëve përballë një meshtari të dërguar nga vetë Zoti?
Patriku është plot besim e shpresë. U kundërvihet druidëve pa frikë e u tregon qartë
se magjia e tyre është e kotë. Natën e parë të Pashkëve në Ishull, meshtari i krishterë
ndez zjarre të mëdha në vendin ku ka ngulur banesën, për të kremtuar kështu ngjalljen
e Krishtit. Po kjo është e ndaluar. Dy hapa më tutje kremtohet një festë për nder
të hyjnive irlandeze e druidët, duke e parë në dritën valavitëse të flakëve, tërbohen.
Por nuk mund të bëjnë asgjë për ta ndaluar. Magjia është e kotë.
Njëri pas tjetrit fiset irlandeze kthehen në fenë e krishterë, sepse krerët e tyre
e shohin qartë epërsinë e Patrikut mbi druidët. Megjithatë Patriku ka ende shumë për
të bërë: ndonëse tashmë e kanë marrë Pagëzimin, këta luftëtarë mbeten të egër. Nuk
ngurrojnë fare t’i plaçkisin e t’i masakrojnë fiset armike! Kur bëjnë beteja të tilla
gjakatare, Patriku zemërohet, i dëbon nga Kisha vrasësit e u jep urdhër të kërkojnë
falje, në se duan të mbeten të krishterë. E vetmja rrugë për të fituar respektin,
është të mbash qëndrim të paepur përballë krerëve të fiseve.
Por Patriku di të jetë edhe i ëmbël e i duruar, posaçërisht kur jep mësime katekizmi.
Është mësues tejet i mirë. Gjen gjithnjë rrugë të reja, interesante, për ta shpjeguar
fenë e krishterë. Mësimi i tij është tepër tërheqës. Të lë me gojë hapur. Po marrim
vetëm një shembull: për të shpjeguar ç’është Trinia Shenjte, përdor tërfilin, që bleron
në të katër anët e ishullit. Trinia – shpjegon – është si tërfili. Tërfili ka tri
fletë, por është një bimë e vetme. Trinia përbëhet nga tri Vetje: Ati, Biri e Shpirti
Shenjt, por është një Hyj i vetëm”.
Kjo mënyrë për shpjegimin e themelit të fesë së krishterë u bë aq e famshme, sa edhe
sot tërfili mbetet simbol i Irlandës… e Patriku, Pajtori i saj.
All the contents on this site are copyrighted ©. |