Më 2 mars kujtojmë përvjetorin e vrasjes së Luigj Gurakuqit, një nga figurat e shquara të historisë politike e kulturore shqiptare. Luigj Gurakuqi u vra në Bari të Italisë nga një agjent i shtyrë dhe i paguar nga klika zogiste, më 2 mars 1925. Luigj Gurakuqi është një nga figurat e shquara të lëvizjes patriotike e demokratike shqiptare, poet e publicist, Hero i Popullit.
Luigj Gurakuqi qe firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i lëvizjes kombëtare, ministër, deputet, gjuhëtar, poet, publicist. Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit (1908), ku u zgjodh edhe anëtar komisioni për njehsimin e alfabetit. Pjesmarrës në kryengritjen e malësorëve të mbi Shkodrës dhe bashkëhartues me I. Qemalin i Memorandumit të Greçës. Gjatë vitit 1912, ishte ndër organizatorët e kryengritjes së përgjithshme. Në Kuvendin e Vlorës për shpalljen e pavarësisë, si përfaqësues i Shkodrës, firmosi Deklaratën e Pavarësisë nën siglën « Luz Gurakuqi ».
Ministër i Arsimit në Qeverinë e Përkohshëm të Vlorës. Anëtar i delegacionit në Konferencën e Paqes në Paris. Deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar dhe përsëri përfaqësues i Shkodrës në Kuvendin Kushtetues në vitin 1924. Ministër i Financave në qeverinë e Nolit. U vra në Bari në 2 mars 1925.
Ai luftoi jo vetëm për një Shqipëri të lirë e të pavarur, por edhe për një shtet modern, i cili përmes reformave demokratike të zhdukte prapambetjen, të ndryshonte me shpejtësi pamjen e tij, të fitonte kohën e humbur gjatë shekujve të robërisë.
Luigj Gurakuqi, themelues i shtetit shqiptar, sipas Willy Kamsit
Faktorët themelorë që formojnë dhe ravijëzojnë figurën e nji politikani me peshë
e randësí në jetën e nji kombi, kanë qenë, janë e do të jenë po ata faktorë që qenë
elementa themelorë në jetën e nji të Madhi të Vendit tonë, i cili u bâ simboli mâ
në shêj në jetën politike të Shqipnisë së posarilindun, mbas shembjes së Perandorisë
Osmane. Faktorët për të cilët po bâjmë fjalë janë: féja, familja e shkolla. Asnjeni
prej këtyne nuk mund të qëndrojë i veçuem, por, në nji harmoní të shkëlqyeshme, secili
sish duhet të marrë pjesë në formimin e asaj rinie që, tue u burrnue, ka me marrë
në dorë të ardhmen e Vendit dhe, me vlerat e veta morale, ka për të qenë e aftë ta
çojë para atê drejt asaj Europe tek e cila na, sot, tue e pá si shtëpinë tonë, synojmë
me kaq afsh.
Po qe se përshkojmë jetën e Luigj Gurakuqit, qysh prej atij 19 frori të 1879-s (qe
pagëzue ditën e nesërme më 20, që nganjiherë merret gabimisht si datë e lindjes) dhe
deri në çastin e kobshëm të vrasjes më 2 mars 1925, do të shohim se qe nën ndikimin
e po atyne mësimeve të para që mori në zulmëmadhen Kolegjë Saveriane të jezuitëve
në Shkodrës.
Këtu mori njiheri ato mësime fetare, që i dhanë formimin moral që do ta dallonte në
krejt jetën e tij, por edhe ato dituní që do ta shquejshin qysh në moshën mâ të ré.
Ato mësime do t’ishin themeli moral e shpirtnor i krejt jetës së tij, sikurse edhe
i shokëve të tjerë të asaj shkolle, e cila i ka dhanë aq shumë njerëz të formuem e
të përgatitun Vendit tonë.
Mjafton me pá në regjistrat e asaj Kolegje, tek emni i tij, për me pá se me sa zell
i ndiqte studimet, dhe notat që kishte marrë ishin dishmitaret mâ kuptimplote të cenës
së diftueme prej tij. E vetmja notë, për të gjitha landët, e në të gjithë vjetët që
ndoqi atë shkollë, ishte (1) njishi, nota mâ e naltë, sikurse sot âsht (10) dheta,
por duhet dallue se n’atë kohë ishte nji notë e dhanun prej jezuitëve, të cilët nuk
ishin dorëlirë, sikurse as edhe sot, por e jepshin vetëm kur nxanësi me të vërtetë
e meritonte.
Prej asaj shkolle, prá, doli nji figurë madhore, figura fisnike morale e Luigj Gurakuqit,
që do të shkëlqente në horizontin e Shqipnisë, nji herë e robnueme e mandej e pavarun,
së cilës, me veprimtarinë e tij të dendun politike e shoqnore, do t’i jepte kaq shumë.
«Ky ishte ambienti shkodran në të cilin Luigj Gurakuqi bani hapat e parë për formimin
e vet intelektual. Krejt i dhanun mbas studimeve, me vemendje të theksueme e cenë,
i bindi shumë shpejt e me lehtësí nxanësit e mësuesit se kishin të bâjshin me nji
djalë me nji inteligjencë pa pikë dyshimi përtej normales» (Giuseppe Ferrari, «La
figura di Luigi Gurakuqi». Në: L’omicidio politico di Luigi Gurakuqi. Bari 1988, f.
24.) Kështu arbreshi Zef Ferrari.
Veçantí të dallueshme të Luigj Gurakuqit janë: formimi i tij me kulturë perëndimore,
si dhe përpjekjet për ta çue Shqipninë në hullinë e saj të natyrshme, drejt Europës,
së cilës kjo i ka përkitë, i përket e ka me i përkitë gjithmonë. Për tê çdo përpjekje
e atyne që synojshin, e fatkeqësisht me kambëngulje po synojnë endè sot, me e largue
nga ky drejtim, ishte për dam të saj e kundra përkatësisë, kundra gjakut të vet europian.
Ketë të vërtetë e përforcojnë fjalët e Fan Nolit, të shprehuna në nji shpallje mjeshtrore
me të cilën i përgjegjet sulmit të lig të Faik Konicës kundra Luigj Gurakuqit, çka
ishte edhe mâ keq, mbas vrasjes së tij. Nji qëndrim të gjashëm në përkrahje të pastërtisë
së figurës së Luigj Gurakuqit shpreh edhe Stavro Vinjau në dy numra të gazetës “Dielli”
në Shtetet e Bashkueme të Amerikës. Thotë prá Noli: «Nga shqiptarët e pakë që thëthitnë
mirë kulturën e Perëndimit, Gurakuqi ish ay që ka punuar më gjatë dhe më rëndë për
të mbjellur farën e saj në Shqipëri»( Fan S. Noli, Vepra, 3. Publicistika (1925-1949).
Tiranë 1987, f. 5).
Ashtu kishte veprue: kur qe Ministër Arsimi në të parën Qeverí; ashtu kur qe Drejtori
i Drejtorisë së Arsimit; ashtu gjatë kohës së Luftës së Parë Botnore (1914-1918).
Për vetë formimin që kishte, vijoi në ketë rrugë edhe në qeverisjen demokratike të
1924-s, dhe, si ministër i financave, bjen në aktiv bilancin e shtetit, që ishte me
nji deficit prej milionash, tue lanë në arkët e tij nji tepricë prej nji milioni frangash
ar, kurse atij vetë, kur qe vrá, iu gjetën vetëm 450 lireta në xhep, edhe këto të
marruna uha pak ditë para prej nji miku të vet.
Qe modeli i ndershmënisë, jo vetëm për atë kohë, por e vështirë që t’i gjindej shoqi
edhe në kohët e mâvona. Si lypet e urojmë që njerëz të tillë të kemi sot për mëkambjen
e Shqipnisë, mbas shkatrrimit të plotë prû prej diktaturës së egër komuniste, diktaturë
kriminelësh e hajdutësh, shkaktarë endè sot të nji transicioni tejèt të zgjatun, në
përpjekje që me i mbajtë sa mâ gjatë në duertë e tyne të përgjakuna fatet e Kombit.
Për Luigjin ishin të hueja konceptet e dallimit fetar e krahinor të Shqipnisë. Veproi,
me gjallninë mâ të madhe, për me mbërrijtë që t’i bashkojë rreth vetes katolikë e
myslimanë, tue sjellë njikohësisht në mes tyne mirëbesimin. Të gjitha këto për të
mirën e Atdheut.
Këtu, prap Noli, i cili Gurakuqin e ka «konsideruar si një nacionalist të grupit konstruktiv
», thekson: « …ay vetë ka qenë aq pak regjionalist sa, që kur lindi çështja kombëtare,
s’ka patur një geg patriot aq të dashur midis toskëve sa Gurakuqi… », dhe mâ tej «
…ka qenë gjithnjë anëtar i zgjidhjes së çdo problemi me pajtim e me kompromize, pa
violencë, dhe arma e tij kryesore ka qenë fjala e ëmbël. Kjo ishte fryma dhe shpirita
e Gurakuqit… »( Ibidem, ff. 12-13.).
Për të gjitha këto vetí, të gjithë miqët e kundërshtarët e tij, mbasi anmiq nuk mund
të cilësohen, sepse nuk kishte të tillë, e kanë nderue në çdo rasë. Ka qenë veteran
i çështjes kombtare e për këtê i palodhun në krejt jetën e vet.
E patën paditë deri italofil, por këtu ishte gabimi e shpirtligësia e atyne që shpreheshin
në ketë mënyrë. Këtê e bajshin tue u nisë prej qenies së tij katolik e tue supozue
nji anim politik të tij kah Italia katolike gjâ që nuk ka ndodhë kurr, sikurse te
asnjeni katolik. Për ketë përkatësí katolike kurrnji katolik, n’asnji kohë, nuk ka
mbajtë anën e Italisë ose të ndonji Shteti tjetër katolik, kur prekeshin interesat
e Kombit e të Shtetit shqiptar.
Në marrëdhaniet me shtetet e hueja parim i tij ishte, në radhë të parë, vlerësimi
e mprojtja e interesave kombtare. Kështu që nuk kishte parapëlqime në politikën ndaj
vendet e hueja. Pat mbajtë kurdoherë nji qëndrim të premë kur kishte rrezik të prekeshin
interesat e Atdheut, si e tregoi edhe me diskutimet në parlament për konçesionin e
vojgurit. Provat për këtê janë të shumta. Këto shprehin atdhetarizmin e tij dhe janë
shprehja mâ e ndritshme e nji figure që u bâ modeli mâ i shkëlqyeshëm për çdo shqiptar.
Nami i tij i kapërcei kufijtë politikë të Vendit. U derdh në vendet e hueja tue i
bindë burrat e politikës të atyne vendeve për vlerën e shqueme të tij në ketë lamë.
Se ka qenë themelues i Shtetit Shqiptar e vërteton pjesëmarrja e tij aktive në të
gjitha veprat e veprimtaritë që synojshin ngritjen e forcimin e Shtetit të rí Shqiptar.
Tue nisë nga shpallja e Pavarësisë, më 28 Nandor 1912, si figurë e pandashme prej
Ismail Qemal Vlorës, «Luigji ka pasë qênë shoq i këtij të fundit e si dora e djathtë
e tij, jo sekretar me rrogë».( Letër nga Ramleh (Aleksandrí) më 21.II.1952. Mustafa
Kruja – P. Paulin Margjokaj: Letërkëmbim (1947-1958). Shkodër 2006, f. 219.) Merr
pjesë në anën e princit Wilhelm von Wied, ashtu si të gjithë atdhetarët, në mprojtje
të shtetit të Shqipnisë. Ky shtet, n’atë kohë, përfaqësohej prej Wied-it, kur turmat
fanatike turkomane elikjamase të Haxhi Qamilit zbatojshin qëllimin e tyne të mbrapshtë
e antikombtar, tue ulë Flàmurin e kuq me shqipe të zezë, flàmurin e Gjergj Kastriotit-Skanderbeut,
për me ngritë flàmurin turk me gjysmë hanë e hyll e tue zavendsue edhe gjuhën shqipe
me gjuhën turke në administratën shtetnore. E këtê vijuen ta bâjshin edhe mbas vjetit
1914, shì në Shkodër, që, për hir të popullit të vet atdhetar, po i mpronte këto vlera
të patjetërsueshme të identitetit të vet kombtar.
E në lagjen e Gjuhadolit, zemër e Shkodrës atdhetare, kishin zanë vend sa patriotë
që ishin largue prej trevave që gjindeshin në kthetrat e reaksionit turkoman. Shkruen
Gjon Kamsi: «Ashtu si i kujtoj, ndër ta ishin: Aqif pashë Elbasani, Mehmet pashë Derhalla,
Bajram beg Curri, Sotir Peci, Kristo Floqi, Ilia e Kostaq Kota, Mihajl Lehova, Milto
Sotir Gurra, Muço Qulli, Çerçiz Topulli, Salì Nivica, Bajram Fevziu, Sejfì Vllamasi,
Bedrì Peja, Ahmet Dakli, dhe me Fejzì bej Alizotin, i emnuem qeveritar i Shkodrës
nga Qeverija e Durrësit, n’atë kohë të mbramë të regjimit ndërkombëtar të qytetit,
gjetën të gjithë strehim familjar mikpritës për rreth rrugës Gjuhadol».(Gjon Kamsi:
«Gjuhadoli në historinë e Shqipnís». Dsh. i pabotuem.)
Mori pjesë, gjatë Luftës së Parë Botnore, në kohën kur pjesa mâ e madhe e Shqipnisë
së Veriut ishte e pushtueme prej ushtrive austro-hungare, në administratën e vendosun
prej austriakëve. Qe n’atë kohë Drejtor i Drejtorisë së Arsimit. Kjo detyrë, për hir
edhe të dashamirësisë ndaj Shqipninë të Perandorisë së dyfishtë, i dha mundësí që
të zhvillonte së tepërmi arsimin kombtar, tue e përhapë në të gjitha viset, me themelimin
e nji numri të madh shkollash shqipe. Përveç kësaj qe nismëtari i së parës akademí
të shkencave në vendin tonë, si ishte në të vërtetë n’atë kohë Komisia Letrare, e
cila botoi edhe nji të përkohshme të vetën me titull Lajmet e Komisís Letrare në Shkodër
(1918, vetëm dy numra). Komisí që vuni themelet edhe të asaj që u quejt prej saj Biblioteka
e Shqipnís, më 1917, me të gjitha tiparet e nji biblioteke kombtare dhe me kërkesat
që janë të lidhuna ngushtë me gjallimin e nji biblioteke të tillë, tue parapá edhe
detyrimin e dorëzimit në dý kopje të çfarëdo botimi që bâhej në trollin shqiptar.
Ndonse nga Tirana zyrtare nuk pranohet që Biblioteka Kombtare të jetë themelue në
Shkodër, prap se prap kjo âsht nji e vërtetë e pamohueshme të cilën nuk e tund kurrfarë
sofizmi që don ta bâjë n’asgjâ.
Periudha historike që shkon prej vjetit 1920 e deri në ramjen e qeverisë së Nolit
më 1924, përfaqëson pjesën mâ demokratike të Shtetit Shqiptar. Bisedimet e Parlamentit
të botueme në ketë kohë janë shprehja mâ e qartë e frymës kombtare që ekzistonte në
mes deputetëve, dhe e çështjeve që ishin rrahë n’atë selí e cila nuk qe kurrsesi nji
Teater kukullash si e cilësuen komunistët, por nji votër ku nëpërmjet nji diskutimi
të hapët mproheshin interesat e Kombit, prej njerzish atdhetarë. Fatkeqësisht edhe
sot, mbas njëzetedy vjetësh prej shembjes së diktaturës antikombtare komuniste, kjo
ndërtesë në vend që të kthehej në Muzé të Parlamentit, vijon të jetë… Teatri i kukullave.
Tue u kthye te biseda e jonë, megjithse Gurakuqi ishte, për nji formim të vetin moral,
kundra veprimeve të dhunshme, Mustafa Kruja në nji letër dërgue P. Paulin Margjokës
vëren: «Në lëvizjen e qershorit 1924 ka qênë kundrështar deri qi nuk qe vêndosun,
ka luftue si luâ për t’a ndalue, tue profetue pikë për pikë të gjitha pasojat qi u
vërtetuen mâ vonë njâna mbas tjetrës. Por, mjerisht, mbandej, kur s’i eci mâ fjala,
vot mbas rrymës e u bâ edhe ministër me Fan Nolin.» ( Letër nga Ramleh (Aleksandrí)
më 21.II.1952. Shih: Mustafa Kruja – P. Paulin Margjokaj: Letërkëmbim (1947-1958).
Shkodër 2006, f. 220.) Për mos me u dá, prá, prej të tjerëve, të cilët edhe ata punojshin
për të mirën e Vendit, për nji drejtim europjan të Shtetit shqiptar, mori pjesë në
Revolucionin e Qershorit të 1924-s, dhe në qeverinë që doli prej tij, si u tha mâ
sipri, qe emnue prej Fan Nolit ministër i financave.
Si shihet, tue marrë vetëm disa anë të veprimtarisë atdhetare të kësaj figure madhore
që na përket të gjithëve, do të mbërrijmë në disa konstatime të idhuna, të lidhuna
me mënyrën si janë trajtue në vendin tonë figura të tilla të mëdha të kombit nga ana
e trashigimtarëve të diktaturës. Ndonse qenë njoftue se Luigj Gurakuqi, mbas vrasjes
më 2 mars 1925, për të tretën herë po vritej tue i shembë shtëpinë, kaluen katër ministra
“kulture” të djathtë e të majtë, që nuk ngritën qoftë edhe nji gisht për me mprojtë
ketë trashigimí të pazavendsueshme për të gjithë shqiptarët që kanë ketë identitet,
dhe e cila duhej t’ishte elteri i çdo shqiptari me ndjenja e me zemër për fatet e
Atdheut.
E kjo i ndodhë shì Luigj Gurakuqit që, më 1923, kur u propozue që të ndërtohej monumenti
i Ismail Qemal Vlorës, pat shkrue në gazetën e Shkodrës “Ora e Maleve”: «Nji popull
që nderon burrat e vet, nji popull që pavdekson kujtimin e tyne, jo vetëm ndër faqet
e historisë, por edhe mbi rrasa e në monumenta, ai popull tregon se ka ndërgjegje,
se ka ndiesi të holla, se njef miradijen e ka dëshir me u sjellun e me u drejtuem
mbas shembullit të të Mëdhajvet të vet (Gazeta “Ora e Maleve”, I/1923, nr. 40, 8 dhetuer,
f. 4.).
WILLY KAMSI *Ambasadori i parë i Shqipërisë në Selinë e Shenjtë
All the contents on this site are copyrighted ©. |