2018-03-13 11:32:00

Shtegtim në pesë vitet e Papnisë së Françeskut


Pesë vjet më parë, më 13 mars 2013, zgjidhej Papa Françesku. Po radhisim, këtu, përmbledhtas, disa të dhëna, për t’i sintetizuar këto vite të papnisë: dy Enciklika (“Lumen fidei”, kushtuar fesë, që vijon ku e pati ndërprerë Benedikti XVI dhe “Lëvduar qofsh”, kushtuar kujdesit mbi shtëpinë e përbashkët, ruajtjes së Krijimit, që nuk është detyrë e të gjelbërve, por e të krishterëve); dy Nxitje apostolike (Evagelii gaudium, tekst programatik i papnisë për një Kishë në dalje, fuqimisht misionare dhe Amoris laetitia, kushtuar dashurisë në familje), 23 Motu proprio (reforma e Kuries Romake, drejtim e transparencë ekonomike, reforma e procesit të anullimit martesor, përkthimi i teksteve liturgjike, me  udhëzime  për një decentralizim më të madh e për t’u dhënë më shumë pushtet Konferencave ipeshkvnore); dy sinode mbi familjen; një Jubile kushtuar mëshirës, 22 shtegtime ndërkombëtare, me 30 vende të vizituara dhe 17 vizita baritore në Itali, 8 cikle katekizmi në audiencat e përgjithshme të së mërkurës (Besojma, Sakramentet, Dhuratat e Shpirtit Shenjt, Kisha, Familja, mëshira, shpresa e krishterë, Mesha Shenjte), rreth 600 homeli, predikime të lira, pa tekst të shkruar, gjatë meshëve, kremtuar në Shën Martë; më se 46 milionë follower në Twitter e më se 5 milionë, në Instagram. Pa llogaritur fjalimet e panumërta, mesazhet dhe letrat si dhe miliona njerëzit, që i takoi, i përqafoi e i ledhatoi, burra, gra e fëmijë nga mbarë bota.

Kishë me porta të hapura

I pari Papë jezuit, i pari i ardhur nga Amerikat, i pari me emrin e të vobegtit të Asizit, Françesku, i 265-ti Pasardhës i Shën Pjetrit, dëshiron një Kishë me porta të hapura, që të dijë ta kumtojë Ungjillin me gëzim e freski. Kishë mikpritëse, “ku ka vend për çdo njeri e për çdo jetë të munduar, e jo doganë, për të kontrolluar hirin, në vend që ta lehtësojë! Një Kishë, që rrezikon të “lëndohet, të plagoset, të përbaltet” vetëm e vetëm sepse dëshiron të jetë gjithnjë më shumë mes njerëzve, sesa “të mbetet e mbyllur në rehatinë e vet e të kapet pas sigurive të veta”. Kërkon braktisjen e stilit mbrojtës e negativ, që di vetëm të dënojë, për të propozuar bukurinë e fesë,  gjë që do të thotë të takosh Zotin.

Shpirti Shenjt pështjellon

Papa i fton besimtarët ta lejojnë t’i mahnisë Shpirti Shenjt, protagonist i vërtetë i Kishës, që vijon të flasë e të thotë gjithnjë gjëra të reja. Një nga fjalët e forta të papnisë, Françesku e shqiptoi në Stamboll, në nëntor 2014: “Shpirti Shenjt ‘pështjellon’, sepse  ‘të tund nga vendi’, të bën të ecësh, e shtyn Kishën të shkojë përpara, ndërsa është shumë më e lehtë dhe më e sigurt, të  mbrosh qëndrimet e vjetra, të ngurta,  të palëvizshme. Ndjehesh shumë më i sigurt, kur beson se e  vërtetë do të thotë të kesh një paketë me doktrina, të paketuar mbarë e mirë, që mund t’i përdorim më lehtësisht, sesa t’i përkasim ne vetë së Vërtetës: është Shpirti Shenjt ai, që na prin drejt së vërtetës së plotë. I krishteri ka ende shumë për të mësuar, sepse Zoti na zbulon gjithnjë e më shumë sende. Aq sa ta shtyjë Françeskun të thotë se të kesh shumë dyshime, “në kuptimin pozitiv të fjalës” - natyrisht - do të thotë “se dëshiron ta njohësh më mirë Jezusin dhe misterin e dashurisë së tij për ne”. Këto dyshime të bëjnë të rritesh” (Aud. e përgj. 23. 11. 2016). Edhe Pjetri, përballë paganëve, mundi të thotë: “Tani me të vërtetë po e marr vesh se Hyji nuk i mban krah askujt, përkundrazi ‑ në çdo kombësi i pëlqen ai, që e ka frikën e Tij dhe që e zbaton drejtësinë (Vap 10, 34-35). Kështu rritet inteligjenca e fesë.

Papë i së majtës apo i së djathtës?

Në fillim pothuajse të gjithë folën mirë për Françeskun. Dalngadalë u dukën edhe kritikat. Lajm i mirë ky, po të mendosh se Krishti vetë ka thënë: “Mjerë ju, kur të gjithë do të flasin mirë për ju!”. E djathta e akuzon Papën si komunist, sepse sulmon sistemin aktual ekonomik liberist: “Është i padrejtë, që në rrënjë”, “kjo ekonomi vret”, në të sundon “ligji i më të fortit”, që “e ha gjallë më të ligshtin”. Edhe se flet në tepri për emigrantë e për të varfërit: sot “të përjashtuarit nuk janë të shfrytëzuar, janë të papranuar, janë mbeturina”. E majta e kritikon Papën, sepse ngulmon mbi çështjet etike: mbron me shpatë zhveshur jetën, lufton kundër abortit e eutanazisë: “Nuk është progresist pretendimi për t’i zgjidhur problemet duke zhdukur jetë njerëzore”. Mbron familjen e themeluar mbi martesën e një burri me një grua, dënon teorinë e gjinisë (gender), “gabim i rëndë i mendjes njerëzore”; diktaturën e mendimit unik, “kolonizimet idelogjike edhe në shkolla, rrezikohen të bëhen kampe riedukimi”. Tërheq vëmendjen mbi temat, që kanë të bëjnë me kufizimin e kundërshtimit për arsye të ndërgjegjes. Flet për mbrojtjen e të drejtave individuale, “individualiste” - i quan - por pa u shqetësuar fare për detyrat. E ndërsa flitet për të drejtat e reja  - pohon - ka nga ata, që vuajnë e vdesin nga uria.

Kritikat e brendshme  

Janë shtuar edhe kritikat në gjirin e Kishës. E është arritur deri atje, sa ndokush ta quajë edhe heretik Papën.  Ndërsa dikush tjetër qahet se po prish Traditën shekullore të Kishës, e akoma, ka edhe nga ata që zemërohen  sepse “kap dajakun” kundër të afërmve e ledhaton të largëtit, a  nga ata, që e kundërvënë me Papët paraprijës. E pra, Benedikti XVI  e pati hapur rrugën e reflektimit lidhur me shqyrtimin e Kungimit për të divorcuarit e rimartuar, në disa raste të veçanta. E Gjon Pali II i pati dhënë përgjigje imzotit Lefebvre, që 40 vjet më parë, duke i shpjeguar domethënien e Traditës që  “e ka zanafillën tek Apostujt e përparon në  Kishë me praninë e Shpirtit Shenjt”. Në të vërtetë, kuptimi sa i sendeve, aq edhe i fjalëve të transmetuara, thellohet (…) me reflektimin dhe studimin e besimtarëve. Por, sidomos, është kontradiktore - pohonte Shën Gjon Pali II - nocioni i Traditës, që i kundërvihet Magjisterit apo Shërbesës universale të Kishës, rojtar i së cilës është Ipeshkvi i Romës dhe Korpusi i ipeshkvijve. Nuk mund t’i qëndrosh besnik traditës, duke këputur lidhjet kishtare me atë,  “të cilit vetë Krishti, në vetjen e Shën Pjetrit Apostull, ia besoi ministerin e unitetit të Kishës së Tij”. Vetëshkatërrimi ose zjarri i sivëllezërve - pohon Papa Françesku - është rreziku më djallëzor. Është e keqja, që godet nga brenda e, siç thotë Krishti, “çdo mbretëri e përçarë përbrenda vetes, rrënohet”. Papa kujton shpesh edhe djallin: është ai, që kërkon ta shkatërrojë Kishën. Ai, që bën luftë të ndyrë, e ne, mendjefoshnja, luajmë lojën e tij.    

Kantiere të hapura

Dy aksione, të mbështetura me forcë nga Françesku, janë ende të pakryera: i pari, reforma e Kuries, për shkak se është vërtet e ndërlikuar të riorganizosh një institucion shekullor (të bësh reforma në Romë, është njëlloj si të pastrosh Sfinksin e Egjiptit me furçë dhëmbësh” - ka thënë Papa, duke cituar imzot De Mérode). Por edhe shkandujt, si Vatileaks2, nuk e ndaluan e as do ta ndalojnë Bergoglion. Aksioni i dytë është lufta kundër shpërdorimeve seksuale në Kishë. Nga Komisioni papnor për mbrojtjen e të miturve, krijuar prej Françeskut hoqën dorë disa anëtarë, duke denoncuar kundërshtime e vonesa. Por Papa ripohon me forcë “tolerancën zero”, sepse nuk mund të ketë vend në shërbesën e altarit për ata, që shpërdorojnë të miturit. E shkon përpara.

Diplomacia e paqes

Françesku promovon kulturën e takimit: në fushën ekumenike, ndërfetare, në frontin shoqëror e politik e edhe në planin thjesht njerëzor. Lëviz drejt unitetit, por pa i shlyer ndryshimet dhe identitetin. I rëndësishëm, roli i tij në shkrirjen e akujve ndërmjet SHBA-ve e Kubës si dhe në procesin e paqes ndërmjet Kolumbisë e Afrikës Qëndrore. Sulmon kë fabrikon e shet armë. Denoncon me forcë persekutimet e të krishterëve, ndoshta sot edhe më të rënda, sesa dje, rrethuar me heshtjen bashkëfajtore të shumë fuqive, që mund ta ndalojnë. Bën thirrje kundër trafikut të qenieve njerëzore, duke e konsideruar “formë të re të skllavërisë”.

Koha e mëshirës, por deri në një farë pike

Nuk ka dyshim se fjala kryesore e kësaj papnie është “mëshira”: është vetë kuptimi i mishërimit të Fjalës. Fjalë, që shkandullon! Françesku e di mirëfilli këtë. Zoti i do me dashuri të pakufishme krijesat e tij. Por e ka edhe një kufi: korrupsionin. I korruptuari është ai, që nuk e pranon mëshirën hyjnore. E Zoti nuk i kundërvihet. E lë në punë të vet! Sepse ka edhe një gjyq përfundimtar. Prandaj Papa propozon gjithnjë Kapitullin 25 të Ungjillit të Mateut: “Pata uri e më dhatë të ha…”. Në muzgun e jetës do të gjykohemi pikërisht për dashurinë!

Më pak klerikalizëm në Kishë, më shumë hapësirë për laikët, gratë, të rinjtë

Françesku i kundërvihet  klerikalizmit, sepse bariu duhet “të shërbejë e t’i vijë era dele”. Pohon se laikët duhet ta zbulojnë gjithnjë më shumë identitetin e tyre në Kishë; nuk duhet të mbetën në bisht të vendimeve. Mjaft me “ipeshkvij pilotë”. Papa vlerëson shumë lart edhe rolin e gruas, por duke shikuar misterin e saj, jo funksionalitetin: nuk është çështje lufte për pushtet ose për kërkesa të pamundura, si meshtaria, për shembull. Është fjala për efektin mbi hermeneutikën e gruas sepse - pohon Papa - Maria është më e rëndësishme sesa Apostujt. I fton të rinjtë të kenë më shumë protagonizëm e t’ua prishin rehatinë barinjve, me frymën e tyre krijuese.

Ungjillëzues me Shpirtin Shenjt

Papa u kërkon gjithë të krishterëve të jenë ungjllëzues me Shpirtin Shenjt, për ta kumtuar risinë e Ungjillit me guxim, me zë të lartë, në çdo kohë e në çdo vend, edhe duke shkuar kundër rrymës. Duke prekur korpin e vuajtur të të tjerëve, duke i dhënë arsye shpresës sonë, por jo si armiq, që tregojnë me gisht e dënojnë. "Nëse ia dal ta bëj një njeri të vetëm të jetojë më mirë - pohon Françesku - kjo mjafton për ta përligjur dhuratën e jetës sime!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.