2018-02-25 19:08:00

Vizita e Françeskut në famullinë e Shën Gjelazit I: gëzimi i takimit


Sot pasdite, e Diela II e Kreshmëve, Papa Françesku shkoi për vizitë baritore në famullinë romake të Shën Gjelazit I, papë, besuar meshtarëve të familjes kishtare të Misionit Kisha-Bota, në lagjen romake Ponte Mamolo.

Për ta pritur Françeskun, që arriti rreth orës 15.45, kishte dalë  kryeipeshkvi Angelo Donatis, mëkëmbës i përgjithshëm i Dioqezës së Romës; imzot Guerino di Tora, ipeshkëv ndihmës për Sektorin Verior dhe famullitari, don Giuseppe Raciti me ndihmësin e tij, don Alfio Carbonaro.

Gjatë vizitës, Ati i Shenjtë takoi, në fushën sportive, djemtë e vajzat e katekizmit, me të cilët shkëmbeu një dialog shumë të përzemërt. “Të kemi pritur me gëzim” - i thanë duke u paraqitur njëri pas tjetrit. - E Papa: “Shih, po thonë se më pritën me gëzim: nuk është e vërtetë! Po më prisnit me shi”. Kjo shaka e Françeskut lidhur me shiun që, pas pak çasteve me diell, nisi të reshej këtë pasdite mbi Romë, u pasua nga falënderimi drejtuar fëmijëve, të cilët po e prisnin nën shi që nga ora dy, pa luajtur nga vendi, edhe pse të qullur.

E, pastaj, një pyetje e Papës, që vlen për të gjithë: “Dëgjojeni këtë, jeta i ngjan kësaj pasditeje, sepse herë del dielli, herë dynden retë, herë reshet shi e bën kohë e keqe. Kështu është edhe jeta, me kohë të mirë e të keqe. Ç’duhet të bëjë i krishteri? Të shkojë përpara me guxim, në kohë të mirë e të vështirë. Kuptuat? Do të ketë stuhi në jetë. Por edhe ditë të ndritura. Përpara! Jezusi na prin!”.

Vijoi pastaj takimi me të rinjtë e oratorit dhe familjet e, në teatër, përshëndeti të sëmurët e të moshuarit. Të sëmurët Françesku i falënderoi lidhur me çka bëjnë për botën. Ndoshta ndokush - kujtoi - mund të më pyesë: “Epo çfarë po bëj unë për botën? Nuk shkoj në Kombet e Bashkuara, as në takime … rri këtu, në shtëpi? Ç’bëj për Kishën? Është Kisha, që bën shumë për mua”. Po Papa i quajti të sëmurët  “prush i botës, i fshehur nën hi, nën vështirësi, luftëra. Prush feje, prush i gëzimit të padukshëm, që e ngroh botën”.

Më pas, në salla të ndryshme të famullisë, u ndalua me të varfërit dhe veprimtarët e qendrës së Karitasit, që i ndihmojnë, si dhe vullnetarët e bankës farmaceutike dhe ushqimore. Vijoi, duke biseduar me dy të rinj, 18 e 25 vjeç, të ardhur nga Republika e Gambias e të strehuar në famulli. Papa Françesku u kërkoi besimtarëve të famullisë të luten për të. Pastaj, përsëri me shaka, shtoi: “Lutuni për mua, jo kundër meje!”. Ndërsa, gjithnjë duke qeshur, një murgeshë të ftohur e këshilloi të pijë “raki”.

Pastaj, rrëfimi i disa besimtarëve.

Pika kulmore e vizitës, rreth orës 18.00, Mesha Shenjte, kremtuar në Kishën famullitare, në bashkëkremtim me famullitarët e prefekturës XI kishtare romake e disa meshtarë, miq të bashkësisë.

Pas leximit II të Liturgjisë, besuar një besimtari të verbër dhe shpalljes së Ungjillit, Ati i Shenjtë mbajti homelinë, duke u folur lirisht besimtarëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.