2018-03-02 11:57:00

Në FESTin të Lisbonës, Vatikani me dokufilmin mbi Rojet Zvicerane


Në FESTin të Lisbonës, Festivali Endacak i Kinemasë në gjuhën portugeze, këtë vit u paraqit edhe dokufilmi i Gianfranco Pannone, me titull “Ushtria më e vogël e botës”, i cili flet për Rojet Papnore Zvicerane. Gjatë paraqitjes së tij e mori fjalën edhe prefekti i Sekretarisë për Komunikimin, imzot Dario Edoardo Viganò, i cili u ndal në zhvillimet e fundit të reformës së mediave vatikanase, duke u nisur pikërisht nga fronti audioviziv.

         “Ky Festival – thotë imzot Viganò – është rast për të paraqitur impenjimin produktiv të Selisë së Shenjtë lidhur me artin e kulturën në përgjithësi. Mendoj për prodhimet në bashkëpunim me Radiotelevizionin Italian (RAI) me platformën televizive Sky dhe me Ofiçinën e Komunikimit: të gjitha prodhime dokumentarësh për publikun e gjerë, që të japin mundësi të udhëtosh ndërmjet artit e historisë, nga këndvështrime absolutisht të panjohura. Për shembull, vështrimi mbi Mëshirën (Pietà) e Mikelanxhelos në serinë kushtuar Vatikanit, ose mbi Krishtin e Mbuluar (Cristo Velato) – pa e harruar kurrë përmasën e përvojës fetare”.

         Festivali i këtij viti i ka hapur dyert edhe për kinemanë e gjuhëve të tjera neolatine. Deri më 6 mars, në Lisbonë do të projektohen filma nga Spanja, Kuba, Franca, Italia dhe Rumania. Ndërkaq, dokufilmi mbi Rojet Zvicerane pati shumë sukses, ashtu siç ndodhi edhe kur u paraqit në Festivalin e Filmit në Venezia. Ndodh kështu, komenton imzot Viganò, sepse përmban imazhe të panjohura e spektakolare të “ushtarëve të Papës”, por edhe për këndvështrimin e ri, shprehje e stilit të mediave të Vatikanit të reformuara.








All the contents on this site are copyrighted ©.