2018-02-28 15:38:00

Këshilli 9 kardinajve: në studim, procese të shpejta për rastet e abuzimit me të miturit


Përfundoi sot takimi i Këshillit të 9 kardinajve me Papën Françesku, që u mblodh për tri ditë, duke filluar nga e hëna, 26 shkurt. Ati i Shenjtë nuk mori pjesë vetëm sot, për shkak të audiencës së përgjithshme, ndërsa njëri nga kardinajtë, Laurent Monsengwo Pasinya mbërriti të hënën në darkë, pasi avioni nuk u nis nga koha e keqe.

Në një konferencë për gazetarët, sot, në orën 13.00, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Greg Burke,  sqaroi se punimet janë zhvilluar paradite nga ora 9.00 deri në orën 12.30 dhe, pasdite, 16.30-19.00. Është folur për shumë tema, “përfshirë statutin teologjik të konferencave ipeshkvnore, punonjësit dhe uljen e kostove të Selisë së Shenjtë, si edhe mbrojtjen e të miturve”.

Do të ndryshohet statuti teologjik i Konferencave ipeshkvnore

 “Reflektimi mbi statutin teologjik të Konferencave ipeshkvnore filloi nga n.32 i “Evangelii Gaudium” – theksoi Greg Burke -  ku thuhet: ‘…nuk është shprehur mjaftueshëm një statut i Konferencave ipeshkvnore që t’i kuptojë ato si subjekte me detyra konkrete, duke përfshirë edhe ndonjë autoritet autentik doktrinor. Centralizimi i tepruar, në vend që ta ndihmojë, e ndërlikon jetën e Kishës dhe dinamikën e saj misionare’. Është fjala – vijon Greg Burke – për ta interpretuar sërish Motu proprio-n ‘Apostolos suos’, në frymën e decentralizimit të shëndoshë, për të cilin flet shpesh Papa, duke theksuar se është gjithnjë ai, që e ruan unitetin e Kishës”.

Zgjedhja e personelit dhe ulja e kostove në Selinë e Shenjtë

Kardinajtë dëgjuan imzot Jan Romeo Pawlowski mbi hapat e Seksionit të tretë të Sekretarisë së Shtetit, lindur kohët e fundit për përzgjedhjen dhe formimin e personelit diplomatik. Ndërsa, kardinali Reinhard Marx i paraqiti Këshillit të Kardinajve punën e Këshillit për Ekonominë, i cili po studion propozimet për të krijuar një lloj “kabine regjie” për burimet njerëzore, pra, për punonjësit e Vatikanit. Gjithashtu, ai u përvijoi kardinajve direktivat për uljen e kostos së enteve të Selisë së Shenjtë. Këshilli i Nëntëshes diskutoi edhe opcionet e ndryshme për të gjykuar në kohë të shkurtra abuzimet kundër të miturve, dëgjoi prefektin e Dikasterit për Zhvillimin e gjithanshëm Njerëzor dhe reflektoi për Kongregatën e Kishave Lindore e për atë të Ungjillëzimit të Popujve. Mbledhja e ardhshme e tij, njoftoi Greg Burke, do të mbahet më 23, 24 e 25 prill 2018.








All the contents on this site are copyrighted ©.