2018-02-18 09:30:00

Festa e Gjuhës së Shën Andout


U kremtua sot, në Padovë, Festa e zhvendosjes së Gjuhës së Shëna Ndout. Është festa më e rëndësishme e Shenjtit të Mrekullive, pas 13 qershorit, e kremtja e tij liturgjike. U kujton të devoçëmve të panumërt   ngjarjen e 8 prillit 1263, kur gjenerali i asokohshëm i fretërve françeskanë, Bonaventura da Bagnoregio, duke kontrolluar reliket e Antonit, për t’i zhvendosur në kapelën e re, për çudinë e madhe të padovanëve, e gjeti të paprekur gjuhën e Doktorit të Kishës, më se tridhjetë vjet pas vdekjes. Mister ky edhe sot e kësaj dite për shkencën, ndërsa feja e quan mrekulli, duke pasur parasysh se gjuha ishte mjeti kryesor, me të cilin predikoi Shenjti. Të trondit, kur e shikon atë gjuhë si të gjallë! Të duket se do të të flasë nga relikuari i asaj kapele, që quhet “E Thesarit” të bazilikës. Sepse “thesar” mbetet Predikimi i Shenjtit të Mrekullive për mijëra shtegtarë, që e vizitojnë çdo ditë Shëna Nduen, të gjithëpranishëm edhe sot në Bazilikë, ku u kremtuan disa meshë, duke nisur nga ora 08.00, për të përfunduar në orën 17.00, me Meshën e kënduar dhe procesionin me Reliken e Gjuhës së Shenjtit. Gjuhë në shtegtim…








All the contents on this site are copyrighted ©.