2018-03-05 18:00:00

Papa, konventualëve në Burkina Faso: privilegjoni gjithnjë të varfërit


Mesazh i Papës Françesku me rastin e Kuvendimit në Kolegjin ndërkombëtar Seraphicum të Romës mbi veprimtarinë e Qendrës mjekësore të Sabou në Burkina Faso, vepër e fretërve të vegjël konventualë.

 Me rastin e takimit, që do të fillojë më 10 tetorin e këtij viti, Papa Françesku dërgon një mesazh, me të cilin i inkurajon françeskanët të “vazhdojnë veprën bujare të përhapjes së Ungjillit dhe mbështetjen e Kishës në Burkina Faso, duke privilegjuar gjithnjë të varfërit e duke punuar në periferitë gjeografike dhe ekzistenciale”. Ndërsa u kërkon të luten për të, Papa ia beson fretërit Virgjërës Mari, mbretëreshë e misioneve, si edhe shën Maksimilian Kolbes. Së fundi, u jep të gjithëve bekimin apostolik.

Qendra e shën Maksimilian Kolbes në Sabou

Qendra mjekësore Shën Maksimilian Kolbe është ngritur në vitin 2003 dhe u jep asistencë shëndetësore falas më se 110 mijë banorëve të vendit. Së bashku me françeskanët punon edhe shoqata “Emergjenca Buzëqeshje”, që ndihmon me mjekë nga jashtë e me formimin e mjekëve lokalë. Qendra ofron një sërë shërbimesh, duke filluar nga urgjenca, tek reparti i mjekësisë së përgjithshme me 25 shtretër për të rriturit e 30 për fëmijët, tek reparti i maternitetit me 12 shtretër e tek qendra për fëmijët e ushqyer keq. Qendra po zgjerohet me radiologjinë dhe kirurgjinë.








All the contents on this site are copyrighted ©.