Mësues, edukator, bari. Sigurisht, gjithnjë “dëshmitar i mëshirës”, asnjëherë “zot i mëshirës”. Kështu duhet të jetë rrëfyesi sipas Papës Françesku, i cili priti sot meshtarët e rinj, që morën pjesë në Kursin e Forumit të brendshëm, organizuar nga Pendestaria Apostolike.
Mos i influenconi të rinjtë
Tema e kursit kishte të bënte me marrëdhëniet ndërmjet Rrëfimit sakramentor dhe shqyrtimit të thirrjes për meshtari. Ati i Shenjtë vuri menjëherë në dukje se në rrëfyestore, meshtari nuk zotëron asgjë të vetën, por është mjet i një force të epërme:
“Meshtari rrëfyes nuk është burimi i Mëshirës e as i Hirit Hyjnor: jo; sigurisht, është mjet i domosdoshëm, por gjithnjë, mbetet vetëm mjet! E kur meshtari e kujton veten pronar, e pengon Zotin të veprojë mbi zemra. Kjo vetëdije duhet të favorizojë mbikqyrjen e kujdesshme mbi rrezikun për t’u bërë ‘pronarë të ndërgjegjeve’, sidomos në marrëdhëniet me të rinjtë, personaliteti i të cilëve është akoma në formim e sipër, prandaj, mund të ndikohet më lehtë”.
Ndërmjetës i njeriut me Zotin
Sa më shumë të mënjanohet meshtari, aq më shumë do të duket qartë Krishti, Meshtar i amshuar. E më pas, Papa vuri në dukje një kërkesë të dytë për rrëfyesin. Ai duhet të dijë të dëgjojë, para se të japë përgjigje:
“Rrëfyesi duhet të jetë njeri i dëgjimit: dëgjim njerëzor i pendestarit dhe dëgjim hyjnor i Shpirtit Shenjt. Duke e dëgjuar vërtet vëllain, gjatë bisedës sakramentore, ne dëgjojmë vetë Jezusin e varfër e të përvuajtur; duke dëgjuar Shpirtin Shenjt me bindje, dëgjojmë Fjalën e kështu, mund t’u ofrojmë shërbimin më të madh të rinjve të penduar: i lidhim me vetë Jezusin”.
“Forma” e thirrjes së Zotit
Rrëfyesi mund të marrë përsipër edhe rolin e atit shpirtëror, nëse të rinjtë e dëshirojnë këtë. Këtu hyn në lojë përmasa e shoshitjes së thirrjes, pra, të asaj periudhe, gjatë së cilës interpretohen shenjat e Zotit në jetën e të riut:
“Biseda e Rrëfimit sarkamentor bëhet kështu, rast i privilegjuar takimi, në mënyrë që të dy, pendestari dhe rrëfyesi, ta dëgjojnë vullnetin e Zotit, duke zbuluar planin e Tij, pavarësisht nga forma e thirrjes. Vërtet, thirrja nuk përkon e as mund të përkojë kurrë me ndonjë formë! Kjo do të sillte formalizëm! Thirrja është vetë lidhja me Jezusin: marrëdhënie jetësore e thelbësore me Të”.
Dhembshuria para së gjithash
Papa e përfundoi fjalën e tij duke kujtuar binomet, me të cilat përvijohet rrëfyesi tradicionalisht: “mjek e gjykatës”, “bari e atë”, “mësues dhe edukator”. E meshtarëve të rinj, seminaristëve dhe diakonëve u kërkoi të jenë, para së gjithash, “dëshmitarë të mëshirës”, që, si Krishti, dinë të ndjejnë dhembshuri për mëkatet e vëllezërve, për të hapur para tyre një horizont, që vetëm Zoti mund t’ia dhurojë njeriut.
All the contents on this site are copyrighted ©. |