2018-02-23 13:32:00

Dita e lutjes dhe e agjërimit për paqen


Kremtohet sot, 23 shkurt, në të premten e parë të Krezhmëve, Dita e lutjes dhe e agjërimit për paqen, në veçanti, në favor të Sudanit të Jugut dhe të Republikës Demokratike të Kongos. Nisma u njoftua nga Papa Françesku në Engjëllin e Tënzot të 4 shkurtit.

         Ati i Shenjtë e pati propozuar këtë Ditë të veçantë, duke pasur parasysh “përzgjatjen tragjike të gjendjeve të konfliktit në anë të ndryshme të botës” e pati ftuar edhe motrat e vëllezërit jo katolikë e jo të krishterë të bashkohen me këtë lutje, sipas mënyrës së tyre. Sot, në tweet-in e tij, Papa shkruan: “Ati ynë Qiellor i dëgjon gjithnjë bijtë e tij, që ia lartojnë Atij britmën e dhimbjes”.

Përgjigjja e të krishterëve të tjerë

         Ftesa e Papës u pranua nga Këshilli Botëror i Kishave protestante, anglikane dhe ortodokse, i cili bën të ditur se vetëm në Republikën Demokratike të Kongos, më se 4 milion vetë janë detyruar të shpërngulen e më se 13 milion kongolezë kanë nevojë urgjente për ndihma humanitare. Gjendja është po aq tragjike edhe në Sudanin e Jugut, ku 2 milion vetë janë larguar nga vendi e po aq, mbushin radhët e të shpërngulurve të brendshëm. Dy të tretat e popullsisë jetojnë në varfëri të plotë. Pastori Olav Fykse Tveit, sekretari i përgjithshëm i Këshillit Botëror të Kishave, iu përgjigj pozitivisht ftesës së kryetarit të Këshillit Papnor për bashkimin e të krishterëve, kardinalit Kurt Koch, duke i ftuar të gjitha Kishat-anëtare për lutje e agjërim e duke bërë kështu një hap konkret për dëshminë e përbashkët të Ungjillit të paqes.

Impenjimi i Bashkësisë anglikane

         Nga ana e saj, Bashkësia anglikane i inkurajoi Kishat e veta të marrin pjesë në nismën e Papës. Peshkopët anglikanë të Sudanit të Jugut ftojnë besimtarët të luten veçanërisht për bisedimet e paqes, që po vijojnë në Adis Abeba. “Të lutemi – shkruajnë ata – që Zoti i Gjithpushtetshëm t’i shndërrojë zemrat e t’i inkurajojë të gjithë t’i braktisin planet për luftë që të arrihet paqja. Ne, sudanezët e jugut jemi të lodhur nga lufta”.

Lutja e feve të tjera

         Edhe Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar e mbështeti idenë e Papës për t’i ftuar besimtarët e feve të tjera të agjërojnë e të luten së bashku me katolikët, “sipas traditës së tyre e në vendet e tyre të kultit”, siç shkruhet në letrën e rastit. Në Itali, bashkësia islamike lutet së bashku me të krishterët.








All the contents on this site are copyrighted ©.