2018-02-28 10:36:00

Më 28 shkurt kujtojmë studiuesin e madh prof. Injac Zamputtin, në përvjetorin e vdekjes


Më 28 shkurt kujtojmë studiuesin e madh prof. Injac Zamputtin, në përvjetorin e vdekjes së tij. Studiuesi i madh prof. Injac Zamputti qe nxënës e profesor në Kolegjin e famshëm të Shën Françesk Saverit, ngritur e drejtuar në Shkodër nga Etërit Jezuitë si dhe një nga shkencëtarët më të shquar të historisë, të letërsisë e të gjuhës shqipe.

Nga arkivi i redaksisë shqipe të Radio Vatikanit, sot Vatican News, shkëpusim një pjesë të një interviste që kemi realizuar me prof. Injac Zamputtin në Tivoli, afër Romës në vitin 1996.


Injac Zamputti lindi më 12 shkurt 1920 në Shkodër. I ati, Romolo, ishte me origjinë italiane, e ëma, Ninia, me origjinë nga malësia e Temalit. Ndoqi mësimet në Kolegjin Saverian në Shkodër, ku në moshën 21 vjeçare filloi punën si mësues i letërsisë shqipe përkrah dom Ndré Mjedjes. Njëkohësisht nisi të botonte në revistën ‘Leka’. Më 1937 Injaci u martua me një vajzë nga familja e Prelajve, mbesë e dy françeskanëve: Atë Pashkë e Atë Marjan Prelaj. I fali Zoti gjashtë fëmijë: pesë vajza e një djalë.
Studimet universitare i kreu në Universitetin e Triestes, ku u doktorua në shkenca politike e historike. Këtu mbrojti temën: “700-shi venecian dhe Shqipëria”. Pas vitit 1945 punoi në Shtëpinë e Kulturës në Shkodër. Më 1946-47 dha mësimin e letërsisë në gjimnazin e Gjirokastrës. Më 1948, sapo u hap Instituti i Shkencave, u thirr në Tiranë, ku u muar me studimin e historisë së mesjetës në Shqipëri deri në daljen në pension.
Profesor Injac Zamputti na ka lënë trashëgim një vepër shumë vëllimshme letrare e historike. Kujtojmë përmbledhjet novelistike “Zemra njerëzish” (1940); dhe “Atje nën hijen e Rozafës” (1944), dramën “Damjani himarjot” dhe “Guri i Themelit”, deshifrimin e Anonimit të Elbasanit, veprën “Përpjekjet e shqiptarëve për liri e pavarësi në shekullin XVI-XVII dhe 10 vëllime në të cilat transkriptoi, përktheu e komentoi relacione, regjistra e shënime të ndryshme nga arkivat mesjetare të Raguzës, të Venedikut e të Vatikanit.
Botoi edhe studime mbi veprën e Buzukut, Budit, Bardhit, Bogdanit dhe përktheu “Burgimet e mia” të Pashko Vasë Shkodranit. Në moshë të shtyrë botoi veprat “Eskursion në dy vepra të Kadaresë”, “Fishta – koha, njeriu, vepra” dhe bashkëpunoi me revistën “Hylli i Dritës” të paskomunizmit.
Në moshën 83 vjeçare, përlot me Shqipërinë, gjuhën, historinë e letërsinë e saj,v vendosi të largohet nga atdheu për në Itali. U vendos në Tivoli, pranë Romës ku edhe ndërroi jetë më 28 shkurt 1998, i ngushëlluar me të gjitha sakramentet e dashurinë e familjes së tij të dashur.

Jetëshkrim i Injac Zamputtit
Lindi në Shkodër më 12.02.1910 në një familje të mesme. I jati, Romolo, me origjinë italiane, zyrtar poste, vdes shpejt pas një aksidenti duke e lënë jetim në moshën njëvjeçare së bashku me tri motra. E ëma, Nine, me origjinë nga malësia, nga Temali, i rrit këta fëmijë me mundime e sakrifica.
Studion në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në Shkodër ku shquhet për korrektësi dhe rezultate shumë të mira. Prandaj, qysh në moshën 21 vjeçare mbahet në atë Kolegj ku jep lëndën e letërsisë shqipe si koleg i ri i Dom Ndre Mjedës. Merr pjesë në mjaft shfaqje teatrore, në fillim si nxënës e më vonë si drejtues. Po kështu merr pjesë në shfaqje muzikore duke i rënë violinës si amator. Jep ndihmesë të madhe në revistën LEKA. Si mësues i ri dallohet në aktivitetet kulturore, artistike e sportive me nxënësit. 
Ndër nxënësit e tij mund të përmendim: V. Stafën, L. Boriçin, Q. Stafën, S.Bekteshin etj. (Duhet shënuar se në atë Kolegj studionin edhe nxënës të besimeve të tjera). Më 1937 martohet me një vajzë shkodrane, Rozën, nga familja e Prelajve, nga e cila pati 6 fëmije: 5 vajza e 1 djalë. Ndërkohë mbaron universitetin me korrespondencë në Trieste ku doktorohet në shkenca politike e mbron temën historike: "700-a Veneciane dhe Shqipëria", pa e ditur se e ardhmja e jetës së tij do të ishte pikërisht historia e mesjetës e Shqipërisë. Pas mjaft shkrimeve, artikujve, poezive etj. në shtypin e kohës me pseudonime të ndryshme, me 1940 boton vëllimin e parë me novela "Zemra njerzish"e më 1944 vëllimin e dytë me novela "Atje, nen hijen e Rozafës" dhe melodramin "Damjani himarjot". Në vitet e fundit në Kolegjin Saverian, së bashku e nën drejtimin e At Z.Valentinit, hedhin bazat e albanologjisë shqiptare e kjo do t'i shërbejë si bazë e mirë për studimet e mëvonshme historike të tij.
Pas luftës, më 1945, punon si drejtues i Shtëpisë së Kulturës në Shkodër e më pas, 1946-48, dërgohet në Gjirokastër si mësues letërsie në liceun e atij qyteti. Me hapjen e Institutit te Shkencave thirret në Tiranë ku i caktohet dega e historisë së mesjetës. Qëndron i vetëm në Tiranë deri më 1953 ku i jepet shtëpi vetëm me një dhomë, paradhomë e kuzhinë për familjen me 10 vetë (nëna, motra, gruaja e 6 fëmijët), me katër familje të tjera në një korridor e një banjo të përbashkët. Aty punoi e jetoi për 40 vjet e aty i shkroi veprat e tij herë në stol, herë në tavolinën e vogël e herë në prehër, duke u kërrusur gjithnjë e më shumë mbi dokumentet e historisë pa i trokitur në derë askujt. Iu fut punës me pasion, sepse aty gjeti mënyrën për të shprehur intelektin e bagazhin e tij, për të mbajtur familjen e për të mbijetuar. 
Ndër punimet e para është zbërthimi i alfabetit të dorëshkrimit të quajtur "Anonimi i Elbasanit", transkriptimi e komentimi i tij duke e çuar së paku në shek. XVII lëvizjen e ritit ortodoks për një liturgji në gjuhën shqipe. Po kështu zbërthen alfabetin e panjohur të shek. XIX të një poezie me përmbajtje bektashiane.
Më pas boton librin "Përpjekjet e shqiptarëve për liri e pavarësi në shek. XVI-XVII". Fillon të përgatisë kuadrin e ri për dokumentacionin e periudhës së mesjetës, u jep drejtime se ku të shkojnë për ta kërkuar në arkivat e ndryshme të Venecias, Vatikanit, Raguzës etj. Ia sjellin këto dokumenta me mikrofilma e ai, nga fotokopjet, duke përdorur edhe lenten, i transkripton, i përkthen, i komenton e kështu boton disa vëllime në kuadrin e Institutit të Historisë me relacione, regjistra, shënime të ndryshme të asaj kohe. 
Ai vetë nuk u lejua asnjëherë të dilte nga Shqipëria për gjetjen e dokumentacionit apo për të marrë pjesë në simpoziume të ndryshme ku ftohej nga të huajt. Shkolla që kishte kryer, kultura që kishte marrë nga Jezuitët, kontaktet që kishte pasur para lufte e bënin person të dyshueshëm që duhej mbajtur nën mbikëqyrje nga regjimi. Kështu, me punën e tij të palodhshme, u mbush ai boshllëk i madh që ekzistonte në periudhën e historisë së Shqipërisë pas vdekjes së Skënderbeut, duke nxjerrë në pah organizimin e maleve për luftën kundër otomanëve, kuvendet shqiptare, kontaktet me Evropën tj. Konkluzionet e studimeve të dokumentacionit botoheshin në formë artikujsh në revistën "Studime historike". Nga dokumentacioni i kohës zbulon e studion mjaft hollësitë shkrimtarëve të vjetër shqiptarë Buzuku, Bardhi, Budi, Bogdani e të humanistëve shqiptarë Barleti e Beçikemi.
Të periudhës 1960-1990 janë:
l. Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore e të Mesme në shek. XVII - vëll. I (1963)
2. Idem - vëll. II (1965)
3. Dokumenta të shek. XV për Historinë e Shqipërisë -pjesa e I (1967) 
4. Idem - pjesa e II (1979)
5. Regjistri i kadastrës dhe i koncesioneve për rrethin e Shkodrës 1416-1417-(1977) 
6. Dokumentet e shek. XVI-XVII për Historinë e Shqipërisë - vëll. I (1989)
7. Idem - vëll. II (1990)
8. Idem - vëll. III (1989)
9. Idem - vëll. IV (1990) (me bashkautor S.Pulahën).
10. Dokumente për Historinë e Shqipërise të shek. XV - 1400-1405 (1987) (me bashkëautor L.Malltezin).
Të gjitha këto vëllime janë botuar me transkriptimet origjinale, përkthimet përkatëse, me indekset e emrave të personave e të vendeve dhe me shpjegimet e duhura. Vetëm në këto vëllime dokumentesh numërohen më shumë se 5000 faqe. Në vitet '50 e fillimet e viteve '60 merret edhe me letërsi. Shkruan tri drama, një melodramë, dy tregime te gjata, një poemë për luftën e Himarës 1481, por nuk lejohen të botohen e, kështu heq dorë nga letërsia e i kushtohet vetëm historisë e paleografisë. E vetmja dramë që arriti të dëgjohet vetëm një herë në radio e incizuar nga studentët e ILA me 1965 qe drama "Guri i themelit" me temë mbi Kalanë e Rozafatit. Vijnë vitet e zeza 1967-68- revolucioni kulturor - e ai është në shënjestër për ideologjinë fetare, por mbahet prapë në Institut sepse dokumentacioni i mesjetës do të mbetej edhe për shumë kohë pa u lexuar nga askush. E ai gjithnjë me pasion, i mbyllur në shtëpi, vazhdon e punon duke jetuar me botën e Budit, Bogdanit, Bardhit etj. Asnjëherë nuk ia njohën titullin doktor e laurën e Triestes, megjithëse pothuajse të gjithë e thërrisnin: "Profesor". Në fundin e viteve '80 e ndjen se do të ndodhnin ndryshime të mëdha. Fillon e zgjeron aktivitetin e tij duke përkthyer më 1989 "Burgimet e mija" të P. Vasës të pajisur me parathënie e shënime të ndryshme. Ftohet edhe në një emision televiziv kushtuar figurës së atij rilindasi.
Të vitit 1988 janë punimet e tij me shumë interes për leximin e "Mbishkrimit të Arbërit" e "Mbishkrimit të Brarit" të cilët lexohen për herë të parë në mënyrë të plotë dhe që vendosin gurëthemeli në historinë e popullit shqiptar. Të periudhës së viteve të para të demokracisë janë dy librat e tij: "Fishta - koha, njeriu, vepra" dhe "Ekskursion në dy vepra të Kadaresë" (1993). Në vitet 1995-97 boton artikuj e studime me shumë interes në revistën HYLLI I DRITËS për çështje të fillimit të letërsisë në gjuhën shqipe dhe, i fundit, per aksionin kolonizues te Dionisit e luftrat iliro-romake.
Më 1995 nga Presidenti i Republikës i jepet dekorata "Punonjës i shquar i shkencës dhe i teknikës" me motivacionin "Për kontribut shumë të shquar në zhvillimin e shkencave albanologjike". Mbylli sytë më 28.02.1998 në Tivoli të Italisë dhe, sipas porosisë së tij të fundit, eshtrat e tij prehen në varrin e familjes në Tiranë, në Shqipëri, në atë vend, historisë së të cilit i kushtoi jetën dhe veprimtarinë e tij. 
P.S. Vetëm gjatë periudhës së diktaturës e ka shkruar mbiemrin me një t: ZAMPUTI, por deri me 1944 e në të gjithë regjistrat e gjendjes civile mbiemri shkruhet me dy t: ZAMPUTTI.








All the contents on this site are copyrighted ©.