2018-02-27 13:14:00

Në FESTin të Lisbonës, dokufilmi mbi Rojen Papnore Zvicerane


Që prej nëntë edicionesh, një festival filmi i bën të njohur botës kinemanë në gjuhën portugeze. Quhet “FESTin” e do të thotë Festivali Endacak i Kinemasë në Gjuhën Portugeze. Është njëkohësisht, titulli i manifestimit, që mbahet nga data e sotme, 27 shkurt, deri më 6 mars, në Lisbonë të Portugalisë. Në të merr pjesë edhe Selia e Shenjtë.

Risi: edhe gjuha neolatine

         Më 2 mars, do të jetë pikërisht prefekti i Sekretarisë për Komunikimin, imzot Dario Edoardo Viganò ai, që do të paraqesë “Ushtrinë më të vogël të botës”: ky është titulli i dokufilmit, që flet për Rojen Papnore Zvicerane në Vatikan. Me autor Gianfranco Pannone, produkti i Selisë së Shenjtë u prit me sukses edhe në Festivalin e Venezia-s. Siç nënvizon partneri mediatik i festivalit “FarodiRoma”, risia e tij është zgjerimi i horizontit, duke përfshirë këtë vit, edhe gjuhët neolatine, që, ashtu si portugalishtja, e kanë origjinën nga latinishtja. Prandaj, do të projektohen filma me metrazh të gjatë nga Spanja, Kuba, Franca, Italia dhe Rumania.

Rojet Zvicerane, aspekt i veçantë i jetës në Vatikan

         “Jam i kënaqur që marr pjesë në FESTin, manifestim i rëndësishëm kulturor, i cili e bën të njohur kinemanë në gjuhën portugeze në botë”, komenton imzot Viganò. “Një mision – vijon ai – në të cilin kontribuojmë me paraqitjen e dokufilmit ‘Ushtria më e vogël e botës’, ku flitet për një aspekt tejet të veçantë të jetës në Vatikan. Një mënyrë për ta bërë të dukshëm komunikimin e ri, dashur nga Papa Françesku, sipas logjikës së Kishës në dalje”.








All the contents on this site are copyrighted ©.