2018-02-25 12:30:00

Veprimtaria javore e Papës dhe e Vatikanit


Papa Françesku tha sot Engjëllin e Tënzot, me besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, pasi kaloi një javë me kardinajtë e Kuries Romake në Ariccia, për ushtrimet shpirtërore të Krezhmëve. Ungjilli i së dielës II të Krezhmëve flet për Shndërrimin e Krishtit para syve të Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit - çast, në të cilin Ati Qiellor e njeh Jezusin si Birin e vet dhe u kërkon dishepujve ta dëgjojnë.

Sot, Krishti na tregohet në gjithë lavdinë e Tij, por ne e dimë se po shkon drejt Kalvarit e Mundimeve. Si mund ta kuptojmë këtë: nga njëra anë Ati Qiellor e quan bir e, nga ana tjetër, nuk ua ndalon dorën vrasësve të tij? Krezhmët, na thotë Kisha, janë kohë dëgjimi. Shndërrimi i Krishtit i paraprin lavdisë së Ringjalljes. Nuk duhet të harrojmë se ky njeri, që po ecën drejt një vdekjeje të tmerrshme, është Biri i dashur i Zotit, që Ati Qiellor e flijoi për shëlbimin e shumë vetëve.

 

Sot, në ora 16.00, Papa Françesku shkon për vizitë në famullinë romake të Shën Gjelazit I, papë, në Ponte Mamolo, në Romë. Gjatë vizitës, Ati i Shenjtë takohet së pari me fëmijët, djemtë e vajzat e katekizmit, të rinjtë e oratorit dhe familjet e më pas, me të sëmurët, të moshuarit, të varfërit dhe veprimtarët e qendrës së Karitasit.

Vijon biseda e Papës me dy të rinj, 18 e 25 vjeç, ardhur nga Republika e Gambias e strehuar në famulli. Pastaj, rrëfimi i disa besimtarëve. Në përfundim të vizitës, rreth ores 18.00, Ati i Shenjtë kremton meshën së bashku me famullitarët e prefekturës XI kishtare romake e me disa meshtarë miq të bashkësisë.

Me fëmijët e katekizmit kujtohet edhe vogëlushja Giulia Rinaldo, njëra nga viktimat e tërmetit të 24 gushtit 2016 në qendër të Italisë. Me trupin e saj, Giulia mbrojti të motrën, duke e shpëtuar nga shembja e shtëpisë në Pescara del Tronto. Asaj i është kushtuar salla e katekizmit, e rinovuar me kontributin e shoqatës “Pafundësisht Giulia”, formuar nga e ëma dhe i ati.

 

U bë i njohur të enjten mesazhi i Papës Françesku për Ditën e 33-të Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në nivelin dioqezan, më 25 mars. Hap tjetër drejt asaj të Panamasë, në vitin 2019.

Mos lejoni që “shkëlqimi i rinisë të shuhet në terrin e një dhome të mbyllur, në të cilën, e vetmja dritare për të parë botën është ajo e kompiuterit, ose e celularit”. Kjo është ftesa e Papës Françesku për të rinjtë e gjithë botës, në mesazhin e tij me temë “Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit!” – frazë nga Ungjilli i Lukës (1,30).

 

Të premten, në kapelën “Redemptoris Mater” në Vatikan, filluan predikimet e Krezhmëve të atë Raniero Cantalamessa, predikatar i Shtëpisë Papnore. Tema: “Vishuni me Jezu Krishtin Zot” (Rm 13,14). Shenjtëria e krishterë në këshillat paoline”. Së bashku me thirrjen universale për shenjtëri, Koncili II i Vatikanit, vë në dukje françeskani, përvijoi qartë ç’do të thotë shenjtëri për krishterimin. “Shenjtëri – shpjegon atë Cantalamessa, duke folur për predikimet e kësaj Krezhme – është bashkimi i përsosur me Krishtin”. Duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë e ta zbatojmë në praktikë, ashtu siç e këshillon shën Pali Apostull në Letrën drejtuar Romakëve (kapp. 12-15). Predikimet e këtij viti, çdo të premte, do të hedhin dritë mbi tiparet kryesore të shenjtërisë, mbi ato, që sot quhen “virtyte të krishtera” e që Besëlidhja e Re i përcakton si “fryte të Shpirtit Shenjt”, ose si “ndjenja që ishin në Krishtin Jezus” (Fil 2,5).

 

Përfunduan të premten në Ariccia, pranë Romës, ushtrimet shpirtërore të Papës Françesku dhe të kardinajve të Kuries Romake. Nga e diela e kaluar e deri të premten, ata dëgjuan dy herë në ditë meditimet e predikatarit don Josè Tolentino de Mendonça, teolog e poet i shquar portugez, i cili i përqendroi reflektimet tek etja për Zotin, duke përmendur edhe shenjtoren shqiptare të bamirësisë, Nënë Terezën e thënien e Jezu Krishtit, që rrezaton nga çdo kapelë e motrave të saj: “Kam etje”. Është e pamundur të bëhet një sintezë e meditimeve të meshtarit portugez, prandaj, po shkëpusim vetëm një pjesë prej tyre, në të cilën ai përvijon mëshirën e Atit Qiellor, argument shumë i dashur për Papën Françesku.

“Mëshirë - tha predikatari të enjten - nuk do të thotë t’i japësh tjetrit, atë që i takon. Mëshira është dhembshuri, mirësi, falje. Është të japësh më shumë, të japësh përtej asaj, që duhet dhënë, të shkosh shumë më përtej sesa duhet. Është dashuri e dhënë me tepri, që mjekon plagët, lehtëson dhimbjet, shëron shpirtin. Mëshira  është një nga epitetet e Zotit. Zoti është mëshirë! Të besosh në Zotin, do të thotë të besosh në mëshirën. Mëshira është Ungjill, që duhet zbuluar”.








All the contents on this site are copyrighted ©.