2018-03-05 14:13:00

Papa në Shën Martë: feja nuk është shfaqje, të mendojmë me shpirtin e Zotit


Besimi e feja nuk janë “shfaqje”. Kështu u shpreh Papa Françesku në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, gjatë reflektimit të Leximit të parë kushtuar Naamanit Siriak dhe të Ungjillit sipas Lukës, në të cilin Jezusi shpjegon se asnjë profet nuk mirëpritet në atdheun e vet. Papa kujtoi se në këtë kohë Kreshmësh, Kisha na nxit të reflektojmë sot për shndërrimin e mendimit, të stilit të tij, e edhe  të veprave e ndjesive.

Shndërrimi i mendimit

“Kisha na thotë se veprat tona duhet të shndërrohen. E na flet për ngjinesë, lëmoshë, pendesë: është shndërrim i veprave. Na fton, kështu, të bëjmë vepra të reja, vepra me stil të krishterë, me atë stil, që vjen nga Lumnitë, të cilat na i kujton Mateu, në kapitullin 25: ta bëjmë këtë. Kisha na kërkon t’i shndërrojmë edhe ndjenjat. Të rikujtojmë, për shembull, shëmbëlltyrën e Samaritanit të Mirë! E të shndërrohemi, të bëhemi njerëz të mëshirshëm.   Po sot na flet për shndërrimin e mendimit: jo të atij, që mendojmë, por të mënyrës si mendojmë, të stilit të mendimit. Unë, a mendoj me stil të krishterë apo me stil pagan? Ky është mesazhi, që na jep sot Kisha!”.

Mos prisni shfaqje nga Zoti!

Lidhur me episodin e Naamàn Siriakut, njeri i sëmurë nga gërbula, Papa kujtoi se shkon tek Elizeu me shpresë se do ta shërojë. Profeti e këshillon të lahet shtatë herë në Jordan. E i gërbuluri mendon se lumenjtë e Damaskut janë më të mirë nga ujërat e Izraelit, zemërohet, preket thellë e vendos të kthehet pa hyrë fare në Jordan - kujtoi Françesku - sepse ky njeri priste një shfaqje. Po stili i Zotit - shtoi Papa - është krejt tjetër: Zoti shëron në një mënyrë tjetër, në mënyrën e vet.

Shpirti Shenjt vepron në zemra

E njëjta gjë - vërejti Françesku - ndodh edhe me Jezusin, kur kthehet në Nazaret e shkon në Sinagogë. Fillimisht njerëzit s’ia ndajnë sytë, çuditen e mrekullohen, kënaqen pa masë:

“Por kurrë nuk mungon ndonjë llafazan. Edhe aty ishte ndonjë, që s’ia përtonte thashethemeve: ‘Po a s’është ky i biri i zdrukthatarit? E çka mund të na mësojë ky? Në ç’universitet ka studiuar ky?’. ‘Po, i biri i Jozefit, është’”. E t’ia filluan opinionet, e ndryshoi sakaq sjellja e njerëzve deri në atë pikë, sa nisën të mendojnë për ta vrarë. Nga admirimi e mahnitja, në dëshirën për ta mbytur! Edhe këta donin të jepnin e të shikonin shfaqje. “Epo, le të na bëjë ndonjë mrekulli, si ato që po na thonë se bënte në Galile, e ne do t’i besojmë”. E Jezusi shpjegon: “Me të vërtetë po ju them, asnjë profet nuk mirëpritet në atdheun e vet”. Thotë kështu, ngaqë ne nuk besojmë aq lehtë se ndokush mund të na korrigjojë. Duhet të vijë ndonjëri, që di të japë shfaqeje, për të na bindur. Po feja nuk është shfaqje: është Fjala e Zotit, e Shpirtit Shenjt, që vepron ndër zemra.

Hiri i shndërrimit

Kisha - nënvizoi Papa - na fton, pra, të ndryshojmë mënyrën e të menduarit, stilin e mendimit. Mund ta thuash gjithë Besojmën, e edhe të gjitha dogmat e Kishës, por nëse nuk e bën këtë me shpirtin e krishterë, kot sa e bën.  Nuk vlen fare! Prej këndej lind pyetja: “Me ç’shpirt mendojmë? Me shpirtin e Zotit, a me shpirtin tonë, me shpirtin e bashkësisë, së cilës i përkasim, të grupit a klasës shoqërore ose të partisë politike, në të cilën bëjmë pjesë? Me ç’shpirt mendojmë? Të rrëmojmë brenda vetes për t’u bindur se mendojmë vërtet me shpirtin e Zotit. Ta pyesim veten a mendojmë me shpirtin e botës, a me Shpirtin e Zotit? “E të kërkojmë hirin e shndërrimit të mendimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.