Në predikimin e parë të Kreshmëve, në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit, në Vatikan, atë Raniero Cantalamessa, predikatar i Shtëpisë Papnore, nënvizoi se për ta shndërruar botën, duhet së pari, të shndërrojmë vetveten. Reflektimi i tij, mbajtur sot paradite, u frymëzua nga fjalët e Shën Palit në Letrën drejtuar Romakëve: “Mos u përshtatni me mendësinë e kësaj bote”. Nuk thotë, pastaj “shndërrojeni!”, por “shndërrojuni!”.
Ky meditim i parë na prin për të hyrë në shpirtin e Kreshmëve, pa hyrë në temën e veçantë në program, edhe për shkak të mungesës së një pjese të dëgjuesve, Papës e Kuries, të zënë me ditën e fundme të Ushtrimeve shpirtërore.
Fjala “botë” në kristianizëm
Frati kapuçin kujtoi se sjellja e Krishtit ndaj botës është “të jetë në botë, po jo i botës”, e cila, në vetvete, është gjë e mirë, sepse e krijuar nga Zoti. Prej këndej Atë Cantalamessa analizoi marrëdhëniet ndërmjet mendimit të krishterë dhe “botës” në rrjedhë shekujsh: me Palin e Gjonin fjala “botë” ngarkohet me vlerë morale, për të kujtuar, në vijim, si ishte e si u bë pas mëkatit; vjen, pastaj, ideali i ikjes nga bota në shekujt e parë, e kështu me radhë, deri tek teologjia e shekullarizimit, që përfundon në idealin e ikjes “drejt” botës, domethënë mondanizimit. Shteg i verbër ky - vërejti - E në pak vite nuk u fol më për teologjinë e shekullarizimit, madje edhe disa nga pionierët, u distancuan prej saj.
Të shkohet tek të varfërit duke u veçuar nga bota
Atë Canatalamessa foli, më pas, për botën, me të cilën nuk duhet të përshtatemi: nuk është fjala për botën e krijuar dhe të dashur nga Zoti, as për njerëzit e botës, që duhet të shkojmë e t’i takojmë vazhdimisht, posaçërisht të varfërit, të fundmit, të vuajturit. Përzjerja me këtë botë të vuajtjes e të përjashtimit është, paradoksalisht, mënyra më e mirë për “t’u ndarë”, nga bota, sepse do të thotë të shkosh atje, prej nga bota ikën me të gjitha forcat. E të veçohesh nga vetë parimi, që sundon botën, nga egoizmi!
Kalon skena e kësaj bote
I krishteri - shpjegoi - nuk duhet të përshtatet me botën jo pse materia është e keqe e armike e shpirtit, si mendonin platonikët, por sepse skena e kësaj bote kalon. Mjafton të mendojmë për mitet e 40 vjetëve më parë, ose për çka mbetet nga mitet e njerëzve të shquar të kohëve tona. “Lakuriq dola nga barku i nënës, e lakuriq do të rikthehem në barkun e dheut”- thotë Jobi! “E njëjta gjë - pohoi atë Cantalamessa - do t’u ndodhë miliardarëve të sotëm, me gjithë paratë e tyre, e edhe njerëzve, që sundojnë e që dridhin botën me pushtetin e tyre”.
Agjërimi nga figurat
Në përfundim, një porosi: “Të agjërojmë nga figurat e botës”, ndërsa sot agjërohet vetëm për të ruajtur linjën”. Një aspekt ky, që shpesh ka të bëjë me internetin. E nëse na ndodh të turbullohemi nga ca figura, Frati na fton të shikojmë Krishtin e kryqëzuar ose të shkojmë e të gjunjëzohemi para të Shenjtnueshmit Sakrament. Në fillim të këtyre Kreshmëve duhet, pra, të ikim nga bota e jo të shkojmë me botën!
All the contents on this site are copyrighted ©. |