2018-03-10 15:13:00

Ladaria: Françesku na mëson të jemi gjithnjë pranë njerëzve


Prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, imzot Luis Francisco Ladaria Ferrer, i dha Vatican News këtë intervistë ekskluzive. Në të, kryeipeshkvi spanjoll ndalohet tek temat e forta të punës së vet: nga reforma e Kuries, tek përmasa baritore e teologjisë, duke folur edhe për marrëdhëniet e tij “si  jezuit me jezuitin”, me Papën Françesku. Të hënën, më 12 mars, në orën 17.30, pranë Sallës Markoni të Pallatit Pio, imzot Ladaria do të paraqesë Kolanën “Teologjia e Papës Françesku”, botuar nga LEV(Shtëpia Botuese e Vatikanit). Pas tij do të flasë, ndërmjet tjerësh, edhe kardinali Walter Kasper. Kjo intervistë e prefektit të Kongregatës për Doktrinën e Fesë - me rastin e pesëvjetorit të zgjedhjes së Françeskut - është e para,  që i prin një sërë intervistash të Vatican News, kushtuar  rrugës së reformës, nisur nga Papa në Kurien Romake.

Imzot Ladaria, ju falënderojmë për këtë intervistë me Vatican News. Ç’do të thotë, për Ju, të jesh prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, në Papninë e Papës Françesku?

Para së gjithash, ju falënderoj për këtë intervistë si dhe për mundësinë që më dhatë të flas lidhur me këto argumente kaq të rëndësishme. Për mua është “punë” krejt e thjeshtë: çështje dëgjese! Bindjeje! Papa Françesku më thirri, më tha se e kishte vendosur këtë e unë ia ktheva: “Atë i Shenjtë, nëse ju vendosët, e pranoj e s’kam ç’të them tjetër!”. Pra për mua kjo është   gjëja e parë. Natyrisht është përgjegjësi e duhet të them se në fillim nuk fjeta mirë… Por dalëngadalë mësohesh me idenë e shikon se mund të shkohet përpara, posaçërisht duke e ditur se po bën, çka dëshiron Papa e, nuk ke pse mendohesh tepër: çështja është zgjidhur, vendimi është marrë!

Ju jeni jezuit, si Ati i Shenjtë. Mendoj se kjo ju ndihmon të kuptoheni e të bashkëpunoni më mirë me Atin e Shenjtë…

Natyrisht ndjehet afërsia - kjo është e qartë - e formimit, e personave, që i njohim, si Papa, ashtu edhe unë. Sigurisht që kjo mund të ndihmojë. Ati i Shenjtë dhe unë nuk njiheshim para zgjedhjes. Ishim parë, besoj, vetëm një herë para zgjedhjes së tij, kur erdhi në Romë me ipeshkvijtë e tjerë të Argjentinës, për vizitë ad Limina. E, siç ndodh gjithnjë, të gjitha Konferencat ipeshkvnore, kur vijnë për vizitë ad Limina, ndalen një ditë edhe në Kongregatën për Doktrinën e Fesë. Unë asokohe isha sekretar këtu, e kështu u pamë e u njohëm për herë të parë me këtë rast. Pra mund të përgjigjem me një po, ka afërsi, e kjo mund t’i lehtësojë shumë marrëdhëniet. Papa është Papa! Jezuit qoftë, a jo! Kjo për mua nuk ndryshon gjë: nuk është themelore.

Duke u takuar me anëtarët e Kongregatës suaj, në përfundim të janarit, Françesku pohoi se “misioni juaj ka fytyrë thellësisht baritore”. Çfarë përfaqëson kjo në punën e përditshme e edhe në punën e bashkëpunëtorëve tuaj?

Do të thosha se nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me punën në vetvete, por me mënyrën si bëhet kjo punë. Ndjehet përmasa baritore, natyrisht. Ne kemi detyrë ta promovojmë e ta mbrojmë fenë, ta predikojmë fenë. Ky është rol kryesisht baritor, kuptohet.  Bëhet fjalë për ta promovuar fenë katolike,  në mënyrë që të njihet gjithnjë e më mirë e, kur ka probleme, edhe për ta mbrojtur këtë fe. Shumë herë e kam dëgjuar Papën Benedikti XVI, kur ishte prefekt i Kongregatës, duke thënë: “Ne duhet të mbrojmë fenë e besimtarëve të thjeshtë, jo fenë e teologëve. Ata i kanë mjetet e tyre, për t’i ditur gjërat ashtu si janë!”. Kjo më duket intuitë shumë e vlefshme dhe shumë e drejtë. Natyrisht, ne merremi edhe me çështje disipilinore, që kanë ndikim mbi shumë njerëz e, sigurisht, edhe ky është rol baritor. Gjë që nuk do të thotë se nuk duhet t’i studiojmë thellësisht dosjet, por duke pasur gjithnjë parasysh salus animarum - shëlbimin e shpirtrave - që është qëllimi i parë i të gjitha punës sonë.

Jemi tashmë fare pranë pesëvjetorit të zgjedhjes së Françeskut në Katedrën e Shën Pjetrit. Çka ju dhuron, personalisht, kjo papni si meshtar, si ipeshkëv e, natyrisht, edhe si prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë?

Natyrisht, si meshtar, ta shikosh kaq pranë Popullit të Zotit Papën, një Papë me fytyrë kaq baritore, kjo për mua, për ne të gjithë, është ftesë të jemi, të ndjehemi edhe ne gjithnjë më fort barinj të popullit të Zotit. Papa ka thënë shpesh se barinjve duhet t’u vijë erë dele, e kjo të ndihmon shumë ta ndjesh veten pranë popullit të Zotit, sepse ne jemi në shërbim të tij. Papa thotë: është një piramidë, baza e së cilës janë të gjithë, pastaj janë ca të tjerë, në shërbim të shumicës, jo në të kundërtën. Është piramidë e përmbysur! Kjo më duket intuitë shumë e bukur e besoj se mund të na ndihmojë  të gjithë, nëse e marrim seriozisht e punojmë që shërbesa jonë të jetë baritore në shkallën më të lartë!  








All the contents on this site are copyrighted ©.