2018-03-02 17:00:00

Papa viziton “Shtëpinë e Ledës”, ku jetojnë gra të burgosura me fëmijë


Vijojnë të Premtet e Mëshirës, gjatë të cilave, herë pas here, Papa Françesku viziton një realitet të vështirë, për të treguar afërsinë e vet e të Kishës me ata, që jetojnë të mënjanuar e të përjashtuar nga shoqëria. Sot në orën 16.00, i shoqëruar nga kryetari i Këshillit për Ungjillëzimin e Ri, imzot Rino Fisichella, Papa shkoi, si zakonisht, pa lajmëruar, drejt lagjes Eur të Romës, ku, e fshehur mes gjelbërimit, në një zonë të bukur rezidenciale, gjendet “Shtëpia e Ledës”, një banesë, të cilën shteti ia ka sekuestruar kriminalitetit të organizuar, për ta lënë në shërbim të grave të burgosura me fëmijë të vegjël.

Në strukturë banojnë 5 gra me fëmijët e tyre

Papa u prit me habi nga gratë e strukturës, nga vogëlushët dhe nga personeli i turnit të pasdites. Vila administrohet nga kooperativa shoqërore “Cecilia Onlus”, që nga marsi i vitit të kaluar. Në të strehohen nëna të burgosura për krime të vogla, të cilave u njihet e drejta për t’i mbajtur fëmijët me vete. Kështu, ato e kryejnë dënimin në këtë shtëpi-familje, ku aktualisht banojnë pesë gra të reja, të moshës nga 25 deri në 30 vjeç, disa të etnisë rom, një egjiptiane e një italiane, secila me fëmijën e vet.

Përkrah këtyre nënave qëndrojnë gjithnjë veprimtarët, edukatorët dhe vullnetarët e shoqatës “Në Romë së bashku”. Në projekt janë përfshirë edhe dy shoqata të tjera vullnetarësh. Në strukturë shërbejnë të ashtuquajturit “Të vënë në provë”, persona të dënuar për gjëra të vogla, për të cilat nuk parashikohet burgosja, por vënia në dispozicion e kohës vetjake në favor të shoqërisë.

Papa Françesku u dhuroi fëmijëve vezë të mëdha Pashkësh

Papa Françesku shkëmbeu disa fjalë me nënat dhe me të rinjtë, që shërbejnë në këtë shtëpi, luajti me fëmijët, duke u dhuruar atyre vezë të mëdha Pashkësh prej çokollate. Nënave u la disa dhurata, ndër të cilat edhe një pergamenë në kujtim të vizitës së tij. I shoqëruar nga gëzimi i fëmijëve, Ati i Shenjtë hëngri diçka me ta. Ndërkaq gratë i dhanë Papës një dhuratë të vogël, nga prodhimet e bëra me duart e tyre dhe, i treguan sa e vlerësojnë mundësinë për t’i rritur vetë fëmijët, pavarësisht nga vështirësitë.

Gratë mësojnë një zanat

 Vërtet, qëndrimi në këtë strukturë i lejon ato t’i çojnë dhe t’i marrin fëmijët nga shkolla, si edhe të mësojnë një zanat për integrimin e ardhshëm në shoqëri, kur të dalin nga burgu. “Shtëpia e Ledës” është e para e këtij lloji në Itali e, tani për tani, edhe e vetmja. Para se Papa Françesku të largohej, rreth orës 17.00, për t’u kthyer në Vatikan, përgjegjësi i zonës, Lillo Di Mauro, i tregoi përpjekjet e bëra për rikualifikimin e banesës, në mënyrë që ajo të ishte sa më e përshtatshme për nënat dhe fëmijët.








All the contents on this site are copyrighted ©.