2018-03-14 17:02:00

Vdiq astrofizikani Stephen Hawking. Shpresonte të mos e zbulonte gjithçka


Ndërroi jetë, në banesën e tij të Cambridge, në moshën 76 vjeçare astrofizikani Stephen Hawking, që ripërkufizoi kozmologjinë, duke propozuar idenë sipas të cilës vrimat e zeza lëshojnë rrezatime e pastaj avullohen.

“Kujtojuni të shikoni yjet e jo këmbët”. Sado e vështirë të jetë jeta, ka gjithnjë diçka që mund ta bësh, mund ta realizosh”. Jeta e astrofizikanit Stephen Hawking, një nga shkencëtarët më të shquar e më të shkëlqyer të dekadave të fundit, mund të përmblidhet në një fjalë të vetme: “sfidë”. E jo vetëm për teoritë e tij mbi vrimat e zeza, mbi kozmologjinë kuantike e zanafillën e universit, por edhe për guximin me të cilin përballoi sklerozën laterale amiotrofike, të diagnostikuar që në moshën 21 vjeçare. Edhe pse teorik, që mendon se krijimi mund të mos ketë nevojë për ndërhyrjen e Zotit, u zgjodh anëtar i Akademisë papnore të shkencave më 1986 dhe u takua me katër papë: Palin VI, më 9 prill 1975; Gjon Palin II, më 3 tetor 1981; Benediktin XVI, më 31 tetor 2008 dhe Françeskun, më 28 nëntor 2016. “Bota - pati kujtuar Papa Ratzinger gjatë takimit me anëtarët e Akademisë papnore të shkencave, mbledhur për të diskutuar teoritë shkencore mbi evolucionin e universit e të jetës -  larg çdo ideje të krijimit nga kaosi, ngjan me një libër të renditur me kujdes”.

I lindur 300 vjet pas Galileut

I lindur më 8 janar 1942 (300 vjet pas vdekjes së Galileo Galileit, siç i pëlqente të kujtonte shpesh), 17 vjeçari Stephen Hawking përshkruhej  nga Kolegji i Oksfordit si djalosh përtac e i mërzitur, student, që tallej me leksionet, aq të lehta i dukeshin. Po gjërat ndryshuan, kur sëmundja degjenerative u duk kërcënueshëm në jetën e tij. Në këtë çast - deklaron - gjithçka mori një pamje tjetër: kur ke përballë vdekjen, shpejto t’i realizosh të gjitha ëndrrat, që dëshiron, sepse jeta duhet jetuar me fund, duhet shfrytëzuar plotësisht”. Iu duk se ishte shkëputur nga bota e, sidomos, nga gjithësia, me të cilën merrej, më shumë se me tokën, mbi të cilën nuk mund të shkelte më me këmbë të sigurta. Atëherë kërkoi një mënyrë tjetër për të ecur, për të realizuar ëndrrat e tij, që e çonin ditë-natë shumë larg nga Planeti. Një karrige me rrota, e bërë me masë e një kompjuter me sintetizator zëri ishin mjetet, që i krijuan mundësinë të komunikojë me botën e gjithçka e rrethon.

Nga Big Bang, tek vrimat e zeza

Ndërmjet 1979-tës e 2009-tës drejtoi, në Cambridge, katedrën që kishte qenë e Isak Newtonit. Por çka e bëri emrin e tij të njohur në mbarë botën, ishin studimet mbi vrimat e zeza, që humbasin rrezatime (e që quhen me emrin e tij, vrimat e Hawking) dhe thërmija, në ciklin e tyre, që i çon drejt zhdukjes. Kërkimet e tij krijojnë mundësitë për të konfirmuar teorinë e Big Bang, shpërthim, nga i cili lindi universi. Trupi, i burgosur nga sëmundja, nuk e pengoi mendjen të ketë vizione të jashtëzakonshme të cilat, në vitin 1988, i tregoi në librin “Nga Big Bang - tek vrimat e zeza; histori e shkurtër e kohës”. Punoi edhe për integrimin e dy teorive të fizikës bashkëkohore: teorinë e relativitetit të Einstein e të mekanikës kuantike. I ëndërronte të bashkuara në “teorinë e gjithçkasë”(teoria e unifikimit të forcave), e cila në vitin 2014 frymëzoi James Marsh për realizimin e  filmit “Merzi e madhe të mos mund të zbulosh më asgjë”.

Një nga teoritë më të fundit, që fizikani e kozmologu britanik e formuloi me fizikanin Thomas Hertog,  i Cern-it të Gjenevës, parashtron idenë se universi nuk pati një zanafillë e një histori të vetme, por një mori fillesash e historish të ndryshme. Pjesa më e madhe e këtyre botëve alternative duhet të jetë zhdukur shumë shpejt pas Big Bengut, duke ia lënë hapësirën universit, që besojmë se e njohim.








All the contents on this site are copyrighted ©.