2018-03-09 17:56:00

Pizzaballa: nga Papa, nxitje për unitet në Rajonet Arabe


Papa Françesku priti dje në audiencë prelatët e Konferencës së Ipeshkvijve Latinë në Rajonet Arabe. Takim, që zgjati më se një orë - shpjegon imzot Pizzaballa, kryeipeshkëv-titullar i Verbe-s dhe administrator apostolik i “selisë vakante” të patriarkatit të Jeruzalemit të Latinëve.

Papa - pohoi imzot Pizzaballa - na inkurajoi shumë të shkojmë përpara. Ishte në dijeni të të gjitha situatave që, me tituj të ndryshëm, interesojnë këtë zonë tejet të gjerë, të mbuluar nga C.EL.R.A., në të cilin bëjnë pjesë Veriu e Jugu i Arabisë, Katari, Kuvaiti, Jemeni, Libani, Iraku, Somalia, Siria, Toka Shenjte me Izraelin e  Palestinën, Jordania. Të gjitha, mjerisht, vende të njohura për konflikte shoqërore dhe politike. Së pari, Papa bëri analizën e përgjithshme e, pastaj, dëgjoi të flitej për dëshmitë e fesë që, pavarësisht nga të gjitha, arrijnë nga këto troje. Ati i Shenjtë na inkurajoi të jemi këtu tharm kulturor e fetar uniteti dhe bashkimi, për të cilin popullsitë kanë shumë nevojë! Kjo për ne është shumë e rëndësishme.

Prania katolike në Lindjen e Mesme - vijoi imzot Pizzaballa - është në rrezik serioz. Në Tokën Shenjte, për shembull, ne jemi 6%, të krishterë, pak më shumë se 1% . E pak a shumë përpjestimet janë po kështu edhe në vendet e tjera. Me përjashtim të Libanit. Po pësojmë një emigracion të fortë. Këto konflikte po shkaktojnë ikje në masë. Ikin edhe myslimanët, por në mënyrë të veçantë, të krishterët, që vuajnë më shumë nga konfliktet, me kisha të rrënuara, bashkësi të shpërfytyruara, familje të ndara. Të gjitha këto fenomene i diskutuam me Papën, e edhe ndërmjet nesh. Katolikët nuk janë në rrezik të zhduken, por janë në rrezik të bëhen “të pandjeshëm”, sepse fenomeni i emigrimit nuk është vetëm sasior, por edhe cilësor. Po zhduket, për shembull, shtresa e mesme e popullsisë së krishterë, që ka ndikim më të madh në jetën shoqërore, në ekonomi, në imprenditori, në jetën politike.  








All the contents on this site are copyrighted ©.