2018-03-03 16:57:00

Papa në Bashkësinë e Shën Egjidit, më 11 mars


Me rastin e 50-vjetorit të themelimit të Bashkësisë së Shën Egjidit, Papa Françesku - sipas njoftimit të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë - do të shkojë për vizitë në Bashkësinë e Shën Egjidit të diel, më 11 mars 2018, në orën 16.30, në Sheshin e Shën Marisë, në Trastevere.

Falënderimi i Bashkësisë së Shën Egjidit

Bashkësia e shprehu gëzimin përmes një komunikate, në të cilën theksohet se e falënderon Atin e Shenjtë dhe e pret këtë takim me mirënjohje e dashuri. Sipas njoftimit Papa, pasditën e 11 marsit,  do të jetë në Sheshin e Shën Marisë në Trastevere, ku do t’i drejtojë fjalën Bashkësisë së Shën Egjidit e, pastaj, do të kremtojë Liturgjinë e Fjalës.

Gjatë kësaj ngjarjeje - lexohet në tekst - Françesku do të ketë rastin për  një takim të ri me “popullin e Shën Egjidit”, duke nisur nga Andrea Riccardi, që u priu hapave të para të bashkësisë në Romë, për të vijuar me përfaqësi të ardhura nga qytete të ndryshme të Italisë e të mbarë botës, me të rinj, miq të varfër të Bashkësisë, ndërmjet të cilëve, edhe refugjatë  arritur këtu përmes korridoreve humanitare, pleq e fëmijë të “Shkollave të Paqes”, njerëz të gjymtë të laboratoreve të artit, të pastrehë, të strehuar nga Bashkësia këto ditë me dëborë e ngrica të forta.








All the contents on this site are copyrighted ©.