2018-03-09 11:21:00

Udha e Kryqit 2018 në Koloseum: meditimet e shkruara nga 15 të rinj


Papa Françesku dëshiron t’i dëgjojë të rinjtë e kështu, vendosi t’ua besojë atyre meditimet e Udhës së Kryqit 2018, të Premten e madhe të Pashkëve, në Koloseum. Mësuesit të fesë, gazetarit e shkrimtarit italian Andrea Monda, detyra për të zgjedhur grupin e të rinjve. Në vitin kur Kisha ia kushton Sinodin e Ipeshkvijve rinisë, Ati i Shenjtë deshi që brezat e rinj të meditojnë për Mundimet e Krishtit. Siç ju kemi njoftuar, lajmi u dha dje nga Salla e Shtypit e Vatikanit.

Licealë dhe universitarë, autorët e meditimeve

Në të vërtetë, të rinjtë që meditojnë për 14 ndalesat e Udhës së Kryqit janë 15, pasi dy vajza vendosën ta shkruajnë së bashku meditimin e tyre për ndalesën e dytë: “Jezu Krishtin e ngarkojnë me Kryq”. Edhe para pesë vjetësh, Udha e Kryqit iu besua të rinjve nga Papa Benedikti XVI, i cili thirri për këtë të rinjtë libanezë, udhëhequr nga Patriarku i Antiokisë së maronitëve, kard. Béchara Boutros Raji. Kësaj radhe, prof. Monda e mblodhi në shtëpinë e vet grupin e përbërë nga licealë dhe universitarë, pavarësisht nga rruga e tyre e fesë. Së bashku lexuan faqet ungjillore, që flasin për Mundimet e Krishtit, pastaj, secili shprehte ç’i lindte në zemër. “Dikush ndjehej më i prekur nga pjesa e Veronikës, dikush nga Cireneu, prandaj, ndarja e Ndalesave nuk qe e vështirë”, tregon prof. Monda.

Krishti i zhveshur nga gjithçka, si emigrantët

“U kërkova të jenë vetvetja – vijon prof. Monda – të mos mendojnë se duhet të shkruajnë tekste teologjike, të mos kushtëzohen nga fakti se ato do të lexohen në mondovizion, para Papës”. Profesori u sugjeroi ta mendonin veten në Jeruzalem, në atë të premte të më se 2000 vjetëve më parë. E në 14 meditimet e lutjet dolën në dritë ngjyrime e ndjeshmëri të ndryshme: dikush vuri në pah “padrejtësinë e dënimit të Jezusit, shkandullin e pakuptueshmërinë e këtij misteri”; dikush “paradoksin e Kryqit, që vetëm me fe mund të perceptohet si mjet shëlbimi e jo si absurditet, që e shkel ndjenjën e drejtësisë dhe të humanitetit”. E ka edhe aspekte të veçanta për t’u reflektuar: dikush nga të rinjtë e ka parë ngritjen në këmbë të Jezusit pas disa rënieve, si paralajmërim të Ringjalljes, e edhe si shenjë e forcës së Krishtit, që nuk ia lë vdekjes fjalën e fundit; në Jezusin e zhveshur është parë realiteti i emigrantëve, që sot, “si krishta të shkretë, zhvishen nga gjithçka, por nuk e humbasin dinjitetin”, sepse askujt nuk mund t’i hiqet dinjiteti; e së fundi, në misterin e vdekjes së Jezusit në Kryq, dikush ka vënë në dukje se vdekja është “diçka, që s’duam ta shohim, që e heqim nga mendja”.

Të rinjtë: na merrni për dore në udhën e jetës

Mesazhi, që del nga meditimet e të rinjve, zgjedhur nga prof. Monda, është dëshira që të rriturit t’i shoqërojnë në jetë, pa i gjykuar e pa i mëshiruar më kot. E duan “të shoqërohen nga ai Krisht, që takojnë në Udhën e Kryqit; që pengohet e vuan e që, i braktisur, i lënë vetëm, mund ta kuptojë mirë jetën e adoleshentëve dhe të të rinjve, të cilëve u duhet ta përballojnë botën, shpesh, pa pika referimi”. Në faqet e Udhës së Kryqit të këtij viti ka gjithçka kërkojnë sot të rinjtë: dialog, dëgjim e konfrontim.








All the contents on this site are copyrighted ©.