2018-02-24 07:30:00

Shenjtorёt e javёs 25 shkurt – 4 mars


E diel 25 shkurt, Kisha katolike kremton të dielën e 2-të të kohës liturgjike të Kreshmëve, që përgatisin e paraprijnë festën e Pashkëve. Po mё 25 shkurt kalendari kishtar përkujton shën Nestorin, ipeshkëv e martir e shën Çezarin. Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielёs sё 2-tё tё Kreshmёve, në mënyrë të veçantë pjesa e Ungjillit, na kujton një moment teje të veçantë të jetës së Jezusit, shndërrimin e tij. Kjo ngjarje e ndriçon udhën krezhmore: pendesa e agjërimi që praktikojmë, kanë si qëllim ta shndërrojnë jetën tonë sipas shembullit të Jezusit.

Të hёnёn më 26 shkurt, kalendari kishtar përkujton shën Aleksandrin e shën Vitorin. Liturgjia e ditës na kujton se dashuria e Zotit është e përjetshme. Ç ‘respekt tregon Jezusi për dinjitetin e fëmijëve dhe të drejtën e tyre për t’iu afruar Atij! Mbretëria e Zotit është vetëm për ata që do të bëhen si fëmijë, pra do ta lëshojnë krejtësisht vetveten në duart e Hyjit. Këtë na mëson Ungjilli i ditës

Të martёn më 27 shkurt, kalendari kishtar përkujton shën Gabrieli i Zojës së Dhimbshme. Feja e lutja ecin së bashku, na mësojnë leximet e liturgjisё sё kësaj dite. Jezusi u tregon dishepujve se pa lutjen nuk mund të arrihet asgjë, as shërimi nga sëmundjet.

Të mёrkurёn më 28 shkurt, kalendari përkujton edhe shën Romanin, abat. Liturgjia e ditës na kujton se banorët e Ninives, pasi dëgjuan predikimin e Jonës, u penduan; edhe Mbretëresha e Sabës e dëgjoi me vëmendje dijen e Salomonit. Ndërsa kush i kundërvihet Jezusit, s’bën tjetër veçse të tregojë masën e arrogancës e të mbrapshtisë së vet.

Të enjten më 29 shkurt, kalendari kishtar përkujton shën Osvaldin e shën Hilarin, papë. Liturgjia e ditës na kujton se mbretëria e Hyjit ndryshon krejtësisht nga mbretëritë e kësaj bote. Kush dëshiron të hyjë në të, duhet të ecë në udhën e shërbimit e të pijë kelkun e mundimeve.

Të premten më 1 mars,  kalendari kishtar përkujton shën Feliçin, papë e shën Albinin, ipeshkëv i Anzhé. Në liturgjinë e ditës jehon fuqimisht britma e mëkatarit të penduar drejtuar Zotit: “Dëgjoje, o Zot, të varfrin që të lutet!”.

Të shtunën me 2 mars, kalendari kishtar përkujton shën Troadin, shën Angjelen e Kryqit, virgjër. “Na fal o Zot, e ne do të jetojmë”.  Liturgjia e ditës na kujton se shijimi i të mirave të kësaj bote jo vetëm që nuk na i siguron të mirat e jetës së amshuar, por përkundrazi, na rrezikon t’i humbasim. Fati në jetën tjetër varet nga mënyra e përdorimit të të mirave të kësaj bote.

Të shtunёn me 3 mars, kalendarit liturgjik përkujton shën Kunegonden, bashkëshorte e Enrikut II perandor. Liturgjia e ditës na kujton se vërtetë i lum është vetëm njeriu që i qëndron besnik ligjit të Zotit.

Të dielën e ardhshme më 4 mars, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 3-të të Krezhmëve. Gjithnjё më 4 mars, kalendari kishtar përkujton shën Kazimirin, pajtor i Lituanisë. 

Liturgjia e ditës na fton të meditojmë mbi rolin e fesë e të lutjes, si mjetet më të sigurta për të ngadhënjyer mbi Djallin dhe mbi pasojat e mbrapshta të tundimeve që vijnë prej tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.