2018-03-16 17:57:00

Luigj Gurakuqi: Marci


Luigj Gurakuqi: Marci

Herë i vranët qielli tërbohet

e retë plumbi çanë vetima,

thue t’mbysë botën shiu lëshohet,

gjimon rrebshëm bumbullima,

fryn shiroku me furi, (1)

mos me t’lanë me ndejun n’shpí;

herë pa pritun moti paqet,

zbutet ajri e mallshëm qeshet 

gjith natyra; herë prap çfaqet

dimni i ftohtë, n’borë toka veshet:

kshtu na shofim, gjith habitë,

t’katër stinët tue u ndrrue n’nji ditë!

 

Ky pra a’ marci, ai marca-keqi,

qi, nji herë, prej ‘i plakës idhënue

pse kjo i tha: “Hangërta dreqi,

tash ma t’ftohtin tand s’po e drue,

po marr gjanë e n’bjeshkë po dal!” –

me çka pat na e ngrini n’mal. (2)

 

Po, ky a’marci, e prendverës dera,

muej i bukur n’ndrimme t’veta:

n’te stoliset n’petka tjera

rruzullimi, e shtohet jeta,

bari t’njomë fusha gjelbron,

mshehë n’gardh erë jothija lshon, (3)

 

N’dele e kija kodrat veshen; (4)

ngacrue, n’lis kullot gjeth dhija; (5)

n’hije ndejë me blegtoreshen,

shkon tue i ra fyellit barija;

n’pyll bylbyli kndon me mallë

e lehtë prroni ushton mbi zallë,

 

Kopshti qesh, bimët i stolisin

gjetht e njomë, lulëza t’kuqe

çil bajami e nga pak nisin

n’trandafil t’shifen bubuqe;

vjen dallndysha e nën at strehë

çerdhen prapë fillon me ngrehë.

--------------

(1) Shiroku, erë e fortë e jugut

(2) Sipas një përralle, një plakë, me të kaluar shkurti, mblodhi bagëtinë e doli në stan, në mal, duke thënë se tani erdh pranvera e se marsi nuk ish i zoti t’i bëjë gjë. Marsi u zemrua e, mbasi ishte aty nga ditët e fundit, i u lut prillit t’i japë dy-tri ditë hua që ta vdesë plakën me të ftohtë:

                                                           Prill, im vëlla,

                                                           A m’i fal dy dit uhá

                                                         Ta mbys plakën me çka ka! 

Prilli e dëgjoi edhe ia dha ato ditë. Marsi lëshoi borë e bëri akull të madh, aq sa e ngriu plakën me  gjithë bagëti në majë të malit. Ato ditë populli i quan “plaka”. Ditë të tilla, të ftohta, me shi e fortunë, ka shpesh në mbarim të marsit e në fillim të prillit.

3) Jothija gr vjollca. Fjalën poeti e ka marrë nga Arbëreshët e Italisë.

4) Kija, qengja.

5) Ngacrue, kapur, kacavjerrë në lis

 








All the contents on this site are copyrighted ©.