2018-02-28 18:19:00

Nigeri: Terrorizmi i Boko Haram: “Allahu nuk çon askënd për të vrarë e për të grabitur për llogari të vet!”.


Sipas Agjncisë Fides, katër vjet pas rrëmbimit të një grupi vajzash nga Chibok, anëtarë të grupit terrorist nigerian Boko Haram rrëmbyen rishtas qindra studente nga një shkollë e Dapchi. Përsëritet, kështu, një gjest i neveritshëm, që tregon edhe një herë se terrorizmi është fenomen djallëzor, i cili synon, paradoksalisht, të shkatërrojë njerëzimin. “Ky fenomen mizor tregon sesi njeriu, krijesë në përngjasim të Zotit, arrin të shndërrohet deri në atë  masë, sa t’i përngjajë vetë Shejtanit”- komenton për agjencinë Fides, atë Donald Zagore, i Shoqërisë  së Misioneve Afrikane (SMA).

“Është tragjike të shikosh jetë të rrënuara, posaçërisht kur bëhet fjalë për vajza të reja, që rrëmbehen, shndërrohen me detyrim, gati-gati në sende, që përdoren paturpësisht për seks, por edhe për kamikaze, nga ca qenie, që e quajnë veten njerëz, e madje, edhe besimtarë në Zotin. Njerëz, të cilët në vend të logjikës njerëzore, përdorin logjikën e dhunës e të terrorit. E deri kur më, këta njerëz pa fe - shprehet atë Zagore -  do të vijojnë të rrënojnë familjet e të shkatërrojnë të ardhmen e gjithë këtyre vajzave e djemve të Kontinentit afrikan? “Këta terroristë - komenton teologu - vijojnë të bërtasin se veprojnë për llogari të Allahut! Absurditet i pafundmë. Nuk ka ndodhë kurrë mbi këtë dhe që Allahu ta ketë nisë njeriun kundër njeriut. Allahu nuk dërgon askënd të vrasë për llogari të vet!”.

“Sot, më shumë se kurrë - vëren akoma teologu - duhen  reforma urgjente në botën e fesë, sidomos, asaj myslimane. Duhet promovuar liria e ndërgjegjes, duhet çliruar njeriu nga burgjet morale e shoqërore të një feje dogmatikisht të ngurosur e nganjëherë edhe totalitare; duhen përmirësuar kushtet e grave, të cilat kanë të drejtë për barazi dhe emancipim; të promovohet reflektimi e kultura kritike, për respektimin e dinjitetit njerëzor. Mbi të gjitha, për një luftë të vërtetë kundër terrorizmit, është themelor krijimi i kushteve të respektit e të tolerancës, të rrënjosura në pranimin e pluralizmit fetar dhe të pakicave fetare.

Atë Zagore uron që të ketë më shumë solidaritet ndërmjet shteteve të Afrikës perëndimore, për ta luftuar me guxim këtë forcë kriminale. “Duhet  shmangur rreziku, që njerëzit të joshen, me a pa vetëdije, nga ky lloj ‘qytetërimi’ i dhunës dhe i urrejtjes, të cilin duan ta imponojnë këto grupe terroriste”-  përfundon teologu.

Kujtojmë se Boko Haram vijon, që nga viti 2009, një kryengritje  gjakatare në veri-linde të Nigerisë, që deri tani ka shkaktuar vdekjen e 20 mijë vetëve.    








All the contents on this site are copyrighted ©.