2018-02-23 14:25:00

Clericus Cup: fillon botërori i futbollit në Vatikan


Loja e parë e “Clericus Cup”, kampionatit botëror të futbollit në Vatikan, do të nisë nesër, në edicionin e 12-të të turneut, në të cilin marrin pjesë 16 skuadra të ndara në katër grupe, në stilin e Champions League. Çdo skuadër përbëhet nga meshtarë, seminaristë dhe universitarë, ardhur nga 70 vende të ndryshme të botës. Ky botëror tejet i veçantë u paraqit sot, në selinë e radios sonë.

Shumë risi, si për shembull, një arbitër-meshtar

         “370 persona përfshihen në Clericus Cup – shpjegon përgjegjësi i komunikimit të Qendrës Sportive Italiane, Felice Alborghetti, organizator i turneut – e 1500, golat e shënuar deri vitin e kaluar”. Janë vetëm disa, nga shifrat që karakterizojnë nismën, e cila po përsëritet në disa vende, sidomos në kontinentet e Afrikës dhe të Azisë, pas kthimit të pjesëmarrësve në dioqezat e tyre. “Risi e këtij viti – tregon Alborghetti – është prania e një arbitri-meshtar, që ka zgjuar shumë kuriozitet”.

Radio Vaticana Italia, mikrofon i Clericus Cup

         Që prej 12 vjetësh, radioja e Papës e pasqyron turneun në programet e saj. Këtë vit, do t’i takojë Radio Vaticana Italia, kanalit 24 orësh në italisht, të ndjekë ndeshjet e lojtarët. “Clericus Cup – nënvizon prezantuesi i programit ‘Jo vetëm sport’, Giancarlo La Vella – ka zgjuar gjithnjë interes tek dëgjuesit. Gjatë viteve, kemi paraqitur gjithnjë historitë e pjesëmarrësve e këtë vit, do të përqendrohemi në historinë e seminareve nga vijnë”. “Dua të nënvizoj – vazhdon La Vella – se ka veçori të rëndësishme për Clericus Cup-in e sivjetëm, si për shembull, kartoni i tretë, që nuk është përjashtim i plotë, por pezullim i pjesshëm nga loja, siç ndodh në vaterpol. Ose edhe koha e tretë, në stilin e regbit (futbolli amerikan), por ndërsa në atë rast lojtarët shkojnë për të pirë diçka së bashku, këtu do të luten e do të mblidhen për një çast pajtimi të përbashkët”. Nga Shqipëria, mund të ndiqet Radio Vaticana Italia në internet, në faqen www.vaticannews.va.








All the contents on this site are copyrighted ©.